Të rinjtë gjithmonë e më tepër po preferojnë të jetojnë në qytet. Zona urbane jep më shumë mundësi për jetë sociale, argëtim, apo edhe punësim. Qytetet kanë ndryshuar dhe ende po ndryshojnë kundrejt fshatrave të cilët po braktisen dhe duket sikur po shkojnë prapa në kohë.

Megjithatë  më shumë se çdo qytet tjetër është kryeqyteti i cili po mundohet të eci me  hapa më të shpejtë për të qenë metropol, por ende nuk është i tillë. Mund t'i ngjajë në dukje qyteteve europiane po ende duhet kohë për t'i krahasuar.
 
      Shumë të rinj që lënë qytetin apo fshatin e lindjes preferojnë të shkollohen në Tiranë, por shumë prej tyre nuk kthehen më mbrapsh. E duan apo jo këtë qytet deri diku forcohen të jetojnë dhe të ndërtojnë jetën nga e para. Mendohet se të rinjve i pëlqen hovi, rrëmuja, lëvizjet, jeta e natës, risitë dhe kryeqyteti ia përmbush këto aspekte.              
 
   Tirana është qytet i zhurmshëm ku trafiku i makinave ndjehet i bezdisshëm edhe për këmbësorët. Herë pas here ndeshesh me njerëz që vrapojnë që në orët e para të mëngjesit të cilët shtojnë tensionin e vonesës për diku. 
 
Pothuaj kudo mund të dëgjohet zilja e një biçiklete që kërkon rrugën e saj, e ndërthurur me borinë e makinave, muzikën e lartë të bareve, thirrjen e shitësit të peshkut apo shitësit të rrobave të përdorura. Herë pas here kësaj panorame i shtohen dhe punimet që i bëhen rrugëve, rikonstruktimit të ndërtesave apo ndërtimit të objekteve te ndryshme urbanistike.
 
E pas kësaj ndotje akustike shpreson të gjesh qetësinë në apartamentin tënd. Këtë apartament që të është dashur kaq vite për ta blerë, apo që ende nuk është e jotja sepse po paguan një kredi të majme dhe duhet të presësh edhe 20 vjet, apo që çdo muaj heq një shumë të konsiderueshme parash për qeranë.
 
Apartamenti është një izolim total. Madje në kryeqytet mbyllja e derës sot i ngjan ngritjes së një kulle. Dëshira për të qendruar vetëm apo me pjesëtarët e familjes sa po vjen e shtohet. Faktikisht kryeqyteti ta shuan durimin, ta heq dëshirën për të pritur njerëz, ta zbeh interesin për të bërë miq të rinj. Gjithmonë e më tepër duket sikur fjala e parë që i thua njerëzve është "s'kam kohë". Madje mendoni sa herë kur shihni dikë të njohur rrugës dhe e pyesni si je, por nuk prisni të merrni përgjigje.
 
Nëse keni jetuar disa kohë në një tjetër qytet nuk e konceptonit këtë ide ndërsa tani është bërë pjesë e jetës. Aq më tepër dukush qe ka lindur në një zonë rurale e ndjen edhe më tepër ndryshimin. Çdo ditë që kalon përcepton që kryeqyteti na ka transformuar. Po me tepër se të gjitha na ka lënë në vetmi.
 
Edhe pse presim në radha të gjata, shohim baret plot me njerëz, mund të punojmë në një kompani me mbi 50 punonjës, në fund të ditës jemi vetëm. Ti e kupton se nëse ke nevojë për para nuk mund t'ja kërkosh më fisit por shkon në bankë.
 
Ti e di se komshiu yt është një burrë dhe një grua e moshuar por nuk i di emrat. Ti ke një kalendar ku shënon ditëlindjet e të afërmve dhe i bën urimin me telefon.
    Besoj se shumë të rinj e pëlqejnë këtë vetmi pasi e quajnë arritje të pavarësisë. Disa të tjerë e vuajnë duke u munduar të gjejnë kohë për takime të vërteta njerëzore. Ka dhe nga ata të cilët nuk kanë as kohë ta mendojnë sa të vetmuar që janë.
 
     Ndoshta është momenti të ndalemi dhe t'i thyejmë muret e kështjellës që kemi ngritur. Vetmia është e mirë deri kur nuk ma bën indiferent. Pavarësia është e shkëlqyer deri kur kemi dikë që na mbështet dhe e mbështesim. Koha ikën, paratë shpenzohen, por njerëzit nuk mbeten aty gjithmonë aty në pritje.



dy.b/shqiptarja.com