Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 22:40 të mbrëmjes së kësaj të hëne, në një lokal në Njësinë Administrative Dajç, në Shkodrës. Një person i armatosur me armë automatik, ka hyrë brenda ambienteve të lokalit dhe ka hapur zjarr në drejtim të një tavoline ku ndodheshin gjashtë persona.
Plumbat e breshërisë të armës kallashnikov kanë rezultuar fatal për 2 prej tyre, ndërsa katër të tjerët kanë mbetur të plagosur rëndë. Viktimat e këtij krimi janë Arjet Saiti, 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç. Ndërsa autori i kësaj ngjarje u identifikua shtetasi Miklovan Parubi, 33 vjeç i cili u largua nga vendngjarja. Arratia zgjati disa orë, pasi pas mesditës së të martës, Parubi u vu në pranga.
[gallery]18945[/gallery]
[gallery]18939[/gallery]
Në një njoftim të shpërndarë për mediat policia thekson se autori i ngjarjes njihet si përdorues droge dhe person me probleme emocionale.
Katër të plagosurit janë Ndok Marku, Vinçens Kopshti, Aleks Prendi dhe Kitas Molla, të cilët janë transportuar menjëherë për në spitalin rajonal të Shkodrës ku i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Dy viktimat si dhe katër të plagosurit janë të moshës 25-35 vjeç.
Policia dyshon se shkak i këtij krimi të rëndë ka qenë sherri për një lojë pokeri.
[gallery]18941[/gallery]
Dinamika
“Ju vras të gjithëve”. Këto ishin fjalët e Miklovan Parubit që sapo hyri në lokal ka qëlluar me automatik drejt tavolinës së klubit ku kishte luajtur pak minuta më parë poker. Nga të shtënat mbetën të plagosur Ndok Marku, Vinçens Kopshti, Aleks Prendi dhe Kitas Molla, të cilët janë transportuar menjëherë për në spitalin rajonal të Shkodrës ku i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Të vrarë kanë mbetur Arjet Saiti, 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç, jashtë lokalit. Ngjarja ndodhi mesnaten e së hënës.
Shqiptarja.com ndërton dinamikën e ngjarjes së rëndë në Dajc, ku u vranë dy persona dhe 4 të tjerë mbetën të plagosur pasi shtetasi Miklovan Parubi hapi zjarr në një lokal.
Autori i krimit Miklovan Parubi gjatë pasdites kishte pirë alkool në lokalin ku më pas hapi zjarr. Parubi ka konsumuar alkool e ka luajtur Poker me Ndok Markun, dhe ky i fundit dyshohet se ka qenë shënjestra.
Çdo gjë ka ndodhur pas një debati gjatë lojës së pokerit, ndërsa 33- vjecari Parubi është çuar nga tavolina e lojës pas debatit dhe është rikthyer pas disa minutash i armatosur me kallashnikov. Pasi ka hyrë në lokal, sipas dëshmitarëve u ka thënë të pranishmëve; “Do ju vras të gjithëve!”, në këtë moment ka qëlluar me breshëri, për pasojë kanë mbetur të plagosur Aleks Prendi, Ndok Marku, Vinçens Kopshti, dhe kamarieri Kitas Molla.
Autori në këtë moment ka tentuar të largohet nga lokali, por ne katin e pare ka ndeshur pronarin Arjet Saiti, i cili pasi ka dëgjuar krismat, ka tentuar të ndërhyjë për t’i larguar armën nga dora, por është qëlluar me breshëri e për pasojë ka humbur jetën menjëherë.
I vdekur në vend ka mbetur edhe shtetasi Gacalin Kopshti i cili në ato momente sapo ishte kthyer nga peshkimi për të takuar të vëllain që gjendej në lokal, por është qëlluar nga breshëria e kallashnikovit.
Gacalin Kopshti është vrarë aksidentalisht
Xhaxhai i 30-vjeçarit që mbeti i vdekur tregon për Report Tv ngjarjen e rëndë që ndodhi duke u marrë jetën dy personave, ndërsa 4 të tjerë mbetën të plagosur jashtë rrezikut.
“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë. Jemi të tronditur. Autori pas sherrit ka hyrë brenda në lokal dhe ka hapur zjarr duke lënë të vdekur Arjet Saitin dhe Gacalin Kopshtin, ndërsa 4 të tjerë janë të plagosur.
Në momentin që Miklovan Parubi ka hapur zjarr të gjithë kanë qenë të ulur në lokal”tha ai.
Gacalin Kopshti është vrarë aksidentalisht, pasi nuk ishte duke luajtur me autorin dhe personat e tjerë.
“Gacalini sapo kishte mbërritur në lokal për të sjellë një vegël pas peshkimit dhe është vrarë nga breshëria e automatikut të Miklovan Parubit” u shpreh xhaxhai i viktimës.
(Xhaxhai i Gacalin Kopshtit)
Arrestimi i autorit
Nga forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, gjatë një pune të pandërprerë u bë e mundur të kapet autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në Dajç, shtetasi Miklovan Parubi, në afërsi të banesës së tij.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia ngriti pika kontrolli në gjithë zonën ku ndodhi tragjedia, por edhe në pikat kufitarë. Kontrolle të forta u kryen edhe në Shkodër dhe Vaun e Dejës.
Pas kontrolleve nga grupe të FNSH dhe policisë lokale që kanë krehur gjithë zonën., autori u kap në afërsi të banesës.
Nëna e Gacalin Kopshtit: E vranë me bukë në gojë
Familjarët e dy viktimave janë njoftuar nga të afërmit disa minuta pas ngjarjes për vdekjen e Arjet Saitit dhe Gacalin Kopshtit.
E tronditur për humbjen e djalit 30 vjeç, nëna e Gacalin Kopshtit thotë që e vranë me bukë në gojë.
Deklarata e Policisë së Shkodrës
Me datë 03.10.2016, rreth orës 22: 40, është marrë njoftim se në një lokal tek kryqëzimi i Dajçit, Shkoder, ka të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se pas një konflikti për motive të dobëta ( dyshohet gjatë një loje pokeri) , shtetasi Miklovan Parubi, 33 vjeç, ka vrarë me armë zjarri shtetasit Arjet Saiti 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç.
Gjithashtu ka plagosur edhe shtetasit A.P. 42 vjeç, N.M. 35 vjeç, V.K.22 vjeç dhe K.M. 26 vjeç, të cilët janë transportuar në spital për ndihmen e nevojshme mjekësore ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ky shtetas njihet në zonë si përdorues i lëndëve narkotike dhe probleme emocionale të pakontrolluara. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zones në bashkëpunim me F.N.Sh-në me qëllim kapjen e tij dhe vendosjen para përgjegjësisë penale.
Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.