Sulmi me armë në Tushemisht më 8 gusht që iu bë pronarit të Hotel Volorekës Jetmir Muçllari, ka një tjetër të ndaluar, konkretisht kushëririn e organizatorit të këtij sulmi, Meard Berberi.

Ai ishte një nga personat e shpallur në kërkim dhe është ndalur në Tiranë, në shoqërinë e Anterio Kaloshit, i cili njihet edhe si mik i Orges Bilbilit, i arrestuar për masakrën e Lushnjes.

Gazetari i Report Tv Merin Maçi raporton se Maerd Berberi është ndalur dhe do shoqërohet në policinë e Pogradecit për të bërë deklarimet e tij  për sulmin me armë, ku dyshet se është i përfshirë. Ndërsa Anterio Kaloshi është i arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim, si mik i Orges Bilbilit, të cilit i kishte siguruar edhe shtëpinë me qira në Tiranë, ku fshihej nga policia.

Për arrestimin e Meard Berberit dhe Anterio Kaloshit nuk ka ende asnjë njoftim nga policia.

1597346753_berberi.jpg

Meard Berberi

Hotel Voloreka është vënë në qendër të dy atentateve me armë brenda 7 ditë, më 1 dhe 8 gusht, ku në fokus ishte pronari i saj Jetmir Muçllari. Për këtë ngjarje janë arrestuar 5 persona, mes tyre dhe Ilir Berberi, i njohur dhe si "Liri i Rushkës",  organizatori i sulmeve të kryera.

Ilir Berberi në rolin e organizatorit dhe në bashkëpunim me 4 personat e arrestuar,  Ilir Meçolli, Ardian Xhuti, Elvir Haxhia dhe Mariglen Topuzi, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin Jetmir Muçllari  në dy atentate.

Nga sulmi i 8 gushtit, plumbat kanë dëmtuar 7 makina luksoze, ku 24 plumba kanë prekur makinën e Muçllarit.  Në videon e siguruar nga Report Tv ka qenë vetëm një person që ka hyrë e ka qëlluar në drejtim të makinave dhe hotelit. I maskuar dhe tepër i qetë në qëndrimin e tij, autori ka zbrazur 100 plumbat e kallashnikovit duke i marrë makinat me radhë dhe më pas ka qëlluar dhe në drejtim të dhomës së djalit të pronarit dhe dy dhomave të tjera, ku qëndronin turistët. Kanosja me armë ndaj pronarit të hotelit u bë që ai të mos dëshmonte në një seancë gjyqësore.

Ilir Berberi u arrestua në një çadër që kishte ngritur enkas në pyllin Vërdovë të Pogradecit, për t'u fshehur nga policia. Ai njihet  një  person me precedent të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ilir Berberi ka qenë i dënuar për gjobvënie, vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Ai është hetuar edhe për disa ngjarje të rënda kriminale si për vrasjen e shefit të komisariatit në Pogradec Agron Gjyrezi.

Ndaj Berberit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Kanosja për të mos kallëzuar", "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik", "Prishja e qetësisë publike" kryer në bashkëpunim".

Një ditë më parë Gjykata e Pogradecit vendosi masën 30 ditë me burg edhe për Mariglen Topuzin, si i përfshirë në sulmin me armë ndaj Hotel Volorekës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:23
Kush është Anterio Kaloshi, miku i Orges Bilbilit, bashkëpunëtor në masakrën e Lushnjes

1597336322_jurgenhoxhazamirlatifi.png

Viktimat Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi

Anterio Kaloshi, 29 vjeç, ishte në kërkim si personi që ka fshehur dhe strehuar Orges Bilbilin, i cili u arrestua pak muaj më parë. Ai kishte marrë një shtëpi me qira në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ku qëndronte së bashku me Bilbilin.

Ai gjithashtu akuzohet se është i përfshirë në masakrën e Lushnjes së bashku me Laert Haxhiun, në kërkim dhe Orges Bilbilin, i arrestuar në prill të 2020. Në atentatin e dyfishtë të ndodhur në 2017, mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxhës.

Anterio Kaloshi, së bashku me Laert Haxhiu, më 28 korrik  i shpëtuan sërish policisë gjatë një operacioni në Lushnje për kapjen e tyre. Haxhiu është ende në kërkim, ndërsa Kaloshi u arrestua sot në Tiranë.