Masakra e Mejës dhe e burgut të Dubravës, prokuroria speciale ngre 33 aktakuza me 89 persona për krime lufte në Kosovë, shumica janë në Serbi

Masakra e Mejës dhe e burgut të Dubravës, prokuroria speciale ngre 33 aktakuza me 89 persona për krime lufte në Kosovë, shumica janë në Serbi

Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona për krime lufte në Kosovë.

Këto të dhëna janë paraqitur në një konferencë për media të mbajtur të premten, ku është folur për masakrën e Mejës dhe atë në Burgun e Dubravës.

“Deri tani prokurorët vendor kanë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona. Me marrjen e kompetencave ishim të ballafaquar me probleme të shumta e sidomos me rrethanat se kryesit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë. Shumica e tyre janë në Serbi ndërsa viktimat dhe dëshmitarët janë në Kosovë, gjë që ka paraqitur vështirësi në ngritjen e aktakuzave”, theksoi prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari.

Hajdari ka thënë se kanë pasur vështirësi pasi kryerësit e krimeve ishin në Serbi ndërsa viktimat dhe dëshmitarët në Kosovë.

“Pas përfundimit të luftës në Kosovë kompetencën ekskluzive për procedimin e krimeve të luftës në Kosovë e ka pasur fillimisht UNMIK-u e pastaj EULEX-i. Prokuroria Speciale ka filluar t’i marrë kompetencat në fillim të vitit 2016 për t’i pranuar të gjitha rastet fizikisht në fund të vitit 2018. Në mesin e këtyre rasteve ka qenë edhe rasti për Mejën e shumë e shumë raste të tjera për krimet e luftës të kryera në Kosovë”.

Hajdari, mes tjerash, tha se në vazhdimësi kanë zhvilluar hetimet duke intervistuar dëshmitarët.

“Në vazhdimësi i kemi zhvilluar hetimet, i kemi grumbulluar provat, i kemi intervistuar dëshmitarët madje edhe i kemi siguruar provat relevante nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë” tha Hajdari.

Hajdari: 53 të akuzuar për masakrën e Mejës, prej tyre 37 ekzekutues

Prokurorja Hajdari, ka bërë të ditur se në aktakuzën për masakrën e Mejës përfshihen gjithsej 53 persona. Hajdari tha se mbi 37 të pandehur rëndon aktakuza e ekzekutimit dhe zbatimit të planit për masakrën.

“Për masakrën në Mejë në aktakuzë janë akuzuar gjithsej 53 persona. Aktakuza është e strukturuar në tri pjesë – pjesa e parë përfshinë 5 të akuzuar që kanë planifikuar masakrën e Mejës dhe fshatrave të tjera, pjesa e dytë e përfshinë grupin prej 11 të pandehurve të cilët në bashkëkryerje me grupin e parë kanë zbatuar planin për masakrën e Mejës ndërsa grupi i tretë prej 37 të pandehurve përben ekzekutorët direkt të cilët kanë kryer masakrën”, u shpreh Hajdari.

Prokurorja tha se fillimisht në hetim ishin të përfshirë 18 persona teksa hetimi u zgjerua në 35 persona.

“Rastin e kemi trashëguar nga EULEX-i që hetimin për këtë masakër e ka hapur fillimisht në vitin 2013 kundër 18 personave dhe me pranimin e rastit në fund të vitit 2018 kemi vazhduar hetimin me grumbullimin e provave dhe intervistimin e palëve. Kemi siguruar edhe provat relevante nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe kemi zgjeruar hetimin edhe për 35 persona”, tha Hajdari.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se prokurorët po përballen me sfida, pasi që hasin në vështirësi për sigurim të provave dhe dëshmive, marrë parasysh që kanë kaluar kohë e gjatë që nga koha e kryerjes së tyre.

Megjithëkëtë ai ka theksuar se ata po punojnë me përkushtim për zbardhjen e këtyre krimeve. Ndër problemet për të cilat ka folur Isufaj kanë qenë edhe numri i vogël i prokurorëve dhe mungesa e një marrëveshjeje me Serbinë për trajtim të rasteve të krimeve të luftës në Kosovë.

Masakra e Mejës

Masakra e Mejës ishte vrasja masive e 377 civilëve shqiptarë të Kosovës nga policia serbe dhe forcat e ushtrisë serbe, kryer më 27 prill 1999 në fshatin Meja, afër qytetit të Gjakovës, gjatë luftës së Kosovës.

Burrat u nxorën nga kolonat e refugjatëve në një pikë kontrolli në Mejë dhe familjet e tyre u urdhëruan që të vazhdojnë udhën për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë u ndanë nga kolona, pastaj u ekzekutuan pranë rrugës.

Masakra konsiderohet si më e madhja gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Vetëm një pjesë e kufomave janë gjetur, pjesa tjetër janë vënë në kamionë dhe janë transportuar në Serbi ku janë varrosur në varreza masive ose janë djegur për të zhdukur gjurmët.

Sipas dëshmive të Kryetarit të Departamentit të Sigurisë së Divizionit të Ushtrisë Jugosllave në Prishtinë, Momir Stojanović, masakra ishte planifikuar më herët dhe misioni i saj ishte 'të neutralizonte elementet terroriste në zonë'.

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në SHBA, vriten me armë zjarri brenda shtëpisë çifti i shqiptarëve

E rëndë në SHBA, vriten me armë zjarri brenda shtëpisë çifti i shqiptarëve