TIRANE- Odise Verbofshi personi që ekzekutoi me plumb në kokë dhe më pas i vuri zjarrin me benzinë kufomave të Shaban Babasit dhe Albert Kasallës, ka mundur të gjejë strehim vetëm disa orë tek krushqit e tij në Devoll.

Verbofshi menjëherë pas kryerjes së krimit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ka arritur të largohet me një automjet të dytë, duke shkuar në fshatin Poloskë të Bilishtit.

Pikërisht në këtë fshat, Verbofshi ka gjetur strehim tek vjehrra e vëllait të tij, shtetësja Trëndafile Gjoza, e cila ka deklaruar në polici se e kishte kryer strehimin e krushkut, pasi nuk kishte dijeni për krimin që kishte kryer.

Sipas policisë së Bilishtit, autori i krimit ka qëndruar në banesë vetëm disa orë dhe pasi është ushqyer sërisht ka dalë jashtë, duke u larguar në drejtim të një pylli, që ndodhet jo shumë larg shtëpisë. Shkak i fshehjes në pyll është bërë me qëllim që të mos binte në sy nga persona të tjerë,prej nga planifikonte largimin e tij në drejtim të kufiorit midis Shqipërisë dhe Greqisë.

BISEDA NE TELEFON 
Autori i krimit të rëndë ka mundur të “çajë” disa postoblloqe policore nga Tirana deri në Bilisht, duke arritur të shkojë “shëndoshë e mirë” në banesën e krushkës së tij, në fshatin Poloskë. Gjatë rrugës, Odise Verbofshi nuk ka komunikuar me asnjë person dhe se telefonin e tij e ka pasur të mbyllur. Mirëpo atëherë kur ai ka menduar se ndodhet në mes të pyllit dhe pa u vërejtur nga askush, ka vendosur të hapë telefonin dhe ti kërkojë ndihmë një shokut të tij në zonën e Devollit, që ta nxirte deri në kufi.

Pikërisht në këtë moment, ai është lokalizuar menjëherë nëpërmjet antenave, pasi numri i tij ka qënë në përgjim. Në të vetmet bisedë telefonike që ka kryer pas krimit të rëndë, ka qënë “…eja me ndihmo, më nxir në Greqi se në Shqipëri duan të më vrasin”. Synimi i Verbofshit ka qënë kalimi i tij në tokën helene, prej nga do të mund të hyntë në thellësi të saj dhe ti fshihej policisë Shqiptare.

NE SHTEPINE E KRUSHKES
Teksa ka qëndruar disa orë tek krushka e tij, Trëndafile Gjoza, Odise Verbofshi ka qënë jo i tensionuar, nga ku mund të linte dyshime. Krushkën e ka gënjyer se vizitën e papritur e kishte bërë, pasi dëshironte të largohej në drejtim të Greqisë. Ka fjetur një natë në banesën e saj dhe në mëngjez është ngritur duke u larguar në drejtim të pyllit. Pikërisht në këtë vend ai është lokalizuar dhe më pas arrestuar nga ana e policisë së Korçës dhe forcave të komisariatit të Bilishtit. Në momentin e arrestimit Verbofshi nuk ka kryer asnjë rezistencë ndaj uniformave blu, pasi me vete kishte vetëm një telefon dhe asnjë gjë tjetër.

Shkrimi u publikua sot (23.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)