Kufizimet ndaj COVID-19/ Të moshuarit jashtë shtëpie për pazare, qytetarët dyndje nëpër tregje (VËZHGIMI)

Edhe pse masat e qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend janë të ashpra, qytetarët e kryesisht pensionistët nuk ndalojë frekuentimin e pazareve duke vënë në rrezik shëndetin e tyre. Gjatë një vëzhgimi të kryer nga Report TV, në disa tregje të vendit, situata paraqitet aspak normale dhe e mbipopulluar.

***

Forca të shumta të policisë dhe ushtrisë janë sot në rrugët e Tiranës për të garantuar zbatimin e masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Por nga një vëzhgim i Report Tv në Tiranë dhe në disa qytete kryesore të Shqipërisë, panorama që ofrohet është e një dite normale, a thua se emergjenca ka mbaruar. Gjatë orarit të lejuar 05:00 - 13:00 të gjithë qytetarët, me apo pa autorizimi, dalin nga shtëpia, jo vetëm për të kryer nevojat emergjente për të marrë ushqime, ilaçe apo për të kryer shërbime në banka apo posta, por edhe për të dalë për shëtitje, për vrap, apo thjesht për të marrë ajër.

"Nuk rrihet në shtëpi", thonë disa qytetarë për Report Tv, ndërkohë që kërkojnë të rritet ora për të qëndruar jashtë me argumentin se vetëm një orë leje nuk mjafton. Aktualisht nga shtëpia mund të dalë vetëm një familjar pas marrjes së lejes online në portalin e-Albania, ndërsa pensionistëve nuk u lejohet.

Sot, të shtunën në orën 13:00 do të mbyllet qarkullimi si për këmbësorët dhe për automjetet dhe do të jetë gjithçka mbyllur deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit, pra ulin qepenat edhe supermarketet dhe farmacitë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:59
Policia e Sarandës me megafon, thirrje qytetarëve të futen në shtëpi

Nga sot në orën 13:00 ka nisur vetizolimi i qytetarëve në të gjithë qytet e Shqipërisë pas urdhrave të reja të njoftuara për fundjavën, të cilët po zbatohen prej tre javësh. Kjo ka ndodhur edhe në Sarandë ku policia me megafon në orën 13:00 ka dalë në rrugët e qytetit për t'u bërë thirrje qytetarëve për t'u mbyllur në banesa.

Ora 13:50
81-vjeçarja e vetmuar në Tiranë: Kam kaluar edhe Luftën e Dytë Botërore, kam parë gjermanin kur shkonte autokolonë

Një grua e moshuar 81-vjeçare ka dalë vetë të bëjë pazaret. Ajo jeton e vetme dhe sa herë ka nevojë shkon në tregun pranë shtëpisë për të marrë ushqimet e nevojshme, edhe pse të moshuarve nuk u lejohet të dalin nga shtëpia, pasi janë autoritetet që duhet t'i çojnë shërbimet në banesë. Ajo thotë se ka kaluar edhe luftën e Dytë Botërore.

Si po e kaloni situatën?
Mirë mirë, brenda mbyllur.

Po pse keni dalë ju për të bërë pazarin?
Po jam e vetme këtu e kam shpinë, këtu e kam edhe tregun dhe dal e blej ndonjë gjë për vetë. Jam 81 vjeç. Kam kaluar edhe luftën e Dytë Botërore, kam parë edhe gjermanin kur shkonte autokolonë.

A po i respektoni të paktën në shtëpi masat?
Po vetëm jetoj nëna. Çfarë të bëj.

Kur i keni takuar fëmijët për herë të fundi?
Nuk mbahet mend, një e kam në Bolonja, një Pogradec, një në Tiranë dhe nuk vjen dot këtu.

Ora 13:02
'Unë një telefon të voçkël kam', pensionisti në Vlorë: Duhet të gjej dikë që të aplikoj për mua për leje

Situata në tregje në qytetin e Vlorës vijon të mos jetë normale, ku qytetar të shumtë dynden për të blere ushqime. Vendimi i qeverisë që asnjë automjet apo person të mos qarkullojë ka bërë që shumë persona të dynden nëpër tregje për të siguruar ushqime! Ndërkohë pensionistët shprehen se nuk kanë telefon për aplikacionin që merret leja për dalje. Sipas tyre ata dalin në rrugë se dikush duhet të blejë ushqime.

Një nga pensionistët shprehet: "Kam dalë për treg se jam vetëm dhe skam asnjë. Unë një telefon të voçkël kam, nuk mar dot leje."

Sakaq një tjetër pensionist deklaron: "Kam dalë për pazar. Duhet të gjej ndonjë që të aplikoj se unë vetë nuk e bëj dot. Për sot kam marrë leje."

Ora 12:41
'Kam punuar në të zezë, tani marr borxhe...', qytetari: Djali në emigrim nuk më sjell dot lekë

Një qytetar në Tiranë ka dalë vetë të blejë pazaret. AI jeton vetëm me vëllain ndërsa thotë se djali që është në emigrim në këtë situatë nuk mund ta ndihmojë me të ardhura.

"Kam marrë orarin e lejes për të bërë pazaret. Më shumë blej portokalle, mollë, çfarë t'na duhet për shtëpi. Çmimet janë mirë, nuk kanë lëvizur. Është fjalë me vend që mos të dalin, se pensionistët janë mosha më e thyer. Unë jam 60 vjeç, nuk kam fëmijë në shtëpi, jetoj vetëm me vëllain. Marr lejen e orarit dhe dal. Vet nuk marr pension, punoja në të zezë, tani marr borxhe. Një djalë që kam është jashtë shtetit, në këto kushte nuk është e mundur të më ndihmojë", shprehet qytetari për mikrofonin e Report Tv.

Ora 12:37
'Më ka marrë malli të përqafoj nënën', zonja nga Tirana: Edhe nëse qeveria i heq masat, do ruhemi gjatë

Merr çdo ditë leje jo vetëm për të blerë ushqime për familjen e saj brenda 4 mureve, por edhe për nënën e moshuar që i jeton jo shumë larg shtëpisë së saj. Në një intervistë për Report Tv, zonja thotë se e ka marrë malli të përqafojë nënën, sepse ushqimet ia lë në distancë duke mos e takuar. Ndërkohë ajo thotë për gazetaren Eliza Gjediku, se kjo situatë me rregullat kufizuese dhe mbrojtëse, do të vazhdojë gjatë për ta, edhe nëse qeveria vendos t'i heqë.

"Kam dalë me leje për një orë, do shkoj tek nëna ime t'i blej dy gjëra t'ia çoj. Nuk e  takoj më ka marrë malli, ia çoj ushqimet nga larg. U bë një muaj e ca që nuk e kam përqafuar nënën time. Edhe qeveria me i heq masat do t'i vazhdojmë se sipas televizorit kjo periudhë zgjat shumë, kështu që do t'i ruhemi gjatë", tha zonja.

Ora 12:36
Ish-minatori: Kam 20 vjet nën tokë, jam i fortë nuk më bën dëm gripi...Vetëm barku më dhemb nga ilaçet e skaduara

Edhe pse nuk u lejohet të dalin, pensionistët në Shqipëri nuk e kanë zbatuar këtë rregull duke i bërë vetë pazaret. I tillë është edhe një ish-minator që jeton në Tiranë. Gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku e intervistoi atë, duke marrë përgjigjen e tij përse ka dalë vet nga shtëpia.

"Kryeministri ka dëshirë shumë gjëra të bëjë por kjo është pamundësi të bëhet. Me rimbursim ilaçet janë të skaduara, më tepër më dhëmb barku e stomaku me to, kam filluar t'i marr me lekë. Një buke më duhet mua dy ditë. E di që nuk duhet të dal, por unë për fat të mirë nuk kam kaluar ndonjëherë situata kështu, edhe gripi nuk më bën dëm. Kam qenë minator, 20 vjet nën tokë. Kam qenë shumë i fortë, e kam mbajtur veten, se puna të shëndosh, nuk jam nënshtruar", u shpreh i moshuari.

Ora 12:16
I moshuari në Tiranë: Gruan e kam me diabet, dal vet për pazare...Më rrezik është me vdek nga uria se sa virusi

Edhe në tregun e fruta perimeve në zonën e Kombinatit në Tiranë, qytetarët nuk respektojnë distancimin social. Qytetarët qëndrojnë pranë njëri-tjetrit teksa bëjnë pazaret, ndërkohë që shumica janë pa maska mbrojtëse dhe doreza. 

Të pranishëm në tregje janë edhe forcat e policisë që u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë distancën nga njëri-tjetri. Ashtu ndodhi edhe gjatë transmetimit LIVE të situatës në këtë treg në Report Tv, ku efektivët e policisë ndërhynë për të shpërndarë qytetarët.

"Gruan e kam me diabet, vetëm unë e bëj pazarin. Qeveria nuk më ka ndihmuar, pensionin e kam pas ta marrë në datën 2. Nuk ma kanë sjellë. Unë nuk di si ta marr në telefona, nuk kam mundësi t'i ndjek se jam i vjetër. Është më rrezik me vdek nga uria se sa nga virusi", tha një i moshuar që kishte dalë vetë për të kryer pazaret.

Ora 11:10
Qytetari: Me një orë nuk merr dot frymë, jo të bësh pazare...COVID-19 s'po merret vesh çfarë është, nuk i ka dalë tymi akoma

Duke ecur me biçikletë dhe i pajisur me maskë mbrojtëse, kështu u shpreh një qytetar që lëvizte në zonën pranë "Pallatit me Shigjeta" në Tiranë.

"Me oraret është cik mbrapsht, çfarë do bëjë njeriu me një orë të dalë, bëra pazare mora edhe dezinfektues. e mora autorizimin me mesazh, policia më kontrolloi. Ky mjafton një orë, një orë nuk merr dot frymë.

Shumë njerëz dalin kot, por edhe janë mërzitur nuk kanë faj, ku rrihet në shtëpi.

Jam 59 vjeç, është e çuditshme që po e jetojmë këtë situatë, s'po merret vesh çfarë është, nuk i ka dalë tymi akoma", tha një qytetar.

Ora 11:01
Fier i populluar nga automjetet, qytetarët në tregje dhe supermarkete

Në qytetin e Fierit rrugët ditën e sotme kanë qenë të populluara nga makinat, të cilët dalloheshin kryesisht në qendër, por edhe në periferi. Sipas raportimeve shumica e këtyre automjeteve kanë qenë të autorizuara dhe kanë lëvizur për të kryer shërbimet e nevojshme të familjarëve të ndryshëm.

Sakaq edhe qytetarët të cilët lëvizin në rrugë janë bërë të zakonshëm. Të pajisur me lejen për dalje për një orë, ata kryesisht i janë drejtuar tregjeve dhe supermarketeve për blerjen e artikujve agroushqimor.

Ora 10:50
Lëviznin pa autorizime në rrugë, policia ndëshkon qytetarët në Lezhë

Gjate ditës së sotme ne qytetin e Lezhës lëvizjet e qytetarëve kanë qenë më të pakta. Qyteti është thuajse i boshatisur dhe shihen vetëm persona që kanë dalë për të kryer punët e tyre të domosdoshme. Gjithsesi nuk kanë munguar as personat të cilët kanë dalë në rrugë pa autorizim, të cilët janë ndëshkuar nga policia që ka rritur prezencën e saj në rrugë.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm