Zjarret e qëllimshme do të ndëshkohen me forcën maksimale të ligjit këtë verë tha të premten Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë një takimi koordinues me drejtuesit e shërbimeve zjarrfikëse nga të 61 bashkitë e vendit, ku u prezantuan masat që do të zbatohen për sezonin veror.

“Dua ta them qartë: do të ketë zero tolerancë ndaj zjarrvënies së qëllimshme dhe ndaj kujtdo që cenon pasurinë natyrore dhe sigurinë e komuniteteve tona”, u shpreh Lamallari, duke nënvizuar gjithashtu në rëndësinë e ndërgjegjësimit të çdo komuniteti.

Ministri bëri të ditur se gjatë muajve të verës strukturat zjarrfikëse do të kalojnë në gatishmëri të përforcuar. Në terren do të ketë patrullime dhe monitorim të vazhdueshëm në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Emergjencat Civile dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ndërsa në zonat turistike dhe ato me risk të lartë do të ngrihen stacione të përkohshme zjarrfikëse.

Një tjetër masë do të jetë kontrolli i objekteve që presin numër të lartë pushuesish gjatë sezonit. Sipas Lamallarit, inspektimet do të përfshijnë hotele, resorte, restorante, lokale plazhi dhe subjekte të tjera, me fokus respektimin e rregullave të sigurisë dhe planeve të evakuimit.

Paralelisht me masat parandaluese, qeveria po investon edhe në forcimin e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës.

“Kemi avancuar modernizimin e flotës, kemi mbështetur përmirësimin e trajtimit financiar dhe kemi nisur hapa të rinj për rritjen e kapaciteteve operacionale në të gjithë vendin”, deklaroi ai.

Ministri njoftoi se financimi për vitin që lamë pas u rrit në 2.8 miliardë lekë, nga 2.3 miliardë lekë në vitin 2024. Aktualisht në vendin tonë, sipas Lamallarit, operojnë rreth 170 automjete zjarrfikëse, ndërsa janë planifikuar edhe 130 mjete të reja dhe ndërtimi i katër stacioneve të reja në Përrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë.

Në deklaratën e tij, Lamallari u kërkoi bashkive dhe institucioneve vendore të kenë plane të qarta veprimi për përballimin e emergjencave, duke theksuar se mbrojtja e pyjeve, zonave turistike dhe komuniteteve nga zjarret mbetet një nga sfidat kryesore të sezonit veror.

Ai gjithashtu vlerësoi punën dhe sakrificën e efektivëve të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, duke theksuar se ky është një shërbim jetik për sigurinë publike dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

“Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi është një nga shtyllat më të rëndësishme të sigurisë publike në vend. Është një shërbim që qytetarët e shohin gjithmonë aty ku ka rrezik, aty ku ka emergjencë dhe aty ku kërkohet sakrificë”, u shpreh Lamallari.

Në përfundim të aktivitetit, disa efektivë të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit u vlerësuan me certifikata mirënjohjeje për profesionalizmin dhe kontributin e tyre në operacione të ndryshme shpëtimi dhe emergjencash, mes tyre edhe efektivë të angazhuar në operacionin për shuarjen e zjarrit në një pallat shumëkatësh në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:25
Masat për parandalimin e zjarreve, Hita: Kush shkakton zjarr, me dashje apo nga pakujdesia, do të përballet me drejtësinë

Çdo person që shkakton zjarr gjatë verës, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, do të përballet me ligjin. Paralajmërimi u dha nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë aktivitetit për prezantimin e masave për përballimin e situatës së zjarreve dhe koordinimin e institucioneve për emergjencat verore.

Sipas Hitës, Policia ka nisur kontaktet me administratorët e njësive administrative dhe në vijim do t’u dërgojë njoftime të gjithë blegtorëve që përdorin kullota dhe territore të caktuara, duke i bërë të qartë se në rast zjarri do të mbajnë përgjegjësi për zonat që administrojnë.

“Tashmë fillon sezoni i verës dhe rreziku për rënie të zjarreve është shumë më i madh. Policia e Shtetit ka filluar punën më herët në drejtim të marrjes së masave parandaluese. Kemi filluar të marrim kontakt me administratorët e njësive administrative, si dhe do t’iu dërgohet njoftim të gjithë blegtorëve, për territorin që kanë marrë në përdorim, se në rast se bie zjarr, ata janë përgjegjës për atë territor. Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia, shkaktojnë zjarr duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.”, deklaroi Hita.

Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se me nisjen e sezonit veror rreziku për zjarre shtohet ndjeshëm, ndaj bashkëpunimi mes Policisë, shërbimit zjarrfikës, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor mbetet vendimtar për reagimin e shpejtë dhe minimizimin e pasojave.

Sipas tij, çdo minutë e fituar në ndërhyrje mund të shmangë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

“Në përfundim dua të shpreh vlerësim për çdo efektiv zjarrfikës që shpesh në kushte të vështira dhe përballë rrezikut real, vijon të kryejë detyrën me dinjitet dhe përgjegjësi të lartë, bashkërisht me punonjësit e Policisë së Shtetit. Ky është misioni ynë fisnik, t’iu shërbejmë qytetarëve në çdo situatë, duke rrezikuar dhe jetët tona” përfundoi Hita.