TIRANË- Një çift në Tiranë ka rënë në pranga pasi dyshohet se kanë mashtruar qytetarët se do t’iu blinin apartamente. Çifti i agjentëve imobiliar, Elvis Ramca dhe Veriana Ziu, pasi përvetësonin paratë, falsifikonin mandate banke për t’i bindur qytetarët se paratë ishin depozituar.
Burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bëjnë me dije se Policia e Tiranës ka dokumentuar dy raste të mashtrimit, pas denoncimeve që kanë bërë qytetarët. Pasi u merrnin paratë qytetarëve, çifti i çonte faturat fiktive edhe shoqërive në fushën e ndërtimit, për t’i mashtruar që të lidhnin kontrata për shitblerje apartamentesh.
Me mashtrimin e dy personave, çifti dyshohet se ka përvetësuar 300 mijë euro, ndërsa hetuesit dyshojnë që të mashtruar të jenë edhe të tjerë, për të cilët po punohet për zbardhjen e tyre.
"Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, të kryera pas kallëzimeve të disa qytetarëve se iu kishin dhënë shuma parash, 2 shtetasve, të cilët i kishin mashtruar dhe nuk kishin blerë apartamentet e kërkuara në këmbim, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Sektorit të Forces së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Agjentët e rremë”.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. R., 39 vjeç dhe V. Z., 34 vjeçe, bashkëjetues. Nga hetimet e kryera dyshohet se 2 shtetasit iu kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, qytetarëve, duke iu premtuar se do t’iu blinin apartamente. Pasi përvetësonin paratë, 2 shtetasit falsifikonin mandate banke, për të mashtruar qytetarët se paratë ishin depozituar. Më pas, dokumentet false i paraqitnin dhe te përfaqësues të shoqërive në fushën ndërtimit, me qëllim lidhjen e kontratave fiktive, për shitblerje apartamentesh", njoftoi policia.
Emri i Verizana Zout del edhe në një tjetër episod mashtrimi, të një qytetari në Fier të cilit dyshohet se i kanë marrë 800 euro përmes mashtrimit, duke i thënë se do t’i siguronin një punë në Gjermani.
Komente












