Nis shkolla! Fëmijët ruajnë distancë, prindërit në turma! Nxënësit: Vështirë të flasim me maska! Korça pa termometra, Durrësi mes 'tërmetit' e COVID-it

TIRANË- Veshjeve të bukura dhe të reja, nxënësve në këtë ditë të parë të shkollës i është shtuar edhe maska, si një mjet i domosdoshëm për t'i mbrojtur ata nga COVID-i dhe dezifektanti në çantë.

Shkollat në të gjithë Shqipërinë kanë hapur sot dyert për të mirëpritur nxënësit nën "ethet" e pandemisë! Koronavirusi ka diktuar rregulla të reja, ku nxënësve iu është matur temperatura, kanë mbajtur distancë nga njëri- tjetri dhe kanë zhvilluar vetëm 2 orë mësimi, të ndarë në turne! E megjithatë teksa panorama që u ofrua ditën e sotme nuk i ngjante atyre të viteve të kaluara, diçka nuk kishte ndryshuar...fëmijët e vegjël me buqetat me lule që kishin përgatitur për mësuesit e tyre, të cilët si asnjëherë tjetër kanë një mision shumë të vështirë për të kryer, jo vetëm dhënien e dijes, por edhe kujdesit për shëndetin.  Fëmijët të emocionuar shprehen se janë të lumtur që shkolla rinisi, pasi i kishte marrë malli për shokët dhe shoqet, por nuk e fshehën vështirësinë që iu krijonte maska kur flisnin

"Maskën ma ka zgjedhur mami. U respektuan rregullat, ishte pak e vështirë të rrinim me maskë".

"Kemi frikë nga COVID-i, por do mbrohemi. Është pak e vështirë me maska", thanë disa prej tyre.

Fatkeqësisht, teksa fëmijët kanë respektuar me kujdes çdo masë të marrë brenda oborrit të shkollës, jashtë saj prindërit janë treguar të pakujdesshëm. Pa maska dhe pa respektuar distancën kanë pritur në dyert e jashtme të shkollës, sikur COVID-i të mos kishte ekzistuar kurrë, duke rrezikuar veten e tyre dhe të fëmijëve.   Disa prej tyre shprehin rezerva për masat e marra nga Ministria e Arsimit.

"Jemi të frikësuar se është edhe klasë të parë dhe nuk di të mbrohet".

"Për klasat e parë nuk është normale se përqafimet një fëmijë të vogël nuk ia ndalon dot. Në orët e mësimit ka distancë, jemi pak të fiksuar se nuk është vetëm në shtetin, tonë por është në të gjithë globin. Masa nuk ka fare, se nuk ka as letra të lagura e as dezifektantë. Asnjë përgjegjësi nga shteti", shprehen disa nga prindërit.

Nuk munguan problematike të ndryshme. Në Korçë, në disa shkolla munguan termometrat, edhe pre kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo premtoi se do gjendej shpejt një zgjidhje, në Durrës 32 shkolla nuk hapën dyert se ishin të dëmtuara nga tërmeti, në Pezë të Vogël u bojkotua mësimi. Kjo godinë është dëmtuar nga tërmeti, fëmijët janë transportuar në një shkollë tjetër, por për prindërit është shfaqur problem transporti. Një tjetër problematik, ishte trafiku, kryesisht në Tiranë.

Rreth 480 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisën sot vitin e ri shkollor. Në total u angazhuan 30 mijë mësues që do zhvillojnë mësim me disa turne në 1760 shkollat e vendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:04
Apeli i policisë për prindërit: Detyrim ligjor të respektoni masat! Shmangni grumbullimin në shkolla (VIDEO)

Drejtori i Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Xhovalin Loka, në një deklaratë për mediat u bëri thirrje prindërve të shmangin grumbullimet jashtë ambjenteve të shkollave dhe në të njëjtën kohë njoftoi se do të ketë prani të patrullave të policisë për mbarëvajtjen e rregullave Antikovid

“Në të gjitha ambientet e jashtme të shkollave do të ketë prani të patrullave të policisë. Prezenca e policisë nuk do të jetë vetëm për ruajtjen e sigurisë, por dhe për mbarëvajtjen e rregullave. Prindërit kanë detyrim ligjor, pavarësisht se do të shoqërojnë fëmijët në shkolla, duhet të respektojnë distancimin social”, tha Loka.

Ora 12:40
Fëmijët të emocionuar: Respektuam të gjitha rregullat! Shkolla shkoi shumë mirë (VIDEO)

Të gëzuar dhe të emocionuar që kanë nisur shkollës, pas disa muajsh shkëputje. Gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku ka marrë emocionet e fëmijëve, teksa nuk kanë nguruar që të japin një urim edhe për moshatarët e tyre.

"Jam në klasë të dytë. Do t'i them që shkolla është shumë e mirë".

"Shumë mirë shkoi shkolla, maskën ma ka zgjedhur mami. U respektuan rregullat, ishte pak e vështirë të rrinim me maskë. Bëmë abetare në orën e parë. Suksese", shprehen fëmijët.

Ora 11:54
Viti i ri shkollor nis normalisht në Gjirokastër, Vlorë, Lushnje e Fier...fëmijët me maska ruajnë distancën në oborret e shkollës (VIDEO)

Viti i ri shkollor ka nisur normalisht në Gjirokastër, Vlorë, Lushnje e Fier. Me maska në fytyrë dhe distancë nga njëri- tjetri janë ulur në bankat e shkollës, në një vit shkollor i cili nuk është aspak i zakonshëm.

Ora 11:02
'Çmenduri' te shkolla '1 Maji...prindër e fëmijë të grumbulluar sikur të mos ekzistonte COVID (VIDEO-FOTO)

Në shkollën '1 Maji' në Tiranë duket sikur COVID-i nuk ekziston dhe as s'ka ekzistuar asnjëherë. Prindër e fëmijë po qëndrojnë të grumbulluar, një panoramë e njëjtë me vitet e kaluara, edhe pse atëherë vendi s'ka qenë në kohë pandemie.

Ora 10:45
Shkollat në Durrës mes pandemisë e tërmetit/ 32 godina të mbyllura! 1777 nxënës ulen për herë të parë në banka (VIDEO)

Në Durrës viti i ri shkollor ka nisur më një sfidë të dyfishtë! Përveç pandemisë, Durrësi është një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, e për pasojë mësimi do të zhvillohet në disa turne.

Konkretisht 5 shkolla do të mësojnë me 1 turn sepse i plotësojnë të gjitha standartet. Në to mësojnë 1644 nxënës. 6 shkolla do të zhvillojnë mësim me 2 turne, por mund t'i zhvillojnë orët e plota sepse përdoren nga 1 shkollë. Në to mësojnë 1918 nxënës.

33 shkolla do të zhvillojnë mësim me 2 turne sepse do të përdoren nga 2 shkolla, ku marrin mësim 16.828 nxënës. 2 shkolla do të përdoren me 3 turn për shkak se kanë 1029 nxënës. Në 8 shkolla mësimi do të zhvillohet me 4 turne, ku mësojnë 3735 nxënës.

24 624 nxënës do të ulen këtë të hënë në bankat e shkolla, 1777 prej tyre për herë të parë. 33 shkolla kanë hapur dyert për të mirëpritur nxënësit, teksa 32 shkolla të tjera janë në proces ndërtimi.

Ora 10:35
Viti i ri nis me problematika/ Mungesë termometrash në disa shkolla në Korçë! Filo: Do zgjidhet shpejt! (VIDEO)

Bashkia e Korçës nuk i ka marrë të gjitha masat për nisjen e vitit të ri shkollor. Report Tv mëson se në disa shkolla ka mungesë termometrash, i cili është i detyrueshëm. Sipas kryetarit të Bashkisë, Sotiraq Filo, ky problem do të zgjidhet shumë shpejt. Në qytetin e Korçës 58 shkolla kanë hapur dyert për 7900 nxënës, 600 prej të cilëve janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës.

"Sot është një ditë e veçantë dhe e rëndësishme për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Dua t'i uroj duke filluar ata të klasës së parë dhe deri në maturë, uroj një vit të mbarë dhe të marrin sa më shumë dije. nxit mësuesit që të kryejnë sa më mirë misionin e tyre. ky është një vit shkollor i veçantë. Janë masa që merren që nga pushteti vendor, ka detyrime për nxënësit dhe mësuesit. I ftoj të gjithë të respektojnë masat dhe të bëjnë maksimumin që të respektojnë protokollin, për të ruajtur shëndetin e familjeve tona. Asnjë nga aktorët nuk e bëjnë dot vetë. Ne jemi duke inspektuar fillimin e vitit shkollor këtë ditë të parë për të evidentuar të gjitha problematikat. Në bashkëpunim me UNICEF kemi termometra me kopshte dhe çerdhe, por dhe në ato shkolla që janë kopshtet. Gjithashtu termometrat janë siguruar edhe për shkollat e mesme ndërkohë që bashkia Korçë është në procedurën e zgjidhjes edhe për shkollat e tjera që nuk janë të pajisura. Është një gjë që do të zgjidhet shumë shpejt, po monitorohet situata për ta përmbushur edhe këtë detyrim", tha Filo.

Ora 10:06
Respektimi i masave Anti- COVID në shkolla, prindërit në Lezhë të ndarë në 2 pjesë (VIDEO)

Pas një ndërprerje të gjatë, nxënësit në Lezhë u rikthyen këtë të hënë në bankat e shkollës. Institucionet arsimore hapën dyert për nxënësit konform protokolleve të përcaktuara për mbrojtjen ndaj koronavirusit. Në hyrje të ambienteve shkollore është vendosur një personal i posaçëm për të mos lejuar nxënësit që të hynë në mënyre të grupuar, por sërish janë vene re grumbullime dhe mos respektim i distancimit fizik.

Duke qenë se jemi në kushte pandemia pjesa më e madhe e prindërve shprehen të kënaqur me masat e marra, por ka dhe prej atyre që janë skeptik.

"Shumë normale dhe orët e mësimit, për aq kohë s është pandemi. Jemi të frikësuar se është edhe klasë të parë dhe nuk di të mbrohet"

Për klasat e parë nuk është normale se përqafimet një fëmijë të vogël nuk ia ndalon dot. Në orët e mësimit ka distancë, jemi pak të fiksuar se nuk është vetëm në shtetin, tonë por është në të gjithë globin. Masa nuk ka fare, se nuk ka as letra të lagura e as dezifektantë. Asnjë përgjegjësi nga shteti.

"Orët e mësimit pak të shkurtra, por besoj se janë normale".  

InshAllah do Zoti kalon mirë, do përshtatemi. Në gjendje të jashtëzakonshme, do merren masa të jashtëzakonshme. Do bëjmë si do bëjmë", shprehen disa nga prindërit.

Në një pjesë të konsiderueshme të shkollave të Bashkisë Lezhë procesi mësimor do të zhvillohet me dy turne, pasi numri i nxënësve në klasa i kalon mbi 20.

Ora 09:48
Gjyshja në Berat: Sot sollëm fëmijën në shkollë, të shohim çdo bëhet! 552 nxënës ulen për herë të parë në banka (VIDEO)

Viti i ri shkollor në Berat ka nisur me një pasiguri për prindërit. Dita e sotme, përveç emocioneve, është edhe si një "provë" për ta për të parë se si do të funksionojnë shkollat në kohë pandemie. Një nga gjyshërit, thotë se e ka pajisur fëmijën me maskë e dezifektantë, por mbetet për t'u parë se si do të shkojnë shifrat e COVID-it.

"Sot i sollëm, nuk e di se çdo bëhet. Të shikojmë, i kemi pajisur me maska dhe dezifektues", thotë një nga prindërit.

33  kanë hapur dyert për nxënësit, të cilët duhet të ruajnë distancën dhe të jenë të pajisur me maska. 552 nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës, të cilët ndryshe nga herët e tjera do duhet të mbajnë distancë nga shoku i klasës. Mësimi nis në orën 08:00 për turnin e parë dhe do të mbyllet në orën 15:00, atëherë kur e mbyll dhe turni i dytë.

Ora 09:28
Dita e parë e shkollës nëpërmjet fotove/ COVID-i 'nuk thyen' traditën! Fëmijët me buqeta në duar...me maska e distancë nga shokët e klasës

Koronavirusi nuk ka thyer traditën e përvitshme! Fëmijët në duart e tyre të vogla mbajnë në duar buqeta me lule, teksa kësaj radhe veshjeve tyre të bukura dhe të reja i është shtuar si aksesor edhe maska. 

Ora 09:12
Fëmijët në Kukës të gëzuar: Na kishte marrë malli për shokët! Vështirë të flasim me maska, por do përpiqemi (VIDEO)

Me formularin e vetëdeklarimit në duar, për të cilën për shkak të moshës së vogël, nuk e di se çfarë është në të vërtetë, kjo nxënëse është ulur në bankat e shkollës. Fëmijët në Kukës shprehen të gëzuar që nisi shkolla pasi i kishte marrë malli për shokët dhe mësuesit, teksa thonë se kanë pak vështirësi të flasin me maska, por do ia dalin. Sa i përket formularit të Ministrisë së Arsimit, disa e kanë me vete, të tjerë nuk kanë qenë në dijeni.

"Unë jam shumë e lumtur që po filloj vitin shkollor. Dua të takoj shumë mësuesit dhe shokët e klasës, jam shumë e lumtur që nisi shkolla. Do t'i zbatoj të gjitha rregullat dhe higjienën"

"Jam shumë i ëxuar se do takoj mësuesit dhe shokët. Nuk do e kem të vështirë të zbatoj masat. Po e kam plotësuar formularit".

"Ndiehmi ndryshe se nuk ekemi përjetuar asnjëherë këtë gjë, mendoj se do jetë më mirë online. Nuk e kam plotësuar akoma formularin, por do e plotësoj dhe do ia japim mësuesit. Do jetë pak e vështirë të flasim me maska, por do përpiqemi".

"Formularin akoma nuk na e kanë dhënë, jemi të gëzuar që do të takojmë shokët. Kemi frikë nga COVID-i, por do mbrohemi. Është pak e vështirë me maska", tregojnë disa nga fëmijët.

Ora 08:42
Viti i ri shkollor/ Policia masa të shtuara! Efektiv prezentë në nisje të mësimit e ndërrimit të turneve, komunikim me mësuesit

Me nisjen e vitit të ri, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara për rendin dhe sigurinë. Në shkolla e ambientet përreth prezencë e shtuar efektivësh në nisje të mësimit e ndërrimit të turneve, të cilët do të ruajnë komunikime me stafin pedagogjik.

1600065847_policet.jpg

Masat e marra nga policia
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020-2021, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash, për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë rrugore për nxënësit që kanë shkollat buzë rrugëve apo që kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Në këtë kuadër, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, strukturat vendore të Policisë kanë hartuar Planet e Masave me detyra konkrete për Patrullat e Përgjithshme, Policinë kriminale, Policinë Rrugore dhe për ndihmësspecialistët e zonave, duke përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e Policisë me shërbim pranë shkollave, por edhe duke monitoruar zbatimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Në të gjitha shkollat e vendit dhe përreth ambienteve të tyre do ketë prezencë të shtuar të Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo përreth tyre.

Patrullat e Përgjithshme, ndihmësspecialistët e policimit në komunitet, ndihmësspecialistët e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë prezent në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të procesit mësimor.

 

Nga punonjësit e Policisë është vendosur bashkëpunimi me institucionin e Prefektit, drejtuesit e institucioneve arsimore, ato të qeverisjes vendore etj, duke përcaktuar masa dhe detyra të përbashkëta, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë publike në ambientet shkollore, për:

Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave;

Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve;

Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete sende të kundërligjshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë.

Specialistët për krimet dhe ndihmësspecialistët e policimit në komunitet (SPZ), sidomos funksioni që ka drejtimin e punës me të rinjtë, nxënësit dhe me shkollat, do të marrin pjesë në takimet që zhvillohen në shkolla, si në bordin e prindërve, senatin e nxënësve, duke diskutuar dhe trajtuar problemet apo shqetësimet që lidhen me sigurinë në këto institucione.

Policia e Shtetit siguron nxënësit dhe prindërit, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe ato të shkollave, se do të jetë e gatshme në çdo kohë lidhur me vlerësimin dhe realizimin e masave të sigurisë në shkolla dhe të monitorimit të masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Ata do të gjejnë tek punonjësit e Policisë, partnerë bashkëpunues e seriozë, por njëherësh kërkojmë edhe bashkëpunimin e tyre, për të bërë prezent tek strukturat policore çdo shqetësim dhe problematikë që mund të kenë.

Policia e Shtetit uron nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, suksese në këtë vit shkollor dhe fton cilindo që të denoncojë çdo shkelje apo paligjshmëri në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital.

Ora 08:27
Lushnja si Tirana/ Fëmijët ruajnë distancën në oborrin e shkollës, prindërit s'respektojnë rregullat (VIDEO)

Në qytetin e Lushnjes mësimi ka nisur normalisht në 47 shkolla dhe për 8600 nxënës! "Normalisht" në kohë pandemie, ku nxënësit zbatojnë protokollin duke mbajtur distancë, e cila mbikëqyret nga stafi mësimor. Të gjithë fëmijët mbajnë maska dhe u matet temperatura në hyrje të shkollës. Ato do të zhvillojnë mësim me turne, të cilat janë përcaktuar më herët nga mësuesit dhe iu është komunikuar me anë të grupeve që janë hapur në rrjetet sociale. Njëjtë edhe si në kryeqytet, distanca ruhet nga fëmijët brenda oborrit, por jo nga prindërit jashtë saj.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja