Provimi i detyruar i gjuhës së huaj nuk do të mund të jepet nga maturantët, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014 dhe janë ende të pa pajisur me diplomë.
Ndonëse këtë vit shkollor është përcaktuar se gjuha e huaj do të jetë e detyrueshme për të gjithë maturantët, në manualin e maturantit përcaktohet se kjo kategori përjashtohet. Ndërsa të gjithë maturantët e tjerë duhet të japin pesë provime, ku tre prej tyre janë të detyruar dhe dy të tjerë me zgjedhje. Përsa i përket gjuhës së huaj, maturantët do t'i nënshtrohen provimit në atë gjuhë të cilën e kanë kryesore.
"Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie ose Diplomë, nuk e japin gjuhën e huaj si provim të detyruar. Ndërkohë, pasi kanë fituar provimet e Maturës, marrin Diplomë dhe Certifikatë të Maturës Shtetërore", përcaktohet në Manualin e Maturës Shtetërore për vitin shkollor 2014-2015. Që maturantët të quhen kalues, duhet të marrin më shumë se 20 për qind të pikëve në provim. Nga ana tjetër, në provim mund të marrin pjesë nxënësit të cilët kanë përfunduar me sukses vitin e fundit shkollor dhe kanë plotësuar formularin A1.
Provimet e matures mund t'i japë kandidati që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme, ka marrë dëftesë pjekurie ose diplomë të maturës shtetërore dhe ka plotësuar formularin A1Z, pra e ka të detyrueshme të japë provime me zgjedhje. Në manual theksohet edhe një tjetër pikë që lidhet me mundësinë që u jepet maturantëve që kanë përfunduar studimet jashtë për të vazhduar në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.
Ata, për të kryer njëvlershmërinë e arsimit të mesëm të lartë, paraqesin pranë Komisionit të Posaçëm në MAS deri më 15 prill 2015 disa dokumente si, kërkesë aplikimi për njëvlershmëri diplome të shkollës së mesme, fotokopjen e dokumentit të identifikimit, fotokopjen e diplomës së shkollës së mesme, të përkthyer dhe të noterizuar, dokumentin që vërteton dhënien e provimeve të barasvlershme me Maturën, nënvizohet në manual. /atsh/