Pas përfundimit të testit të Matematikës, maturantët u shprehën se hasën vështirësi në zgjidhjen e tezës dhe shumë gjëra nuk i kishin bërë duke marrë parasysh që viti shkollor ka funksionuar më së shumti online për shkak të pandemisë. Kjo ka bërë që Qendra e Shërbimeve Arsimore të dalë në një deklaratë për mediat dhe të shprehet qartësisht se teza e provimit nuk kishte asnjë gjë jashtë programit mësimor, ishte e nivelit mesatar dhe se nxënësit e mirë nuk kanë pasur asnjë vështirësi.
Përfaqësuesja e QSHA shtoi se nxënësit që kanë shkuara me mendjen ‘se do kopjojnë’ ndoshta kanë haur dhe vështirësitë më të mëdha.
“Nxënësit e mirë nuk kanë pasur vështirësi. Pjesën tjetër mund ta zgjidhnin me studim shenje, me grafik apo pikë provë. Nga korrigjimi do shohim se si kanë reaguar në këto teste. Pyetja me ekuacionin e drejtëzës ka ushtrime të tilla pa fund. Teza është e nivelit mesatar, nuk ka asgjë jashtë programit. S’ka asnjë gabim shkencor. Sa i përket asaj që thonë; e përkthyer. Tekstet janë të përkthyera. Polinomet janë ato që janë, nuk është çështje kopjimi dhe nuk janë të nivelit të Cambridge. Pasi kanë parë skemën e provimit do jenë qetësuar. Pastaj nxënës që kanë hyrë me mendimin që ‘unë do kopjoj’, është gjë tjetër gjë kjo. Aty ka pasur ushtrime të nivelit edhe për nxënësit mesatar”, tha përfaqësuesja e QSHA-së.
Ndërkohë, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi tha se do të shihen të gjitha pyetjet dhe do të bëhet një analizë në bazë të rezultatit të nxënësve dhe nëse shikohet se pyetjet kanë kaluar pritshmëritë tona do të vendosët nëse do të quhet apo jo si pikë. Kjo tha Rezana Vrapi vlen për të gjitha testet për maturantët dhe jo vetë për atë të matematikës.
“Ne kemi një praktikë që nëse në fund të korrigjimit, kur të mbledhim rezultatet, pa u shpallur ato, ne bëjmë verifikim të testit. Nëse na rezulton që në pyetje mund të ketë kaluar pritshmëritë tona, atë herë në këto momente do të bëjmë verifikimin e saj dhe do të shohim vendimin nëse do ju jepet si pikë. Kjo është për të gjitha lëndët, edhe për ato me zgjedhje. Nëse identifikojmë një pyetje të tillë, s’do të penalizojmë asnjë nga maturantët. Ne nuk themi se; ‘kjo do të jetë detyrimisht kështu!’, tha Vrapi.