TIRANË- Ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në seancën gjyqësore të kësaj të enjteje në GJKKO, nuk iu desh të rrinte i mbyllur në kafazin e xhamtë. Ai bëhet i pari i pandehur që i rëndon një masë sigurie ‘arrest me burg’ që gjyqin e ndoqi krah avokatit të tij dhe i paprangosur.

Kërkesa për t’u gjykuar jashtë kafazit iu pranua nga gjykata disa javë më parë, ndryshe nga shumë të pandehur të tjerë, të cilëve GJKKO ia ka mohuar. Dy punonjës policie qëndruan gjatë gjithë kohës në sallë për të garantuar sigurinë.

Seanca për dosjen e sterilizimit vijoi normalisht, ndërsa ish ministri dhe avokati i tij kërkesën kryesore kanë pushimin e çështjes. Fakti që akuzën ndaj tij e ka kërkuar gjykata në seancë paraprake dhe jo prokuroria për Beqajn është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe për këtë arsye procesi nuk mund të qëndrojë.

“Gjykata nuk mund të jetë burim i akuzës. Beqaj nuk mund te gjykohet për akuzat e reja pasi nuk ekziston një akt i shkruar”, tha avokati i tij.

“Një gjë është e qartë që akuza ndaj meje nuk është bindja e prokurorit”, tha Beqaj.

Për “Sterilizimin” ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal. Prokuroria e kishte çuar për gjykim çështjen vetëm për shpërdorim detyre. Nga ana tjetër 8 të pandehurit e tjerë, përfshirë ish-zv/ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, janë dënuar në proces më vete me gjykim të shkurtuar dhe të dyve të fundit u është rrëzuar nga gjykata akuza e grupit të strukturuar kriminal. Pra Beqaj mbetet vetëm në “grup kriminal”.

Nëse togat e zeza e rrëzojnë kërkesën për pushim tha Beqaj atëherë çështja duhet t’i shkojë për interpretim Gjykatës Kushtetuese për nenin që i lejon gjykatës të shqyrtojë akuza të formuluara prej saj.

Më tej, Beqaj, përmes mbrojtjes së tij, paraqiti një paketë kërkesash paraprake, duke kërkuar që gjykata të shprehet për to përpara hapjes së shqyrtimit gjyqësor. Plot 16 kërkesa, duke filluar nga ligjshmëria e hetimeve, vlefshmëria e akteve procedurale dhe përdorshmëria e provave etj.

Për të gjitha këto kërkesa, Beqaj tha se këto nuk janë thjesht mangësi formale, por cenime që prekin vetë ekzistencën e një akuze të vlefshme, ligjshmërinë e hetimeve dhe të drejtën për një proces të rregullt.

Në qëndrimin e tij, ish ministri theksoi se nuk kërkon t’i shmanget drejtësisë përmes procedurës, teksa deklaroi gjithashtu se është i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe se është i gatshëm të përballet me çdo akuzë, për çdo qindarkë dëm të pretenduar, në çfarëdolloj forme, ndaj shtetit shqiptar.

Duke marrë parasysh volumin e kërkesave, Trupa gjykuese e përbërë nga kryesuesja Rudina Palloi dhe gjyqtarët Irena Gjoka dhe Erion Çela, vendosi ndërprerjen e seancës dhe vijimin e saj më 9 qershor.

Ilir Beqaj për dosjen e sterilizimit po gjykohet pa masë sigurie, ndërsa ‘arresti me burg’  ndaj tij rëndon për dosjen tjetër, atë të SASPAC.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë