TIRANË- Në GJKKO po mbahet seanca e radhës për gjyqin e Sterilizimit, ku për herë të parë ish-ministri Ilir Beqaj nuk qëndron në kafaz, por është ulur krah avokatit të tij Ermal Yzeiraj. Ky i fundit kërkoi pushimin e çështjes për sa kohë akuza ndaj Beqajt që përfshin edhe grupin e strukturuar kriminal, e sugjeruar nga gjyqtarja në seancë paraprake, nuk është zyrtarizuar nga SPAK, të cilët fillimisht e çuan për shpërdorim detyre. Kjo sipas mbrojtjes ka cenuar të drejtën për mbrojtje efektive.
Në rast se pushimi i çështjes nuk pranohet, mbrojtja parashtroi një tjetër kërkesë, që çështja të pezullohet dhe të dërgohet në Kushtetuese për kontroll incidental pasi sipas mbrojtjes është gjykata që ka ngritur akuzën e jo prokuroria.
“Kërkesa jonë e parë për pushimin e çështjes, se akuza nuk është ngritur nga prokuroria, ose të pezullohet gjykimi e të çohet çështja në Kushtetuese për kontroll incidental lidhur me faktin se gjykata ka ngritur akuzën e jo prokuroria. Gjykata në seancën paraprake konkludoi vepra të tjera penale, kurse prokuroria nuk ka nxjerrë akt të shkruar për ndryshimin e veprave penale. Nëse prokurori nuk vepron, gjykata të kryejë aktet e prokuroria të formësojë akuzën. Vlerësojmë se gjykata nuk mund të jetë burimi i akuzës. Kodi i Procedurës Penale ia njeh ekskluzivisht prokurorisë ngritjen e akuzës. Gjykata në këtë rast është në rolin e organit që jo vetëm gjykon, por edhe akuzon. Është cenuar e drejta e Beqajt sepse ai nuk ka marrë asnjë akt për akuzën nga prokuroria.
Çështja pushohet kur personi nuk mund të merret si i pandehur për akuza që nuk janë formësuar nga prokuroria. Në alternativë, ne mendojmë se jemi në kushtet e mundësisë që gjykata të kërkojë kontrollin incidental, për të konkluduar Gjykata Kushtetuese nëse gjykata mund të ngrejë akuzën dhe të shfuqizohet neni që i njeh të drejtën prokurorisë për akuzën”, tha avokati.
Më pas fjalën e mori vetë Ilir Beqaj, i cili deklaroi se procesi ndaj tij është zhvilluar në shkelje të një procesi të rregullt ligjor dhe në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Beqaj tha se akuza ndaj tij nuk është bindja e prokurorit.
“Ju falënderoj që më keni dhënë mundësinë të njihem me dosjen. Një gjë është e qartë: akuza ndaj meje nuk është bindja e prokurorit. Çdokush ka të drejtë për një proces të rregullt ligjor. Unë jam përballur me të kundërtën, me një proces nga parregullsia në parregullsi”, u shpreh Beqaj.
Gjatë parashtrimit të kërkesave, Beqaj renditi disa pretendime që sipas tij kanë cenuar të drejtën për mbrojtje efektive gjatë hetimit. Ai deklaroi se SPAK i ka kufizuar aksesin në dosje me pagesë dhe se vetëm një muaj pas komunikimit të akuzës është urdhëruar nga gjykata që t’i vihej në dispozicion dosja hetimore.
“Ne kemi pasur mundësi të shikonim 2% të dosjes hetimore dhe këto kanë cenuar mbrojtjen efektive. Një i pandehur nuk duhet të detyrohet me shtrëngesë financiare për t’u njohur me akuzën. Ajo që dua të them dhe pse në plan të parë s’ka lidhje me këtë moment procedural. Kjo barrierë financiare krejtësisht e paligjshme”, tha Beqaj.
Ai ngriti gjithashtu pretendime për mospraninë e Avokaturës së Shtetit në proces, duke argumentuar se në një çështje për shpërdorim detyre dhe vjedhje, institucioni duhet të ishte pjesë për të konstatuar dëmin ekonomik të pretenduar.
“Drejtuesi i prokurorisë duhet të njoftojë Avokaturën e Shtetit brenda disa ditësh që të konstatojë dëmin. Por s’e ka bërë as sot e kësaj dite. Pretendimi se nuk e kërkon Kodi i Procedurës Penale nuk qëndron. Kërkojmë të jetë pjesë Avokatura e Shtetit”, theksoi Beqaj.
Kërkesën për pushimin e çështjes e bazoi edhe tek kallëzimi i bërë nga “Nisma Thurje”, të cilin Beqaj e cilësoi të pambështetur në prova konkrete dhe të bazuar në supozime e pretendime politike. Sipas tij, SPAK nuk ka kryer verifikime paraprake, por ka regjistruar menjëherë procedimin penal.
“Hetimi nuk mund të bëhet pa pasur dyshime të arsyeshme. Kallëzimi nuk përmban elementët kryesorë, por hipoteza, pyetje dhe shqetësime. Formulimet janë hipoteza. Por SPAK nuk e refuzoi por e regjistroi menjëherë për verifikime paraprake. Nisma Thurje s’ka bërë asnjë verifikim por i drejton SPAK pyetje tre ditë pasi u krijua SPAK”, argumentoi Beqaj, duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të regjistrimit penal dhe pushimin e gjykimit.
Ish-ministri pretendoi gjithashtu se për vite me radhë është hetuar pa iu regjistruar emri zyrtarisht, me qëllim shmangien e afateve procedurale.
Në dosjen e njohur si “Sterilizimi” ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal. 8 të pandehurit e tjerë, përfshirë ish-zv/ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, janë dënuar në proces më vete me gjykim të shkurtuar dhe të dyve i është rrëzuar nga gjykata akuza e grupit të strukturuar kriminal.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim....
Komente











