Është zhvilluar në Londër samiti i radhës i Procesit të Berlinit, i cili ka mbledhur 6 liderët e Ballkanit Perëndimor. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në kryeqytetin britanik që prej ditës së djeshme, ku ka marrë pjesë edhe në disa forurime të rëndësishme. 

Ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Liderët e dy vendeve shqiptare ndanë të njëjtën tryezë pas polemikave të fundit në distancë për tubimin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Tiranë dhe qëndrimet për Gjykatën Speciale të Hagës.

Para samitit, liderët e Ballkanit Perëndimor janë pritur nga mbreti Charles III, bashkë me kryeministrin Rama dhe Kurtin. Samiti i këtij viti fokusohet në çështjet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe migrimit, ndërsa udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan deklarata të përbashkëta për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin energjetik.

Procesi i Berlinit, i cili u iniciua nga qeveria gjermane në vitin 2014, është një platformë ndërkombëtare që bashkon qeveritë e të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë evropianë. Qëllimi i tij është të rrisë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë përpjekjet e tij për një afrim më të ngushtë evropian në Ballkanin Perëndimor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:28
Fotoja familjare nga Samiti i Procesit të Berlinit i mbajtur në Londër (VIDEO)

 

Në përfundim të Samitit të Procesit të Berlinit, liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ata europianë bënë foton familjare.

Ora 13:57
Takimi i Ramës me mbretin Charles, kryeministri publikon videon

 

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video nga takimi me mbretin Charles III në në Pallatin St. James, Londër.

Kreu i qeverisë shihet duke biseduar në mënyrë miqësore me Mbretin, teksa i pranishëm është edhe kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer.

Rama ndodhet në Londër në kuadër të Samitit të Berlinit i cili këtë vit pritet të fokusohet në çështjet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe migrimit,

Ora 09:50
Rama takim me mbretin Charles, FOTOT nga pritja për liderët e Ballkanit Perëndimor

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ndodhen në Londër, ku do të mbahet samiti i Procesit të Berlinit për të biseduar mbi migracionin, sigurinë dhe rritjen ekonomike. Liderët e Ballkanit Perëndimor janë pritur mbrëmjen e djeshme nga mbreti Charles III i Britanisë së Madhe.

Pritje për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor është organizuar në pallatin St James, ndërsa në fotot e publikuara nga mediat e huaja, dallohet edhe kryeministri Rama teksa i jep dorën mbretit Charles.

Në takim ka marrë pjesë edhe Albin Kurti, si edhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor bashkë me kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili në foto dallohet teksa flet me kryeministrin e Serbisë, Duro Macut.