Administratori i deleguar i Juventusit, Damien Comolli, ka folur hapur për sezonin zhgënjyes të bardhezinjve, duke pranuar se moskualifikimi në Champions League përbën një dështim të madh për klubin torinez.
Në takimin informal të fundsezonit, Comolli deklaroi se humbja e vendit në 'top 4-she' ka sjellë pasoja të rënda sportive dhe financiare për Juventusin, që pritet të humbasë rreth 70-80 milionë euro nga mungesa në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube.
“Na dhemb shumë që nuk arritëm objektivin. E kishim Championsin në dorë pas fitores me Leccen, por humbja ndaj Fiorentinës na kushtoi gjithçka. Marr të gjithë përgjegjësinë për këtë dështim”, u shpreh Comolli.
Drejtuesi francez theksoi se klubi nuk do të ulë ambiciet dhe se puna për rindërtimin ka nisur tashmë, sidomos në sektorët e skautimit dhe organizimit sportiv.
Ai konfirmoi gjithashtu mbështetjen totale për trajnerin Luciano Spalletti, duke mohuar zërat për tensione mes tyre.
“Kam besim të plotë te Spalletti. E zgjodha unë dhe jam ende 100% i bindur se është njeriu i duhur për ta rikthyer Juventusin në nivelet më të larta”, deklaroi Comolli.
Një nga temat më të diskutuara ishte edhe e ardhmja e talentit turk Kenan Yıldız. CEO i Juventusit e bëri të qartë se lojtari nuk do të largohet.
“Yildiz është e tashmja dhe e ardhmja e Juventusit. Ai e do këtë klub dhe dëshiron të luftojë për ta rikthyer aty ku i takon”, shtoi ai.
Sa i përket aspektit ekonomik, Comolli siguroi se klubi nuk do të ketë nevojë për rikapitalizim dhe synon të arrijë balancën financiare brenda sezonit 2027-28.
Në fund, drejtuesi bardhezi foli edhe për objektivat sportive të sezonit të ardhshëm, duke pranuar se gara për titullin mbetet e vështirë, ndërsa Europa League do të jetë një objektiv serioz për Juventusin.
Komente







