Pas një ankese të një qytetari, Policia Bashkiake e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ka konstatuar një rast të depozitimit të paligjshëm të mbetjeve inerte në hapësirë publike.

Gjatë verifikimeve në terren, u identifikuan personat përgjegjës për këtë shkelje, të cilët u ndëshkuan administrativisht, ndërsa materialet procedurale u referuan pranë organeve kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.

Në lidhje me këtë aksion, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, u shpreh se Policia Bashkiake vijon të kryejë me përkushtim detyrën për kontrollin e territorit.

“Policia Bashkiake Tiranë vazhdon të jetë në lartësinë e detyrës që i është besuar për kontrollin e territorit. Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje për çdo ndërtues apo kompani që të respektojë ligjin dhe të mos e shkelë atë. Bashkia e Tiranës monitoron në mënyrë të vazhdueshme territorin dhe ka nën vëzhgim çdo kantier ndërtimi,” deklaroi Sulaj.

Bashkia e Tiranës njofton se do të vijojë kontrollet intensive në terren dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të ndotjes së mjedisit apo shkeljes së ligjit në hapësirat publike.