TIRANE- Ndonëse kanë kaluar më shumë se 19 muaj nga shkresa zyrtare që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i ka dërguar Presidentit Bujar Nishani, edhe në cilësinë e kryetarit të KLD, asnjë gjyqtar nuk është shkarkuar si dhe asnjë hetim nuk ka nisur. Shkresa e Tahirit e datës 18 prill 2014, e botuar nga “Shqiptarja.com” flet për plot 65 raste gjyqësore ku është shkelur hapur ligji dhe janë favorizuar të pandehurit.

Thuajse në të njëjtën kohë edhe ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Nasip Naço ngriti shqetësimin përpara komisionit të ligjeve për shkeljet ligjore të gjyqtarëve, ndërsa pas disa inspektimeve të punës së gjyqtarëve i kërkoi KLD-së nisjen e procedimeve për të paktën 7 gjyqtarë, mes të cilëve edhe gjyqtarin Gjin Gjoni, për të cilin nuk u zbardh asnjëherë burimi i pasurisë prej më shumë se 2 milionë euro.

Asnjë prej kërkesave, qoftë nga Ministria e Drejtësisë apo ajo e Brendshme, nuk është marrë në shqyrtim nga KLD dhe asnjë procedim ligjor nuk ka nisur për gjyqtarët e kapur me shkelje. Jo pa qëllim, në kuadër të reformës në drejtësi, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu foli për gjyqtarë të korruptuar, të cilët i fshihen reformës. Ndërsa edhe më e drejtpërdrejtë ishte ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin e cila në fillim të kësaj jave kërkoi hetimin e pasurive të gjyqtarëve me argumentin se paga e tyre mujore nuk është më shumë se 1500 euro, ndërsa pasuritë llogariten në qindra milionë. Në një kohë kur sistemi i drejtësisë nuk ka asnjë besueshmëri, por përkundrazi cilësohet si “vatër” korrupsioni, lipset gjithnjë e më tepër si domosdoshmëri zbatimi i reformës fillimisht në gjyqësor.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)