Me rritjen e ndjeshme të fluksit të turistëve dhe automjeteve gjatë sezonit veror, Policia Rrugore e Shkodrës ka hartuar një plan të posaçëm masash për të garantuar sigurinë në akset kryesore të qarkut dhe për të parandaluar bllokimet e trafikut. Sipas Shefit të Sektorit të Policisë Rrugore Shkodër, komisar Ermal Zenelaj, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, nga pikat kufitare të qarkut kanë hyrë dhe dalë rreth 2.14 milionë shtetas dhe afro 950 mijë automjete. Mesatarisht, çdo ditë regjistrohen rreth 11 mijë e 800 shtetas dhe 5 mijë e 250 automjete, çka e rendit Shkodrën ndër qarqet me fluksin më të lartë të lëvizjes në vend.
Policia ka identifikuar edhe pikat më problematike ku krijohen ngadalësime të qarkullimit. Për përballimin e situatës janë shtuar patrullimet në terren, janë vendosur shërbime shtesë në akset me fluks të lartë dhe monitorimi po kryhet edhe me mjete inteligjente, përfshirë dronët dhe radarët.
Masat e marra kanë sjellë një përmirësim të treguesve të sigurisë rrugore. Gjatë gjashtëmujorit të parë janë regjistruar 34 aksidente rrugore, nga 55 që ishin në të njëjtën periudhë një vit më parë, ose 21 aksidente më pak. Edhe numri i viktimave ka shënuar ulje të ndjeshme.
Një nga shqetësimet e shtuara së fundmi për policinë është drejtimi i mjeteve nga adoleshentët. Zenelaj u bën apel prindërve të mos i japin makinat fëmijëve që nuk janë pajisur me leje drejtimi.
Drejtuesit e Policisë Rrugore u bëjnë apel qytetarëve dhe turistëve që të respektojnë sinjalistikën, kufizimet e shpejtësisë dhe të shmangin parakalimet e rrezikshme, veçanërisht në segmentet malore dhe ato me ngarkesë të lartë trafiku. Sipas Zenelajt, bashkëpunimi i drejtuesve të mjeteve me Policinë Rrugore mbetet elementi kyç për të garantuar një sezon turistik të sigurt, me sa më pak aksidente dhe me qarkullim normal në të gjithë territorin e qarkut të Shkodrës.
lajm në përditësim...
Komente










