Ishin kohët kur Europa ishte e mbërthyer dhe e sfilitur nga luftërat. Ishin kohët kur skenën e kishte rrëmbyer një gjakatar i çmendur si Adolf Hitler. Por, ashtu siç natyra mendon përherë për të shpikur të kundërtat, në ishullin më ta madh europian, në Britaninë e Madhe jetonte dhe vepronte Winston Churchill. Një politikan që nuk po gjente qetësi, një politikan që kishte parë qartë potencialin e rrezikshëm të një personaliteti shkatërrimtar si Adolf Hitleri.
E braktisur nga Franca, me rënien pa rezistencë të vitit 1940 ndaj forcave gjermane, Britania e Madhe ishte atëherë i vetmi vend i madh europian ende në luftë kundër Gjermanisë naziste; e vetme përballë urisë së tejskajshme të një diktatori që rrallë kishte parë historia njerëzore.
Churchill ishte i bindur se e vetmja ndihmë mund t’i vinte nga Shtetet e Bashkuara. Britania e Madhe kishte nevojë për armë, furnizime të ndryshme dhe ndoshta dhe një ndërhyrje fizike për të eliminuar Hitlerin dhe nazi-fashizmin tragjik në Europë.

Nuk ishte e lehtë. Presidenti Franklin D. Roosevelt kishte ruajtur neutralitetin, i mbante larg SHBA-të nga ajo që po ndodhte në Europë. Por pikërisht këtu nis një nga historitë më të bukura të bashkëpunimit mes dy politikanëve, dy liderëve botërore dhe dy vendeve që do të shndërroheshin shpejt në siguruesit e paqes dhe në garantë të një periudhe pa luftë prej dekadash e dekadash në Europë dhe në SHBA.
Në këtë periudhë Churchill shpreh talentin e tij të rrallë diplomatik dhe njerëzor për të bindur Presidentin amerikan që të ishte në krah në tij. I shkroi mbi 200 letra e telegrame, e lavdëronte publikisht, bëri vizita në SHBA edhe në gjëndje jo të mirë shëndetësore, ja njihte pasionin për marinën detare dhe i bënte shumë dhurata lidhur me këtë argument.
Ja, si shembull, çfarë i shkruante Churchill Franklin D. Roosevelt në një letër të 6 dhjetorit 1940:
I dashur Zoti President,
Lufta po i afrohet një pike kritike. Gjermania vazhdon të rrisë prodhimin e saj ushtarak, dhe ne, megjithëse po rezistojmë me vendosmëri, po përballemi me sfida të mëdha. Jemi mirënjohës për ndihmën që na keni dhënë deri tani, por nevoja jonë për burime të mëtejshme është urgjente.
Nëse Britania e Madhe do të dorëzohet, e gjithë bota perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të përballen me një të ardhme të errët dhe të pasigurt. Ne nuk kërkojmë që të rinjtë amerikanë të vijnë të luftojnë për ne, por kemi nevojë për mjetet me të cilat të mbrojmë kauzën tonë: avionë, anije, municione.
Britania nuk do të dorëzohet. Ne do të vazhdojmë të luftojmë me të gjithë energjinë tonë, por mbështetja juaj mund të bëjë diferencën mes mbijetesës së qytetërimit demokratik dhe rënies së tij.
Me përshëndetjet e mia më të sinqerta,
Winston S. Churchill
Përmes artit të fjalës, këmbënguljes dhe miqësisë Churchill arriti të sigurojë mbështetjen amerikane në disa drejtime:
Përmes Lend-Lease Act (1941): Roosevelt miratoi një ligj që i lejonte Shteteve të Bashkuara të furnizonte me armë dhe materiale të tjera Britaninë e Madhe pa kërkuar pagesa të menjëhershme. Kjo ishte një ndihmë e madhe për forcat britanike.
Përmes Kartës ose Paktit të Atlantikut (1941): Churchill dhe Roosevelt u takuan në mënyrë sekrete në një anije ushtarake dhe firmosën një marrëveshje që përcaktonte objektivat e përbashkëta pas luftës, duke forcuar aleancën. Përfshirjen e SHBA-ve në luftë (1941): Pas sulmit japonez në Pearl Harbor, Shtetet e Bashkuara u futën zyrtarisht në konflikt, duke i garantuar Churchill-it mbështetjen që po kërkonte. Ishte arti dhe pasioni i tejskajshëm i Churchill për ruajtjen e civilizimit dhe të demokracisë që i tregoi botës mbarë se çdo gjë është e mundur kur dëshirohet me të vërtetë. Por sidomos, kur përpjekjet janë për të mbrojtur e jo për të shkatërruar, për jetën dhe jo për vdekjen, për paqen dhe jo për luftën.
Vjen një kohë, kur pasi shfaqet një diktator, pas tij del menjëherë në horizont një “Churchill” këmbëngulës. Europa dhe bota po e kërkon.
a.m./Shqiptarja.comKomente

