Që nga fillimi i fushatës "Shqipëria Buzëqesh" në vendin tonë janë kryer 955, 498 vaksinime anti COVID. Ndërsa në 24 orët e fundit janë kryer 12,059 .
Gjatë ditës së sotme, në orën 08:00 të mëngjesit është hapur dita e parë e vaksinimit anti-COVID, për qytetarët mbi 18-vjeç që kanë dëshirë që të vaksinohen. Vaksinimi i hapur për çdo qytetar vijon sot dhe nesër nga ora 8:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në 20:00 të mbrëmjes.
24,040 vaksina anti-COVID kanë mbërritur në Shqipëri, një ditë më parë, ndërkohë që në total deri më tani në vend kanë ardhur 1,103,690 doza.
Si rezultat i vaksinimit por edhe masave të tjera, transmetueshmëria e virusit COVID-19 në vendin tonë ka rënë, për pasojë çdo ditë numri i rasteve të reja ka ardhur në ulje. Sot është konfirmuar vetëm një qytetar me COVID nga Tiranë nga 3348 teste të kryera, e ndërsa fatmirësisht nuk ka asnjë humbje jete. Nga ana tjetër, janë në total 56 pacientë aktivë me COVID19 në vend, teksa numri i të shëruarve në 24 orë është më i lartë se rastet e reja.