TIRANË- 24,040 vaksina anti-COVID sapo kanë mbërritur në Shqipëri! Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa shton se në total deri më tani në vend kanë ardhur 1,103,690 doza.
“24,040 vaksina anticovid sapo kanë mbërritur në Shqipëri. Në Aeroportin “Nënë Tereza” mbërritën sot 14,040 doza të vaksinës Pfizer, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare si dhe mbështetjes së Bashkimit Europian, ndërsa në mbrëmje mbërritën në IShP edhe 10,000 doza të vaksinës AstraZeneca, mbështetje e Qeverisë së Kroacisë për vendin tonë. 1,103,690 doza vaksine anticovid kanë mbërritur deri tani , teksa nesër nisin dy ditët e vaksinimit të hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç”, shkruan Manastirliu.
Procesi i vaksinimit në vendin tonë vijon me ritme të shpejta, teksa nesër dhe pasnesër do të kenë mundësi që të marrin dozat e para çdo qytetarë mbi 18-vjeç. Nismën që Ministria e Shëndetësisë shpalli të shtunën për vaksinimin e qytetarëve mbi 18 vjeç e kanë mirëpritur mbi 4 mijë qytetarë që deri paraditen e kësaj të hënë kanë aplikuar në e-Albania për t’u bërë pjesë e procesit. Ata do të kenë mundësi të marrin dozat e një prej vaksinave të përdorura në vendin tonë në vetëm 2 ditë të hapura, më 29 dhe 30 qershor.
Në total që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 935.207 vaksinime, teksa objektivi është që të arrihen 1 milion vaksinime të kryera brenda muajit qershor.