Temperaturat e larta të verës sjellin rrezik të rasteve të zjarreve në zonat urbane. Sipas Drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, problematika kryesore lidhet me mbingarkesën e rrjetit elektrik, kryesisht në pallate. Më tepër se situatë zjarri, krijohet panik të qytetarët.
“Kjo vjen nga ngarkesa e energjisë elektrike në objektet shumëkatëshe të banimit. Ngarkesa është shumë e madhe dhe shpesh kemi ngjarje në kasetat elektrike. Duke u djegur matësat elektrikë nxjerrin një sasi të konsiderueshme tymi. Shpesh herë ky tym pushton shkallët dhe sjell panik te qytetarët edhe pse nuk ka zjarr me përmasa”, tha Shkëlqim Goxhaj.
Për Report, drejtori i Zjarrfikëses u bën thirrje qytetarëve të jenë të informuar për mënyrën e reagimit në raste emergjente. Në pallatet shumëkatëshe ku zjarri është në katet e para, tarraca është alternativa kryesore.
“Qytetarët duhet të kenë informacion paraprak të dinë si të reagojnë. Duhet të përdorim daljet në tarraca kur tymi dhe zjarri është i përqendruar në katet e para të objektit. Kryesorja është evakuimi, sinjalizimi i shërbimeve të emergjencës”, shtoi ai.
Një tjetër shqetësim mbetet përdorimi i bombolave të gazit. Për përdorimin e tyre, Goxhaj këshillon ambiente e hapura, si për shtëpitë ashtu edhe për lokalet.
“Bombolat që përdoren për gatim në stinën e verës dhe edhe për ngrohjen në stinën e dimrit duhet të jenë në ambiente të ajrosura. Gjithashtu edhe pajisjet, pra vendi ku përdoren duhet të ketë komunikim me ambient të hapur që gazi mos të përqendrohet”, tha Goxhaj.
Megjithatë, një kategori bombolash që gjithsesi përdoren, duhet të shmangen totalisht në banesa.
“Bombolat portokalli mundësisht mos përdoren fare, sepse këto janë bombola kampingu që shërbejnë për kur qytetari largohet në periferi të qytetit”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, rastet e zjarreve nëpër shtëpi private janë më të lehta për t’u menaxhuar, si nga vetë banorët ashtu edhe policia.
Komente










