Mbledhja e Byrosë/ Enver Hoxha: Partia s’ka për detyrë t’i japë të dhëna Punëtorit Operativ, meqenëse ai është në Sigurim, Partia e urdhëron atë

Mbledhja e Byrosë/ Enver Hoxha: Partia s’ka për detyrë t’i japë të dhëna Punëtorit Operativ, meqenëse ai është në Sigurim, Partia e urdhëron atë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj.

Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.                            

Dokumenti “Tepër sekret” me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 10 shtator 1983, ku diskutua: “Mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj”.

TAKIM DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË MË 10 SHTATOR 1983

Tepër Sekret

Në këtë takim, në të cilin morri pjesë edhe shoku Hekuran Isai, u diskutua fillimisht mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj, për edukimin e tyre me frymë të shëndoshë partie, për nevojën e gjithashtu të gërshetimit me kujdes të kuadrove të vjetra me të reja edhe në organe të tjera, mbi domosdoshmërinë e vendosjes së një pune të partishme në organet e Punëve të Brendshme dhe mbi kujdesin që duhet të bëhet për të dalluar vërejtjet e drejta nga prirjet me qëllime armiqësore, për kujdesin e një pune parandaluese e shëruese me njerëzit në frymë partie, mbi sigurimin e udhëheqjes së Partisë në organet e Punëve të Brendshme, si dhe për strukturën dhe kompetencat në organet e Sigurimit.

SHOKU ENVER HOXHA: Punëtori i Sigurimit, duhet të mësohet se për këtë apo atë njeri që është ngarkuar të ndjekë, të gjejë mjete të shumta për të parë nëse kjo që i është thënë nga rrjeti i vet, vërtetohet në jetë, apo nuk vërtetohet.

Këtë vërtetim, përpara ai nuk e bënte, ose e bënte në mënyrë automatike, vente informonte eprorin, se për këtë njeri dëgjova këtë gjë dhe me kaq e quante detyrën e kryer.

Mua më duket se nuk mund të quhet e kryer detyra e një bashkëpunëtori të Sigurimit, vetëm me një dëgjim nga poshtë. Kuadri i Sigurimit, me metodat dhe punën e tij, duhet të shikoj me kujdes, kush është ai që ndjek, si punon etj. Dhe këto punë duhet t’i bëjë që të mos kuptohet fare që është kuadër apo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Kjo që po ju them, që kuadri i Sigurimit, nuk duhet të lejë përpara të tjerëve se është punonjës i Sigurimit, nuk mbahet parasysh nga të gjithë. Ka nga këta, që përpiqen të duken se janë punëtorë të Sigurimit dhe me këtë duan t’u thonë të tjerëve se; “ne kemi fuqinë”, dhe kuptohen se indirekt, kërkojnë të respektohen, t’ua kenë frikën njerëzit, të kenë autoritet mbi ta. Kjo është një frymë shumë e rrezikshme.

I rrezikshëm është dhe raporti jo i bazuar si duhet te përgjegjësit e tyre, pse në rast se ata nuk bëjnë mirë këtë, në vend të dashurisë, të besimit dhe të respektit në rrugë të drejtë që duhet të kenë punonjësit për organet e Sigurimit të Shtetit, në të kundërtën do të ngjallte frikë dhe ftohtësi në ta.

Kur njëri lëshon diku një shprehje që ngjall dyshim, atë duhet ta thërresë në fillim partia, megjithëse mund ta thërresë për sqarim e këshilla, edhe Punëtori i Sigurimit. Kur këtë punë ngarkohet ta bëj Punëtori i Sigurimit, ky duhet të niset nga porosia e përhershme e Partisë, për të ndrequr atë që gabon.

Por, para se të thërritet, është e domosdoshme që të hetohet nëse, ato që ka shprehur ky person, i ka bërë me qëllim, apo pa qëllim? Megjithatë, pasi të thirret nga sekretari i partisë, apo nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, një person që ka gabuar dhe t’i vihen në dukje ato që ka shprehur, sigurisht që ai pastaj do të këshillohet.

Megjithatë, kur të dal që andej, do të rri të mendohet: “Kush është ai që më denoncoi për ato që kam thënë? Me kë e kam biseduar këtë çështje, se tre-katër veta ishim në kafe dhe unë vetëm njëherë e shpreha këtë që m’u tha”. Pasi të mendohet mirë, ai do të arrij të identifikojë personin që ka dhënë informatën për të, në Parti, apo në Degën e Punëve të Brendshme, ku u thirr për t’u këshilluar.

“Një veprim i tillë, nuk është i arsyeshëm”, do të mendojë ai, se “jam njeri i ndershëm, patriot, prandaj nuk duhet vepruar kështu ndaj meje”. Me këtë, dua të them se, duhet shumë kujdes në këto veprime, bashkëpunëtori, siç thashë, nuk duhet të lejë të kuptojë se është njeri i Sigurimit. Po përse ndodh kjo mungesë kujdesi?

Sepse në organet e Punëve të Brendshme, nuk ekziston një frymë e shëndoshë në lidhje me vigjilencën, nuk shihen çështjet në frymë Partie, pastaj, edhe nuk bëhen diferencime. Natyrisht, Punëtori i Sigurimit nuk mund të mbylli veshët për të dhënat që i jep një njeri, vetëm se, më parë që ta bëjë çështje, informatën që merr, duhet ta përpunojë mirë në mendjen e vet, pastaj të veprojë, jo të shkojë përnjëherësh te eprori dhe t’i raportojë, se ky tha kështu, tjetri tha ashtu, e mbi këtë bazë të bëhet lista e parullave dhe atyre që zhvillojnë “agjitacion e propagandë”. Kjo është shumë e rrezikshme.

Nuk duhet vepruar në këtë mënyrë, pa bërë dallimin midis kritikës objektive dhe veprimtarisë armiqësore. Po kush mund ta bëjë këtë dallim? Këtë mund ta bëjnë ata që e kuptojnë qartë vijën e Partisë, pse në një bisedim, në një diskutim midis njerëzve, bëhen edhe kritika, për punën për njerëzit, ndryshe do të mbyllen gojët, nuk do të bëhen kritika, se nga ndrojtja, kritika mund të shkojë shtrembër në Parti, ose në organet e Sigurimit dhe të interpretohet keq.

Atëhere tjetri do të thotë: “po kur është kështu, më mirë të mos flasë”. Ne duhet të mendojmë thellë, të veprojmë me takt dhe me kujdes, që njerëzit tanë të shëndoshë të mos thonë: “Ç’më duhet mua”, “pse të flas unë”? etj.

Një shprehje e tillë dëgjohet shpesh në masë dhe kjo bën të lindë indiferentizmi, që pasqyrohet në shprehjet që thashë, që janë refleks i një pune të sëmurë, sipas së cilës, në qoftë se në një diskutim e sipër, njëri thotë, për shembull e: “mo, ç’është ky ministër, ç’e mbajnë këtu këtë njeri, ky është një qull”, jo të mos raportohet përnjëherë e me lehtësi, si një veprimtari armiqësore.

SHOKU HEKURAN ISAI: Posi, dhe meqenëse ministrat janë nomenklaturë e Byrosë Politike, Punëtori i Sigurimit, e fut këtë shprehje, sikur është marrë nëpër këmbë vendimi i saj, duke arsyetuar se, byroja Politike e ka menduar mirë këtë njeri para se ta caktonte.

SHOKU ENVER HOXHA: Kështu pra, kur një njeri kritikon një ministër si person, kjo merret sikur ka kritikuar të gjithë vijën, meqenëse ministri është një personalitet që e ka vendosur Byroja Politike. Duke arsyetuar dhe vepruar kështu, atëhere vjen çështja që tjetri, edhe kur ndodhet përballë veprimeve flagrante, jo të drejta, të thotë: “pse të flas, pse të kritikoj?!

Po hajde edhe sikur të kritikoj një herë apo dy herë, jo vetëm që nuk ma dëgjon fjalën njeri, po vjen pastaj punë që më thërret sekretari i Partisë dhe më ven epitetin, kritizer, grindavec llafazan”.

Po a ka llafazanë dhe grindavecë në shoqëri? Po ka edhe të tillë, po veçse shumica janë njerëz të drejtë, aktivë dhe vigjilentë që nuk e mbyllin gojën, kur vënë re pikëpamje dhe veprime të padrejta.

Mirëpo, prirja e atyre që kritikojnë se kanë bërë gabime, është se i interpretojnë shtrembër vërejtjet e drejta që u drejtohen, t’i diskreditojnë ata që kritikojnë me fakte, se kritika u prish punë, u prish qetësinë.

Ky është një problem i madh shoqëror dhe i Partisë që do pasur mirë parasysh. Në qoftë se ne nuk e luftojmë këtë frymë jo të shëndoshë në rrugë Partie dhe jo vetëm me Punëtorët e Sigurimit, por edhe në Parti, kjo do të na dëmtojë shumë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Bile edhe te disa punëtorë partie, ndodh një prirje e tillë e huaj.

SHOKU ENVER HOXHA: Edhe në parti ndodh. Parimet të gjithë ne i njohim dhe ngaherë i përsërisim, por ç’është e vërteta, kur bëhet një kritikë e drejtë, i vjen thartë udhëheqjes së Partisë në bazë, apo në rreth, Komitetit Ekzekutiv, ose funksionarit që s’e ka kryer si duhet një punë.

Këtë kritikë realiste që ka raste se secili që ka gabuar, përpiqet së pari të reduktojë në asgjë, të bëjë ç’është e mundur, që në mos tash, nesër ta diskreditojë autorin e saj, megjithëse kritika e tij mund të jetë e drejtë. Këtej lind pastaj prirja e hakmarrjes, çka tregon një nivel formimi shumë të ulët të disa komunistëve.

Ne nuk mund të pretendojmë se ky nivel formimi ideologjik, të jetë ideal në çdo kohë dhe për të gjithë njerëzit, por kemi të drejtë të pretendojmë dhe kështu duhet të jetë, se në parti dhe në kolektiv, duhet të ekzistojë një frymë e shëndoshë, sipas së cilës, kritikat, vërejtjet, diskutimet të merren me seriozitet e gjakftohtësi, me qëllim që çdo gjë, çdo problem që ngrihet, të vihet në vend me drejtësi, e me një kuptim të drejtë e partishmëri, pavarësisht se për kë ngrihet, ngrihet për një person, për udhëheqjen e një ndërmarrje, për Komitetin e Partisë së rajonit apo të rrethit, e kështu për të gjithë të tjerët me radhë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duhet të mbahen parasysh të gjitha këto gjëra.

SHOKU HEKURAN ISAI: Këto çështje lidhen shumë me këtë problem të madh partie. Me sa shoh unë, që kur kam shkuar në krye të këtij dikasteri, atje as që është menduar, pa lëre të jetë vepruar, për edukimin e njerëzve.

Te punonjësit e organet e Sigurimit të Shtetit, ka ekzistuar vetëm koncepti, “të godasim, të zhvatim dhe të raportojmë”, pa bërë verifikim me përgjegjësi të çështjeve që dalin. Kjo anë e punës së këtyre organeve, nuk është pasur parasysh, s’ka pasur asnjë rëndësi për ta.

Sigurisht, kjo nuk është një prirje e përgjithshme, ca më tepër në kuadrot e shëndosha. Bashkëpunëtorin e Sigurimit, që mund të jetë i një brigade në bujqësi, Punëtori Operativ që e mban në lidhje, nuk e ushqen me një frymë të shëndoshë, me partishmëri të lartë, nuk e instrukton se çfarë duhet të shtrojë si anëtar i brigadës ku punon, që atje në asnjë rast, nuk duhet provokuar kur ndonjëri flet në gjaknxehtësi e sipër, se edhe gjaknxehtë janë njerëzit.

Mund të ndodhë, që duke punuar në mes të diellit, siç janë punonjësit e bujqësisë apo të ndërtimit, ndonjëri mund të thotë: “More, po vdiqëm në këtë punë”. Këtë shprehje, bashkëpunëtori me shpejtësi e raporton lart, gjë që nuk është e drejtë, pa e verifikuar, ose pa bërë më parë një punë edukative me atë që foli.

Me këtë dua të them, se është e nevojshme që të bëhet një punë instruktive, me tërë punonjësit e rrjetit, sidomos me bashkëpunëtorët, që këta të dinë të dallojnë elementët që janë me biografi të mirë, që e thonë hapët aty për aty mendimin, kritikën. Këta ata bile, duhet t’ja thonë edhe brigadës dhe kolektivit ku punojnë.

SHOKU ENVER HOXHA: Çështja është këtu që bashkëpunëtori (termi “informator” të mos përdoret më, se është i papërshtatshëm për ne dhe ka kuptim përçmues, kurse shumica dërmuese e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, te ne janë njerëz të popullit, të ndershëm dhe të mirë, që e duan Partinë), kur bën kontaktin me rezidentin ose Punëtorin Operativ, çdo të dhënë që jep, duhet të ketë të saktë dhe të mos shkojë vetëm nga mendimi, se ai duhet të japë diçka nga ana e vet.

SHOKU HEKURAN ISAI: Posi, që të japë patjetër diçka, edhe kur nuk ka, ndryshe nuk i vlerësohet puna.

SHOKU ENVER HOXHA: Bashkëpunëtori mund t’i tregoj rezidentit apo Punëtorit Operativ, që iksi tha kështu, ipsiloni foli ashtu, një i tretë që ishte atje, sikur i kundërshtojë pikëpamjet e tyre. Domethënë se, bashkëpunëtori vjen në takim me mendimin që t’i japë diçka Punëtorit Operativ, për arsye se edhe ky në këtë mënyrë ja bën kërkesën, prandaj informatat jepen pa u shoshitur, pa u verifikuar, prandaj arrihet në atë që informatori, bëhet njeri i urrejtshëm nga masat.

Në më të shumtën e rasteve, njerëzit nuk e dinë që, në mes tyre ka një bashkëpunëtor të Sigurimit, sidomos në fshat. Njerëzit e dinë që ka Parti, ka organizatë Fronti, ka në bazë edhe një organizatë shtetërore ose ekonomike, siç është fjala vjen brigade e arave në bujqësi. Kur dalin probleme, njerëzit flasin, kritikojnë, po nuk e kuptoj, pse duhet të jetë deri në brigadë, një informator të Sigurimit? Në fakt, të tillë sot kemi.

Megjithatë, edhe në rast se pranohet që të ketë, kur duhet të hyj ky në veprim? Ky mendoj duhet të futet në veprim, vetëm kur komunistët në organizatën bazë të Partisë, ose punonjësit e organizatës së Frontit, apo në brigadën e arave, me diskutimet e tyre, sinjalizojnë se në kolektiv, diçka po luhet rreth tyre. Për shembull, pse nuk u realizua gruri, në këtë apo atë kooperativë?

Shefi i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit, me gjithë rezidentët, këtë dukuri, duhet ta shikojnë me shumë kujdes, dhe meqë në se nga kjo kooperativë kanë dalë dy armiq të rrezikshëm, të mos i marrë gjithë djemtë e saj, sikur janë ndikuar prej tyre. Armiqtë mund të kenë ndikuar te të afërmit e tyre, por shumica thonë se shumë mirë e bëri Partia, që i vuri në vend këta armiq.

Vërtet ne kemi qenë me ta gjatë Luftës, por s’kemi asgjë të përbashkët me këta tradhtare. Po kush mund ta shohë drejt këtë gjë? Po sigurisht, Partia dhe jo një njeri siç është bashkëpunëtori i Sigurimit, sado i mirë, që të jetë ai.

Në kooperativa ka njerëz me pikëpamje të mirë, ka dhe të paqartë, ka dhe së fundi edhe elementë armiq, që në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër, përpiqen ta dëmtojnë ekonominë kooperativiste.

Për të shmangur çdo dobësi, ose një gjendje jo të kënaqshme që mund të duket atje në një rast, duhet të jetë atje në krye të situatës, organizata e Partisë që duhet të drejtojë gjithë jetën e kooperativës.

Sekretari i Partisë, mund të thërresë dy a tre Punëtorët e Sigurimit (këta duhet të jenë në lidhje të ngushtë me të), t’u flasë për gjendjen që në përgjithësi, në kooperativë është e shëndoshë, por ka edhe dobësi dhe u tërheq vëmendjen, të bëhet kujdes në këtë, apo atë sektor të kooperativës.

Atëhere, Punëtori i Sigurimit, vë në lëvizje bashkëpunëtorin, po e instruktorin të veprojë me kujdes të jashtëzakonshëm. Por, më parë se të veprojë, bashkëpunëtori duhet të shpjegohet mirë se çfarë ngjet atje.

Këtë nuk mund ta dijë mirë ai që mund të ketë pikëpamje subjektive. Prandaj, për të pasur të qartë gjendjen, këtij duhet të bëhet i njohur opinion i Partisë.

Në të tilla raste duhet pasur kujdes që Punëtori i Sigurimit, menjëherë të mos mendoj se Partia, është e detyruar që të japë të dhëna, pse ai punon në Sigurim. Nuk ka detyrë Partia, që t’i tregojë atij për çdo gjë.

Ajo ka për detyrë, që Punëtorin e Sigurimit ta vejë në lëvizje, por vetë Partia do të punojë që ta likuidojë një situatë jo normale që krijohet diku dhe këtu nuk është fjala për të armatosur njerëz./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Perikli: 27/12/2022 14:02

    Pikerisht! Tashme Rama e ka rijetesuar porosine e shokut Enver dhe Partia nuk do i jape llogari as policose apo sherbimit Informativ! Vetem detyra dhe urdhera!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste!  Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste! Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty