Mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve për shqyrtimin e projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 13 prill-30 prill, përfundoi pa një dakordësi mes palëve. Partia Socialiste rrëzoi dy kërkesat e ardhura nga opozita, për ngritjen e komisioneve hetimore për rrugët e shembura si dhe për institucionin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Në këtë pikë, Bardhi ka reaguar i revoltuar duke thënë se ‘ky nuk është parlamentarizëm’.

“Nëse kërkesat e opozitës rrëzohen nga urrejtja politike, ky nuk është parlamentarizëm. Prandaj po ju pyes, kryetar, cili është roli i deputetëve, kur ju nuk pranoni as komisione hetimore, as interpelanca, as mocione me debat, as amendamente, as ligje?

Cili është roli i opozitës? T’ju bëjë fresk juve? Na thoni cili është roli ynë. Sepse na thoni “hajde të bashkëpunojmë” dhe “të jemi konstruktivë”, por kur ne e bëjmë këtë, ju rrëzoni gjithçka. Ju, kryetar, jeni garant për funksionimin e Kuvendit. Na keni lexuar një fjalim që na ka prekur, ndërsa sot nuk gjej asnjë çështje që ju, si kryetar, e keni mbrojtur për opozitën”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër, opozita kundërshtoi përfshirjen në rend dite në seancë plenare propozimin e Taulant Ballës për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit. Bardhi ka kundërshtuar duke marrë si argument vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi rritjen e numrit të komisioneve parlamentare. Kreu i grupit parlamentar të PD thotë se nuk ka asnjë urgjencë për shqyrtimin e këtij propozimi dhe se duhet të presin zbardhjen e vendimit nga Kushtetuesja.

“Me vetëdije ju e keni shkelur Kushtetutën. Dhe jo një herë, por dy herë. Me 8 me 0, Gjykata Kushtetuese ka thënë se Kryetari i Kuvendit e ka hedhur në erë Kushtetutën. Pra, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë për shkarkimin tuaj, por ju e keni rrëzuar atë me votë politike.

Prandaj, ndryshimet e rregullores nuk janë emergjente, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur ende vendimin. Pra, nuk ka çështje urgjente për ta trajtuar. Po ju them: Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur vendimin. Prandaj, jua kërkoj me mirësjellje të bëheni garant i Kushtetutës. Parlamenti nuk mund të jetë tekë”, ka thënë Bardhi.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla thotë se Kushtetuesja ka shkelur afatet kohore duke mos e zbardhur vendimin brenda afatit 30 ditor dhe se propozimi i tij është i bazuar në rregullore.

“Gjykata Kushtetuese ka shkelur ligjin e vet, duke mos e zbardhur vendimin brenda afatit 30-ditor dhe besoj se z. Bardhi në këtë pjesë i ka llogaritur ditët. Ndaj Kuvendi, nëpërmjet seancës plenare, duhet t’i drejtohet GJK që ta zbardhë vendimin, sepse nuk mund të pengohet puna e Kuvendit”, tha ndër të tjera Balla.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:38
PS rrëzon 2 kërkesat e opozitës, Bardhi: Keni urrejtje politike! Për çfarë jemi këtu, t’iu bëjmë fresk juve?

1775482097_gazmentbardhi.jpg

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar i revoltuar pas rrëzimit të dy kërkesave të opozitës në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nga ana e mazhorancës. Bardhi thotë se nuk quhet parlamentarizëm kur kërkesat e opozitës rrëzohet nga urrejtja politike.

“Nëse kërkesat e opozitës rrëzohen nga urrejtja politike, ky nuk është parlamentarizëm. Prandaj po ju pyes, kryetar, cili është roli i deputetëve, kur ju nuk pranoni as komisione hetimore, as interpelanca, as mocione me debat, as amendamente, as ligje?

Cili është roli i opozitës? T’ju bëjë fresk juve?

Na thoni cili është roli ynë. Sepse na thoni “hajde të bashkëpunojmë” dhe “të jemi konstruktivë”, por kur ne e bëjmë këtë, ju rrëzoni gjithçka.

Ju, kryetar, jeni garant për funksionimin e Kuvendit. Na keni lexuar një fjalim që na ka prekur, ndërsa sot nuk gjej asnjë çështje që ju, si kryetar, e keni mbrojtur për opozitën”, tha Bardhi.

Ora 13:31
Bardhi nuk pranon ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, Balla: Kushtetuesja të zbardhë vendimin, s’mund të pengohet puna e parlamentit

1773683075_taulantballa.JPG

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve thotë propozimi për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit do të ndikojë në rregullimin e jetës parlamentare dhe se është urgjente adresimi i vendimit të Kushtetueses mbi rregulloren dhe se duhet shqyrtuar.

Referuar asaj që tha Bardhi, se fillimisht duhet të presim zbardhjen e vendit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi rritjen e numrit të komisioneve parlamentare, Balla u shpreh se Kushtetuesja ka shkelur ligjin e vet, duke mos zbardhur vendim brenda 30 ditësh.

“Neni 40/1, pikat 1, 2, 3 dhe 5, për programimin e jetës parlamentare, kërkesa është në përputhje me rregulloren. Në këtë nen diskutohet për programimin e javës parlamentare. Kemi çështje urgjente në lidhje me adresimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi rregulloren dhe ne duhet të jemi në punë për ta shqyrtuar.

Neni që Bardhi citon duhet lexuar në pikën 5 të këtij neni, e cila thotë që kur ka një çështje të caktuar, nuk i referohet neneve pararendëse. Diskutimi është nëse çështja e GJK është një çështje me rëndësi. Gjykata nuk është futur në thelb të çështjes, por te procedura, ndërsa në thelb bëhet fjalë për lirinë e shprehjes.

Gjykata Kushtetuese ka shkelur ligjin e vet, duke mos e zbardhur vendimin brenda afatit 30-ditor dhe besoj se z. Bardhi në këtë pjesë i ka llogaritur ditët. Ndaj Kuvendi, nëpërmjet seancës plenare, duhet t’i drejtohet GJK që ta zbardhë vendimin, sepse nuk mund të pengohet puna e Kuvendit.

Gjej një falënderim për GJK që ka ruajtur vazhdimësinë e punës së Kuvendit. Kjo çështje është urgjente për t’u adresuar. Pretendimi që propozimi im nuk është i bazuar në rregullore bie”, tha Balla.

Ora 13:14
Bardhi debat me nënkryetaren e Kuvendit: Opozita s’po punon kundër integrimit, ju po bëheni mburojë e korrupsionit

1775129265_gazmentbardhi.jpg

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike është përplasur me nënkryetaren e Kuvendit Klodiana Spahiu. Bardhi thotë se nuk është opozita ajo që është bërë pengesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, por vetë mazhoranca me vendimmarrjet e tyre.

“Është e rëndë të vini e të shpifni këtu. Nuk ka asnjë rast të deputetit të opozitës që flet dhe punon kundër integrimit. Por, ndryshe nga ju, ne nuk bëhemi mburojë e korrupsionit. Ne themi: po, hiqini imunitetin zëvendëskryeministres së akuzuar për abuzime prej 1.1 miliardë euro. Ju thoni jo!

Kush po e pengon dhe kush është kundër procesit të integrimit? Është opozita apo ju që ngrini kartonin e kuq ndaj prokurorisë?

Çfarë thotë progres-raporti? Parlamenti pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar e ekzekutivit. Pra, kush po e pengon? Ne që kërkojmë kontroll parlamentar apo ju që votoni kundër kontrollit?

Kush nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Kemi qenë ne apo ju? Keni qenë ju që keni ngritur dy herë kartonin e kuq kundër Gjykatës Kushtetuese.

Ju që vidhni po punoni pro Shqipërisë, ndërsa opozita që denoncon po punon kundër integrimit? Keni rrëzuar çdo instrument kontrolli.”