Qeveria mblidhet në Shëngjin/ Në Repolitix', Krashi: Kohë për të reflektuar ku punohet keq! Soko: Larg realitetit! Ironizon Alimehmeti

Mbledhja informale dyditore e qeverisë në Shëngjin të Lezhës, mori sot të gjithë vëmendjen politike. 

Të ftuarit në studion e Repolitix me gazetarin Denis Minga në Report Tv diskutuan mbi çështjet që mësohet se janë trajtuar gjatë ditës së parë të mbledhjes që do të vijojë edhe ditën e nesërme (10 janar).

Deputeti socialist, Lavdrim Krashi tha se mbledhje të tilla janë normale për të pasur një reflektim në dikastere të qeverisë ku mund të ketë performancë më të ulët.

“Ëshë një kohë për të reflektuar për të parë se ku kanë shkuar punët mirë dhe për të mësuar edhe prej të tjerëve. Dikush ka punuar më shumë se një tjetër, nëse ka gjëra tjera pozitive tek një dikaster, kjo do të thotë se  nuk ka arsye se një dikaster tjetër të performojë më keq. Aty ku punohet më keq është koha për të reflektuar”- u shpreh Krashi.

Nga ana tjetër, këshilltari bashkiak i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti ironizoi duke thënë se ishte i çuditur që pjesë e mbledhjes nuk ishin përfaqësues të pushtetit gjyqësor. Ai ngriti pikëpyetjen përse kishte veçime në faktin se jo të gjithë deputetët ishin të pranishëm.

“Këto janë vegla që i ka Rama në dorë. U çudita që nuk ishte edhe gjyqësori, se atëherë do ishte e plotë fare.Ne e dimë se parlamenti shërben si zyrë noterie për Ramën. Kur mblidhet qeveria ka një farë lirie sa i takon vendeve, por parlamenti mblidhet në godinën e parlamentit. Ka disa rregulla dhe forma përse është kështu. Nuk është thjesht çështje qejfi dhe pastaj pse disa parlamentarë po dhe pse disa të tjerë jo? I bie se disa përfaqësues të njerëzve janë më të rëndësishëm se disa të tjerë?”- u shpreh Alimehmeti.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Pano Soko tha se gjatë kësaj mbledhje qeveria ka treguar se është larg realitetit pasi nuk ka analizuar disa prej çështjeve të cilat sipas tij janë më kryesoret. Soko tha se nuk kishte pasur asnjë analizë për zhvlerësimin e monedhës ‘euro’ dhe dëmet që kanë pësuar eksportuesit.

"Qeveria është shumë larg realitetit. Kemi viktima ekonomike të inflacionit. Të parët janë shtresat në nevojë, indeksimet që u janë bërë pensionistëve janë më poshtë se inflacioni i mallrave që konsumojnë vetë pensionistët.  Pensionet e invaliditetit janë ulur. Nuk e pashë qeverinë të shqetësuar. Kemi një forcim të euros dhe kemi një sektor kaq delikat të eksportit dhe prodhimit shqiptar.  Ne jemi lodhur 30 vjet për të mbledhur 4 miliardë euro në vit. I kemi mbledhur mezi sepse gara aty jashtë është aq e fortë sa e ke të pamundur. Kur vjen ky momenti, i forcimit të lekut që të gjithë e dimë pse ka ardhur, qeveria nuk e vë ujin në zjarr. Kjo nga ana tjetër sjell ulje të borxhit publik, por puna është se ku shkon paraja? Nuk shkon aty ku duhet. Eksportet janë ata që kanë humbur. Qeverinë e dëgjova për inovacionin dhe më duket sikur qeveria është në ajër. Njerëzit po vuajnë gjë tjetër dhe ti merresh me inovacionit, është jashtë fokusit komplet”- nënvizoi Soko.

Gjatë diskutimeve u komentua edhe vendimi i kryeministrit Edi Rama për emërimin e Blendi Gonxhes në krye të ministrisë së re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ekonomisti Pano Soko e cilësoi si të pakuptimë këtë lloj emërimi, ndërsa gazetari Flogert Muça tha se kryeministri e ka të drejtën kushtetuese të vendosë kush do ketë ministri dhe mori në shqyrtim edhe mënyrën sesi kreu i qeverisë ka vepruar në emërimet gjatë qeverisjes së tij.

"Kemi zgjedhur një sistem që kryeministri e ka të drejtë kushtetuese të vendosë se kush do jetë ministër.  Unë kam parë sesi Edi Rama ka ndryshuar ministrat dhe ka përdorur një standart të përhershëm, asnjë prej tyre më shumë se 4 apo 5 vjet. Ka patur një rast, Ogerta Manastirliu, e cila u votëbesua në krye të një tjetër ministrie. Do të thotë se ka qenë i kënaqur me arritjet që ajo ka pasur”- tha gazetari.

Sot (9 janar) në Shëngjin të Lezhës u mbajt mbledhja informale e qeverisë ku morën pjesë edhe drejtues politikë të PS dhe drejtorë të drejtorive të rëndësishme në ministri të caktuara. I pranishëm ishte edhe Blendi Gonxhe i cili ende nuk e ka marrë dekretimin e presidentit Begaj si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:14
Qeveria në Shëngjin, gazetari zbardh detaje: Në tryezë, sondazhet e qytetarëve për çdo ministri! Ja për çfarë ishte i pakënaqur kryeministri

Zbulohen detaje mbi çështjet që janë diskutuar gjatë takimit informal të qeverisë që sot në Shëngjin.

Gazetari i Report Tv Elvis Hila gjatë një lidhje skype për emisionin “Repolitix” në Report Tv zbulon se në tryezën e diskutimit janë vendosur sondazhe të mendimit të qytetarëve lidhur me performancën e ministrive të ndryshme.

Ndërsa kreu i grupit PS-s Bleci Çuçi ka analizuar veprimtarinë e deputetëve për vitin që lamë pas.

“Më  gjatë në fjalën e tij ka qenë Blendi Çuçi që ka kaluar në skaner veprimtarinë e deputetëve në vitin 2023, marrëdhëniet e tyre me elektoratin, qëndrimet e tyre në Kuvend ndërsa pjesa e dytë e takimit u përqendrua tek puna e qeverisë ku cdo ministri ka analizuar punën e saj.

Në tavolinë kanë qenë edhe sondazhet e publikut mbi cdo ministri. Sa i takon shërbimeve online, kryeministri u ka kërkuar ministrive përkatëse por edhe drejtorive një rritje të performancës sa i takon administratës në ofrimin e shërbimeve online. Mbledhja ka përfunduar rreth orës 19:00 për të nisur diën e nesërme.

Kryeministri Edi Rama ka shfaqur pakënaqësi  sa i takon punës në disa ministri lidhur me shërbimet online dhe ka kërkuar vëmendje në këtë drejtim

Rama nuk është shprehur i kënaqur sa i takon punës së disa ministrive, sa i takon sidomos shërbimeve online ndaj ka kërkuar vëmendje në këtë drejtim në mënyrë që qytetarët të kenë sa më shumë akses tek shërbimet”- u shpreh gazetari ndër të tjera për emisionin "Repolitix" të gazetarit Denis Minga.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

AKSK: Nisim procesin tekniko-ligjor për bllokimin e TikTok

AKSK: Nisim procesin tekniko-ligjor për bllokimin e TikTok