TIRANË- Për të frenuar largimin e bluzave të bardha nga vendi, qeveria ka përgatitur një projektligj, i cili pritet të miratohet në korrik, ku thuhet se studentët të cilët nisin këtë vit Universitetin për Mjekësi, do të duhet të punojnë 5 vite pasi të kenë përfunduar studimet në Shqipëri, e më pas ta pajisen me diplomë.

Vendimin e bëri të ditur vetë kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së qeverisë. Kryeministri Rama e bëri të qartë se studentët që futen rizhtazi këtë vit, nuk kanë një zgjidhje tjetër, përveçse të nënshkruajnë marrëveshjen me qeverinë.

‘Ndërkohë që për të gjithë ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara, e thashë detajet do t’i japin ministret, por është absolutisht zgjedhja e tyre, nuk është vetëm një zgjedhje. Ndërkohë që për ata që do hyjnë në vit të parë ka vetëm një zgjedhje, nuk ka zgjedhje tjetër. Nëse duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik, do duhet të pranojnë këtë kusht dhe nuk është një kusht, por është formati i ri i Universitetit të Mjekësisë për sa i përket marrjes së diplomës.’- tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se studentët e mjekësisë aktualisht që duan të ikin nga Shqipëria, duhet të paguajnë një tjetër tarifë, e cila mbulon koston dhe nevojat e universitetit.

'Natyrisht nuk ndryshon asgjë në thelb për sa i përket të drejtës dhe mundësisë së ushtrimit të profesionit pasi ajo fillon menjëherë pas 5 viteve, por ama duhet të bëhet këtu sepse për këtë paguan populli shqiptar taksa. Nuk paguan populli shqiptar taksa që mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e popullit shqiptar të ikin që ditën e parë. Ama patjetër që nuk u ndalohet e drejta atyre që janë aktualisht në universitet që të largohen në rast se duan të largohen, por në vitin apo në vitet e mbetura do duhet të paguajnë një tarifë tjetër, tarifë e cila do përcaktohet natyrisht nga universiteti sipas ligjit, por e cila mbulon plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student.'- u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se profesioni i mjekësisë nuk është njësoj si profesionet e tjera, por është i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për tu përkujdesur për shëndetin e njerëzve. Kreu i qeverisë theksoi se shteti shqiptar nuk paguan për formimin e mjekëve të rinj që ato të largohen që në ditën e parë.

'Shteti e financon universitetin publik, në këtë rast formimin e mjekëve të rinj për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera, është një profesion i lidhur drejtpërdrejtë me detyrimin e çdo shteti për tu kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari, çdo familjeje, çdo të moshuari dhe fëmije për të pasur kujdes shëndetësor. Në kushtet kur Gjermania e para dhe vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, me plakjen e popullsisë së tyre, me nevojën gjithmonë e më të madhe për burime njerëzore të freskëta që duhet të vijnë nga jashtë dhe ku janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë, për shumë njerëz të kualifikuar të të gjitha fushave dhe në këtë rast për mjekët, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap, që është hapi më normal dhe hapi më i lehtë i mundshëm, që do të thotë që çdo student i mjekësisë që do hyjë në Universitetin e Mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që mjekësia, studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për tu pajisur me diplomë duhen dhe 5 vjet në shërbim të këtij populli.'- u shpreh kryeministri.

Nga ana tjetër ministrja e Arsimit Evis Kushi sqaroi sesi do të funksionojë skema e punësimit të detyrueshëm për studentët e Universitetit të Mjekësisë. Ajo tha se maturantët fitues këtë vit do duhet të nënshkruajnë një marrëveshje që e kanë kusht punësimin me detyrim për 5 vite.

Kjo shifër ndryshon për studentët aktual. Kushi theksoi se studentët e Mjekësisë nga viti i parë të katërt do duhet të punojnë në Shqipëri për 3 vjet ,ndërsa ata që janë në vitin e pestë dhe të gjashtë do duhet të punojnë 2 vjet me detyrim për të tërhequr diplomën, ndryshe do paguajnë koston reale të studimeve të tyre në Shqipëri.

Kushi nënvizon se megjithatë është parashikuar se nëse për një vit studentëve nuk u gjendet punë në institucionet përkatëse në Shqipëri, ata mund të tërheqin diplomën. Ajo theksoi se kjo gjë nuk do të ndodhë, megjithatë është e parashikuar në marrëveshjen që studentët do të nënshkruajnë. Pra, studentët që do të hyjnë këtë vit në Fakultetin e Mjekësisë, nuk kanë mundësi zgjedhje. Ajo shtoi se ky projektligj do të miratohet shumë shpejt.

Sa i takon specializimeve, Kushi tha se nëse specializantët e paguajnë vetë tarifën, kjo do të konsiderohet një periudhë punësimi për ta.

'Për sa i takon specializimeve, këto në rast se janë të pambuluara nga MSHMS, pra nëse specializantët e paguajnë vetë kuotën, tarifën, do të konsiderohet periudhë punësimi, ndërsa në rast se është e mbuluar nga MSHMS, sigurisht që ata nënshkruajnë një marrëveshje me MSHMS përpara specializimit, kështu që kanë detyrimin të përmbushin ato detyrime që tashmë janë në fuqi.'- tha Kushi.

Projektligji do të prezantohet me procedurë të përshpejtuar sepse në muajin gusht është provimi shtesë i dixhitalizuar për maturantët që duan të studiojnë për mjekësi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:40
Ministrja Krifca: Strategji e re me Bankën Botërore, mbështet fermerët, agropërpunuesit dhe eksportuesit shqiptar

 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zbardhi detaje të marrëveshjes së arritur me Bankën Botërore, që do të financojë 65 milionë euro në sektorin e bujqësisë në Shqipëri.

Në konferencën për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Krifca e cilësoi këtë financim strategjik të BB për Shqipërinë, një tjetër sinjal të fortë mbështetje që qeveria i jep fermerit, agropërpunuesit dhe eksportuesit shqiptar.

Ajo tha se, “falë kësaj marrëveshje mbështesim direkt fermerët e vegjël, duke lehtësuar daljen e prodhimit të tyre në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare, uljen e kostove të prodhimit, modernizimin e bujqësisë shqiptare, çka sjell eventualisht rritjen e konkurrueshmëris dhe eksporteve tona”.

Krifca informoi se, së pari, do të financojmë zgjerimin e rrjetit të ujitjes dhe kullimit në territorin tonë bujqësor, duke përdorur metodat dhe teknologjitë më efektive në dispozicion.

Pothuajse 27 milionë euro investim do të shkojnë për modernizimin apo ndërtimin e sistemeve të vaditjes në një territor prej mbi 23 mijë hektarësh në zonën e Divjakës, Konispolit, Lushnjes dhe kullimit në rreth 10 mijë hektarë të zonës së Semanit, Darzezës dhe Hoxharës.

Gjithashtu, vijoi ajo në 27 stacione aktuale të kullimit do të instalohen panele diellore, duke i bërë ato të vetmjaftueshëm dhe pavarur nga rrjeti i energjisë elektrike, çka i kursen buxhetit të shtetit gjysmë milionë euro çdo vit.

Ministrja theksoi se, nga ky investim përfitojnë direkt dhjetëra mijëra fermerë.

“Do të ngrihet një zinxhir prej pesë qendrash rajonale në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër, të të ashtuquajturës “Mikro Food Hub”, platforma që lidhin direkt restorantet dhe rrjedhimisht konsumatorin, me prodhuesit e vogël.  Këto platforma do të lejojnë gjithmonë e më shumë fermerë që të prodhojnë një produkt të standartizuar, në përputhje me nevojat e tregut dhe me shitje të garantuar 100% që fazën e kultivimit”, u shpreh Krifca.

Sipas saj, duke bërë këtë ndërlidhje, ky investim prej 14 milionë eurosh do të mbështesë direkt rritjen e prodhimit, eksporteve dhe të ardhurave.

Gjithashtu theksoi ministrja, 20 milionë euro të këtij financimi do të fuqizojnë sigurinë ushqimore, përmes rehabilitimit të infrastrukturës së laboratorëve tanë kufitarë, në doganën e Bllatës, Kakavijës, Kaptshticës, Qafë Botës, Qafë Thanës dhe Vlorës.

Sipas saj,  ky investim ka një qëllim të dyfishtë.

“E para, rrit më tej sigurinë për konsumatorin shqiptar, duke kryer në kohë reale dhe me efikasitet të plotë analizat për mallrat ushqimore të importuara dhe së dyti, përafron standardet tona me ato të Bashkimit Europian duke lehtësuar rritjen e eksporteve jo vetëm në Europë, por në mbi 80 vendet që aktualisht realizojmë shkëmbime tregtare në fushën bujqësore”, u shpreh Krifca.

Ministrja u ndal edhe në një fushë tjetër ku do të adresohet mbështetja e BB, që siç tha ajo, “e fundit, por jo nga rëndësia, pasi e gjithë kjo paketë strategjike mbështet inovacionin, zinxhirin e plotë të vlerës, forcimin e bujqësisë së bazuar në dije dhe disa sektorë, siç është ai i prodhimit të vajit të ullirit”.

Ministrja u ndal edhe në vendimin e fundit të Qeverisë shqiptare, që tashmë ofron mbështetje financiare prej 40 000 lekë në muaj për studentët e rinj që zgjedhin të studiojnë në disa programe prioritare, ku përfshihet edhe dega e Bujqësisë.

Ajo i ftoi të rinjtë që janë përpara zgjedhjes për Universitetet që ti bashkohen Bujqësisë, si një mundësi shumë e mirë për sipërmarrje të reja në gjithë spektrin që ofron zhvillimi rural, duke kontribuar kështu për ekonominë e tyre dhe të vendit.

Ora 14:02
Këshilli i Ministrave gati pr.ligjin për punësimin e detyruar, studentët e Mjekësisë paralajmërojnë nesër protestë

1687514809_studentet.jpg

Studentët e Mjekësisë kanë paralajmëruar sërish protestë pas pr ligjit të prezantuar sot nga Këshilli i Ministrave lidhur me punësimin e detyruar.

Studentët thonë se do të protestojnë nesër në orën 10:00 së bashku me maturantët.  

Ora 13:30
Kushi: Ja sa e kanë detyrimin studentët e Mjekësisë sipas viteve! Nëse nuk u gjendet punë brenda një viti kanë të drejtën të tërheqin diplomën

 

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka shpjeguar sesi do të funksionojë skema e punësimit të detyrueshëm për studentët e Universitetit të Mjekësisë. Ajo tha se maturantët fitues këtë vit do duhet të nënshkruajnë një marrëveshje që e kanë kusht punësimin me detyrim për 5 vite. Kjo shifër ndryshon për studentët aktual. Ajo thotë se studentët e Mjekësisë nga viti i parë të katërt do duhet të punojnë në Shqipëri për 3 vjet ndërsa ata që janë në vitin e pestë dhe të gjashtë do duhet të punojnë 2 vjet me detyrim për të tërhequr diplomën ndryshe do paguajnë koston reale të studimeve të tyre në Shqipëri. Kushi nënvizon se megjithatë është parashikuar se nëse për një vit studentëve nuk u gjendet punë në institucionet përkatëse në Shqipëri, ata mund të tërheqin diplomën.

Ajo theksoi se kjo gjë nuk do të ndodhë, megjithatë është e parashikuar në marrëveshjen që studentët do të nënshkruajnë. Pra, studentët që do të hyjnë këtë vit në Fakultetin e Mjekësisë, nuk kanë mundësi zgjedhje. Ajo shtoi se ky projektligj do të miratohet shumë shpejt.

“Së pari: Studentët e vitit të parë , apo më saktë kandidatët për studentë, përpara regjistrimit, ata që shpallen fitues, përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me UMT me MAS dhe MSHMS për tu angazhuar që do të qëndrojnë 5 vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet tona shëndetësore dhe diplomën do ta tërheqë pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Ndërkohë që për studentët që janë aktualisht në sistem, nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, përsëri në fillim të këtij viti akademik do të nënshkruhet një marrëveshje ku angazhohen që do të qëndrojnë përkatësisht: studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, dy vite, punësim në Shqipëri. Dhe diploma përsëri tërhiqet pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Studentëve që janë aktualisht në sistem, do tu ofrohet edhe mundësia që nëse nuk janë dakord të nënshkruajnë marrëveshjen, të paguajnë sa ç’është kostoja reale e çdo viti akademik, sigurisht për vitet e mbetura akademike, jo për vitet që tashmë kanë kaluar.

Pra ky është detyrimi që kanë studentët e vitit të parë nuk kanë të drejtë zgjedhjeje, por do që qëndrojnë për 5 vite. Pra duhet t’i bëj thirrje të gjithë kandidatëve, të gjithë ata që kanë vendosur të studiojnë për programin Mjekësi e Përgjithshme, duhet ta mendojnë që nëse zgjedhin të studiojnë në universitetin shtetërore, duhet të nënshkruajnë këtë marrëveshje dhe kanë detyrimin pesë vite të qëndrojnë të punësohen në Shqipëri. Ndërsa studentët e tjerë mund të zgjedhin mes dy alternativave.

Sigurisht që qëllimi ynë është që të gjithë studentët nga viti i parë deri në vitin e gjashtë të qëndrojnë të punojnë, të japin kontribut për vendin, sepse në fund të fundit ky është një detyrim që e kemi për të gjithë, për të plotësuar nevojat që kemi për mjekë.

Për sa i takon specializimeve, këto në rast se janë të pambuluara nga MSHMS, pra nëse specializantët e paguajnë vetë kuotën, tarifën, do të konsiderohet periudhë punësimi, ndërsa në rast se është e mbuluar nga MSHMS, sigurisht që ata nënshkruajnë një marrëveshje me MSHMS përpara specializimit, kështu që kanë detyrimin të përmbushin ato detyrime që tashmë janë në fuqi.

Ndërkohë dua të theksoj që nëse për një vit nuk arrihet të plotësohet detyrimi për punësimin e tyre, atëherë të gjithë studentët, të diplomuarit do të lirohen nga ky detyrim dhe do të tërheqin diplomën e tyre.

Trajtimi i veçantë konsiston në dy drejtime kryesore. Së pari punësim prioritare në institucionet shëndetësore shqiptare dhe së dyti përfshirje në programet sociale të punësimit.

Por e theksoj edhe një herë që nëse nuk do të arrihet, gjë që nuk mund të ndodhë, por gjithsesi kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes, nëse për një vit nuk plotësohet detyrimi për një punësim të sigurt, atëherë këta të diplomuar, mjekë do të lirohen nga detyrimi dhe do të marrin menjëherë diplomën.

Dua të theksoj që ky projektligj për shkak të emergjencës do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar sepse në muajin gusht, siç e dini, të gjithë ata maturantë që duan të studiojnë programin Mjekësi e Përgjithshme, kanë provimin shtesë të digjitalizuar që do të zhvillohet në muajin gusht pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Kështu që ne duhet ta miratojmë brenda korrikut këtë projektligj, në mënyrë që ata përpara se të marrin vendimin dhe përpara se të bëjnë provimin, t’i dinë, t’i njohin të gjitha kushtet që do të kenë për sa i takon këtij programi.”- thotë Kushi.

Ora 13:15
Rriten kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë: 500 kuota për vitin akademik 2023 - 2024

 

Rriten kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë për vitin akademik 2023 – 2024. Këtë vit akademik ku pritet të hyjë në fuqi dhe marrëveshja në formën e pr/ligjit si mbështetje për studentët është parashikuar që të jenë 500 kuota.

"Detyra jonë ëshë të garantojmë sistem shëndetësor me personel të kualifikuar. Duam të fuqizojmë sistemin shëndetësor. Do të rrisim numrin e kuotave në 500 kuota pranim” tha Manastirliu duke prezantuar dhe detajet e marrëveshjes që do të jetë në formën e pr/ligjit.

Ministrja e Shëndetësisë renditi të mirat që përfitojnë studentët nga firmosja e marrëveshjes dhe mohon që po u hiqet  atyre e drejta e përzgjedhjes.

"Studentëve nuk po u hiqet asnjë e drejtë por u garantohet punësimi dhe strehimi përmes programeve sociale të strehimit të mjekëve. Dhe nëse janë pjesë e përzgjedhjes së specializimeve të vijojnë brenda këtyre afateve në spitalet rajonale të Shqipërisë."

Edhe procesi i praktikës do të rishikohet. Marrëveshja do të ketë fuqi ligjore dhe si çdo akt ligjor do të përcaktojë dhe hapat në rastet kur zbatohet dhe pasojat nëse studentët nuk do të zbatojnë pikat e kontratës.

Pr/ligjin Manastirliu e quan paketë incentivuese mbështetëse për studentët që nesër do të jenë mjekët e tanë dhe të familjarëve tanë

“Pr/ligjin garanton punësimin, politikat e strehimit lehtësuese dhe vitet e specializimit do të konsiderohen punë”

Pr/ligji momentalisht është vetëm për institucionet publike por “është e hapur për tu parë dhe rishikuar edhe në një perspektivë të re. Pse jo dhe studentët e fakulteteve të tjera, pse jo dhe jopublike mund ta përkrahin, mund ta duan të jenë pjesë e politikave incentivuese në shkëmbim të ushtrimit të tyre profesionit në vend" sqaroi Manastirliu.
 

Marrëveshja do të diskutohet në komisione dhe më pas do të kalojë në Kuvend dhe do të firmoset nga Universiteti i Mjekësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe studenti.