Reflektimet e kryeministrit Edi Rama për protestën e flamingove, janë paraprirë nga një situatë e tensionuar në mbledhjen e përbashkët këtë të premte, mes qeverisë dhe grupit parlamentar, ku mes kreut të qeverisë dhe Erion Braçes, siç mëson Report TV, ka patur një përplasjeje mjaft të fortë, pas së cilës deputeti ka zgjedhur që të lërë mbledhjen.

Gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura  Rama ka patur sërish kritika ndaj të tijve, ndaj disa ministrave por dhe deputetëve, për qasjen e tyre publike. Ai ka kritikuar ministrin e Brendshëm për mënyrën e përballimit të protestave, apo dhe atë të Bujqësisë, për rastin e përmendur dhe në fjalimin e tij publik, të një qytetari kërkesa e të cilit për një investim ishte lënë për tre vite pa përgjigje, Ndërsa deputetëve u ka kërkuar që t’i thonë në mbledhje “ato që diskutoni nëpër tavolina”. Rama i është rikthyer vërejtjeve të përsëritura ndaj “luftës së bërrylave”, në gjirin e PS, duke u shprehur se “të gjithë duhet ta kuptojnë se sulmet mes njeri tjetrit nuk bëjnë gjë tjetër vecse ulin aksionet e ndërmarrjes sonë të përbashkët, e kësisoj dhe aksionet e secilit prej jush”.

Bruime brenda grupit, thanë për Report TV, se takimi mori një kthesë të papritur pas fjalës së deputetit Erion Braçe, e cila është pasuar me replikë të kryeministrit, duke u kthyer më pas në një përplasje të ashpër verbale me tone të larta mes të dyve. Ka qenë një pushim i kërkuar nga kreu i grupit parlamentar Taulant Balla që ka “shuar” zjarrin, me deputetin Braçe, i cili ka zgjedhur të largohet nga mbledhja në mënyrë demonstrative.