Në analizën e siguruar, që kryetari Çobaj ka lexuar përpara kryesisë, ndër të tjera ka deklaruar se pjesa aktive e departamenteve mbeten në minorancë.
“Nisur nga numri i departamenteve që kap shifrën 23, pjesa aktive e departamenteve ishin dhe mbeten në minorancë në krahasim me departamentet inaktive. Kjo mbetet një shqetësim i madh jo vetëm për mua si kryetar, por besoj edhe për të gjithë Kryesinë e PD-së. Inaktiviteti i departamenteve ka dëmtuar në radhë të parë mënyrën e të bërit opozitë të vetë Degës së Partisë Demokratike Shkodër”, ka deklaruar Çobaj duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij për pjesën më të madhe të departamenteve.
Kritika Ademit
E më tej, kryetari Çobaj, në mënyrë të tërthortë, ka artikuluar kritika edhe në adresë të Bashkisë Shkodër dhe kryetares Voltana Ademi. Çobaj ka pohuar se është i vetëdijshëm se një pjesë ndjehet e zhgënjyer, e parespektuar dhe e pavlerësuar. “Është vlerësim të jesh drejtues departamenti, por njëkohësisht është edhe përgjegjësi. Të marrim përsipër secili prej nesh përgjegjësitë e veta politike dhe të dalim nga pasiviteti ku kemi rënë. Unë e kuptoj se shumë prej jush presin që të thonë se jemi të zhgënjyer, se nuk na është vlerësuar puna, se nuk ndjehemi të respektuar, se si drejtues departamenti apo anëtar kryesie nuk jam pyetur dhe nuk më është marrë mendimi për asgjë. Nuk marr përsipër t’ju them se kjo gjë nuk ka ndodhur ose të bëj hipokritin se shumë shpejt gjithçka ka për të ndryshuar. Jo! Unë ju them pavarësisht zhgënjimeve, pavarësisht mungesës së dashamirësisë apo shfaqjes së respektit minimal ndaj jush, ne, të gjithë bashkë, kundërshtarët i kemi përballë dhe ata kanë emër PS dhe LSI ose Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata duhet të ndëshkohen nëpërmjet punës tonë. Ata duhet të ndëshkohen nga votat e jo vetëm të demokratëve por edhe të lëkundurve dhe biles duhet të synojmë edhe për më shumë, edhe tek të majtët e zhgënjyer. Çdo pretendim i kundërt do ishte shumë i dëmshëm për ne, do të na penalizonte me një opozitë tjetër 4-vjeçare”, ka deklaruar ai.
Por, teksa Çobaj flet për bashkim të demokratëve nga ana tjetër është selia e PD që vërtetoi fuqishëm ndasinë me demokratët e bashkisë duke mos bërë asnjë deklaratë në mbështetje të kryebashkiakes sa herë që kryeministri Rama sipas PD sulmoi Shkodrën.
Analiza
Në total nga 23 departamente vetëm për 5 prej tyre, kryetari Çobaj, ka një analizë pozitive: Departamenti i Organizimit dhe Burimeve Njerëzore, me drejtues Blendi Gjylbegaj. Departamenti i Arsimit, Kulturës dhe Shkencës me drejtues, Gentian Papa. Departamenti i çështjeve të punësimit dhe mbrojtjes së nëpunësit publik, me drejtues Ardjan Brunga. Departamenti Kontributeve historike Maxhid Cungu. Departamenti i Çështjeve Zgjedhore, me drejtues Besnik Kastrati. 18 departamentet e tjera kanë marrë kritika ndërsa disa prej tyre janë krahu i djathtë i kryebashkiakes Ademi si nënkryetari i bashkisë Arben Gjuraj apo edhe Shpëtim Quku me disa detyra.
Plani për shkarkim
Përpara se të zhvillohej kjo mbledhje, për kreun e PD-së së Shkodrës, ideja për të shkarkuar 18 drejtuesit e këtyre departamenteve dhe për t’i zëvendësuar me të tjerë, ka qenë e prerë. Në fakt, ndërhyrja e eksponentëve të tjerë brenda PD gjatë bisedave ka bërë që kreu Çobaj të tërhiqej nga kjo ide duke qenë se zgjedhjet parlamentare janë shumë afër dhe shkarkimi i 18 emrave do të krijonte një furtunë brenda demokratëve. E megjithatë për 4 prej tyre sërish kryetari Çobaj ka kërkuar që të largohen duke qenë se nuk janë aspak efiçentë dhe se “nuk e kanë gjetur veten”.
Debatet
Edhe gjatë mbledhjes së kryesisë, Xhemal Bushati që mban edhe postin e kryetarit të këshillit bashkiak i ka bërë të ditur kreut të PD se ka qenë ky i fundit që i ka emëruar drejtuesit e departamenteve dhe se nuk janë zgjedhur me konsensus apo me votim. “Para dy vitesh ka patur debate për drejtuesit e departamenteve sepse nuk janë zgjedhur me konsensus”-ka thënë Bushati. Drejtuesit e departamenteve, nga lidershipi i PD, janë tentuar që edhe të kenë të drejtë vote në kryesi, por pas debateve përgjigja e kryetarit Lulzim Basha ka qenë që të drejtë vote kanë vetëm anëtarët e zgjedhur me votë dhe askush tjetër.
Llogaritë për 2017
Në mbledhjen me grupseksionin 4 nga vetë kryetari Çobaj, por edhe deputetë të PD kërkua që demokratët të jenë të bashkuar dhe të bëhen gati për zgjedhjet e ardhshme duke lënë pas hatërmbetjet apo konfliktet e deritanishme. Pyetja që lind është se si mund të ndodh kjo gjë kur përçarja është më se e dukshme në këtë analizë për departamentet? Kjo frymë që ka nisur prej më shumë se 2 vitesh mund të bëjë që në zgjedhjet e 2017 PD në Shkodër të mos marrë më shumë se 4 deputetë. Mund të tingëllojë qesharake, por llogaritë kanë nisur të bëhen. Një deputet ndihet i sigurt në radhët e LSI, një tjetër po gatuhet tek Agrarja e Agron Dukës për qarkun e Shkodrës, Tom Doshi pritet që të kandidojë me një prej partive të vogla, por në koalicion me socialistët, pa llogaritur republikanët apo edhe ndonjë tjetër që po bëhet gati. PD-së dhe PS-së i mbeten 7 ose 8 vende për t’i ndarë me njëra-tjetrën, në rast se kjo formulë merr jetë në zgjedhjet e 2017.
Se çfarë i mbetet PD-së për të bërë e di vetë PD, por e copëtuar në 3-4 klane mund të përfundojë shumë më keq se sa e mendojmë.
Dështimi
Në mbledhjen e radhës të kryesisë së PD-së së Shkodrës vetë kryetari i saj Ramiz Çobaj i është drejtuar demokratëve duke pranuar inaktivitetin e pjesës më të madhe të departamenteve.
Çobaj
“Kundërshtarët i kemi përballë Ata duhet të ndëshkohen nëpërmjet punës tonë. Duhet të synojmë edhe tek të majtët e zhgënjyer. Çdo pretendim i kundërt do ishte shumë i dëmshëm për ne, do të na penalizonte me një opozitë tjetër 4-vjeçare”.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)