Partia Socialiste do të vijojë punën për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, ndonëse Sali Berisha njoftoi se do të tërhiqen nga diskutimet pas përplasjeve për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Ky është qëndrimi i dakordësuar mes socialistëve, të cilët zhvilluan mbledhjen e grupit në Kryesinë e Kuvendit, bashkë me kryesocialsitin Edi Rama.

Me shpresën se demokratët do të reflektojë deri më datë 22 janar kur nis sesioni i ri parlamentar, kreu i grupit të PS, Taulant Balla ua kujdes t’ia bëjë të qartë opozitës se në asnjë rast shantazhimet se do të bojkotojnë punën nuk do t’iu ecin me Partinë Socialiste. Balla paralajmëroi se nëse opozita nuk shkon të marrë pjesë në dy komisionet e posaçme, atëherë do të ndryshojnë formulën e komisioneve për anëtarë të barabartë, siç janë aktualisht, dhe PS do të marrë shumicën që të vijohet me punën.

Në mbledhjen e grupit të PS është deklaruar se do të vazhdojnë punën për dy reformat e rëndësishme dhe nuk do të vonohen për asnjë moment.

“Kushte, kërcënime, shantazhime me histori komisionesh apo votimesh në Kuvendin e Shqipërisë ndaj PS nuk ka. Me historinë që ne ikim, ata të shohin punën e vet, ne shohim punën tonë. Ne presim reflektim nga ana e tyre, por besoj se emocionet do tu kalojnë pas gjelit të detit dhe bakllavasë dhe në janar me sesionin e ri, ti rikthehen punës, në rast se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë ata e prishin dakordësinë për të mos marrë pjesë në komision, ne prishim dakordësinë për të ndryshuar shumicën në dy komisionet. Ne do respektojmë vullnetin e shqiptarëve që kanë caktuar kush është shumica, pakica nuk e merr dot peng nevojën e reformës. Gatishmëria jonë për tu ulur me opozitën për çdo çështje mbetet e njëjtë”, tha Balla.

BE kërkon bashkëpunim dhe sinjali i parë se reforma të tilla nuk mund të shkojnë përpara pa bashkëpunim me opozitën, u dha me anulimin e një tryeze të organizuar nga Komiteti i Helsinkit për Reformën Zgjedhore, ku bashkëkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi mungoi. Në limite palët kishin edhe ligjin e Financimeve të Partive Politike, por Brukseli u ka lënë edhe pak kohë.

“Komisioni evropian na ka thënë se për këtë kushtëzim (financimin e partive) mund të marrim kohë deri në fund të janarit apo shkurti", tha Balla. 

Për Avokatin e Popullit që nxiti revoltën e PD-së, Balla thotë se nuk mazhoranca nuk mban mbi supe asnjë mëkat.

“Ky është rasti më i mirë i zgjedhjes ndonjëherë të Avokatit të Popullit në Shqipëri. Kanë ardhur gjashtë kandidatura nga opozita dhe hynë të gjashta në votim dhe u zgjodh njëra prej tyre, fiks siç e propozuan edhe vetë partitë e opozitës”, vijoi Balla.

Grupi i PS-së i dha formë propozimit të kryeministrit Rama për ngritjen e një komisioni etike për të luftuar nepotizimin brenda partisë, duke caktuar kryetare komisioni ish-kryeparlamentaren Nikolla dhe 4 anëtarë Ermal Elezin, Erjon Malajn, Kiduina Zakën dhe Marjana Kocekun.

Mbledhjes iu bashkua kryeministri Rama së bashku me rishfaqjen e Ballukut për herë të parë pasi Kushtetuesja e riktheu në detyrë derisa të shqyrtojë ankimin e kryeministrit Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:08
Pazar PS-PD për Avokatin e Popullit? Balla: Pse e braktisën ‘Zgjedhoren’ e ‘Territorialen’? S’ka marrëveshje

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla u pyet nga gazetarët nëse mes PS dhe PD ka pasur një Pazar për të zgjedhur Endri Shbanain Avokat Populli, që opozitës t’i plotësoheshin kërkesat tek reforma zgjedhore dhe ajo territoriale. Por, Balla e mohoi të ketë një pakt të tillë mes tyre dhe kjo sipas tij dëshmohet edhe nga fakti se opozita është tërhequr nga puna e 2 komisioneve të posaçme.

Balla: I uroj suksese avokatit të ri të Popullit, ditën e enjte duhet të paraqitet në seancë për të kryer betimin. Besoj se ndajmë të gjithë vlerësimin që Shabani është një kandidaturë që vjen nga opozita. Mendoni se 36 mandate sa ka PD mund të zgjidhte një Avokat Populli? Duhet të zgjidhet nga ne, duhet të marrë dhe votat tona. Ky është rasti më i mirë i zgjidhjes së Avokatit të Popullit, kanë ardhur 6 kandidatura nga opozita, u futën të 6 në votim dhe u zgjodh një. Fiks siç e donte opozita.

Gazetarët: Lapaj e ka akuzuar për Pazar me PS dhe PD?

Balla: Këtij nuk i përgjigjen kurrë

Gazetarët: A ka Pazar me PD?

Balla: Të vijnë pra, se këta po ikin nga reformat. Fakti që këta nuk vijnë te reforma tregon se nuk ka marrëveshje.

Ora 12:00
PS ngre komision etike për nepotizmin në parti, ja kush e kryeson dhe cilët janë 4 anëtarët

1757929699_grupiipspsgrupigrupiparlamentarips.jpeg

Ngritja e një komisioni etike ishte ‘fryti’ i mbledhjes së grupit Parlament të Partisë Socialiste sot, ku i pranishëm ishte dhe kryesocialisti Edi Rama.

Burime për gazetaren e Report Tv, Raziela Myslimaj bëjnë të ditur se komisioni i etikës kundër nepotizmit brenda PS, do të kryesohet nga Lindita Nikolla.

Komisioni do të ketë anëtarë Kiduina Zakën, Erjon Malajn, Marjana Koçekun dhe Ermal Elezin.

“Mbledhja e Grupit ka pasur disa çështje, një prej tyre ka qenë një prezantim në vijim të një komunikimit publik në mbledhjen e asamblesë, ishte caktuar një kolege, Pirdenji për të prezantuar një draft të ngritjes dhe funksionimit të një komisioni etike në PS”, tha Taulant Balla pas mbledhjes së grupit.