Elis Halili u komandua sot në krye të Bashkisë së Vlorës, deri në zgjedhjet e pjesshme lokale, ku qytetarët do të zgjedhin me votë të parin e qytetit. Halili, një nga tre nënkryetarët e bashkisë së qytetit, u propozua nga socialistët për të drejtuar përkohësisht bashkinë pas dorëheqjes së Ermal Dredhës më 10 shtator, por kjo u kundërshtua nga këshilltarët opozitarë.

Mbledhja u zhvillua me tension dhe debate.Sipas këshilltarëve të opozitës, votimi duhet të kryhej në mënyrë të mbyllur me të tre emrat e nënkryetarëve, të Elis Halilit dhe dy të tjerëve Klea Lalo e Irena Toshkallari. Kjo shkaktoi debate gjatë mbledhjes dhe në përfundim në votim të hapur u hodh vetëm emri i Halilit, i cili mori 28 vota pro.

Për demokratët procesi i votimit është i paligjshëm, si edhe paralajmëruan padi në prokurori.

“Je në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës e rregullores. Do shkojmë në prokurori, nuk e lëmë këtë të iki kështu si doni juve. Për ca, për një kuti votimi. Po i keni vota votojeni”, tha Atird Hoxha.

Kreu i këshillit bashkiak Elpiniqi Mërkuri hodhi për votim propozimin e socialistëve, ndërsa këshilltarët e opozitës u larguan nga salla. Kështu me 28  vota të socialistëve në këshillin bashkiak, Elis Halili u komandua në krye të bashkisë së Vlorës.

Pas votimit, Halili mbajti edhe një fjalë të shkurtër duke shprehur falenderime. Kryetari i komanduar tha se në fokus të punës së tij do të jetë vazhdimësia e projekteve në të mirë të qytetarëve të Vlorë.

“Fati por edhe shkollimi që kam marrë janë inxhiner ndërtimi më ka sjellë prej 7 vitesh në Vlorë. Kam qenë pjesë e zbatimit të projekteve kryesore të këtij qyteti. Për mua është kënaqësi, por më shumë një detyrim që të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak më kanë besuar për të qenë një nga tre nënkryetarët për të drejtuar bashkinë në këtë periudhë tranzitore deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë. Gjatë kësaj peioudhe fokusi jonë kryesor, do të jetë vetëm në vazhdimësinë e të gjithë projekteve që do e bëjnë më të mirë jetesën e çdo qytetari”, tha Halili.

Halili vjen nga sektori privat, është me profesion inxhinier dhe ka drejtuar prej disa vitesh projektet e firmës "Fusha shpk" në Vlorë.

Më herët gjatë mbledhjes, opozitarët kërkuan praninë e Ermal Dredhës në mbledhje për të sqaruar arsyet e dorëheqjes. Dredha dha dorëheqjen nga detyra e kryebashkiakut të Vlorës më datë 10 shtator. Dredha, i cili drejtonte Vlorën prej muajit korrik 2023, në letrën e dorëheqjes e argumentoi dorëzimin e detyrës si një akt reflektimi dhe përgjegjësie, dhe se po largohet me dinjitet për “t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja”.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:32
Zgjedhja e kryetarit të komanduar të Bashkisë, PD e Vlorës: Elis Halili nuk përfaqëson interesat e qytetarëve

 

Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Vlorës, ku do të diskutohej zgjedhja e kryetarit të komanduar të bashkisë pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, u zhvillua me tension dhe debate mes këshilltarëve të PS dhe atyre opozitarë.

Pasi këshilltarët socialist votuan Elis Halili si kreun e komanduar të Bashkisë Vlorë, ka reaguar PD-e Vlorës.

Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD-në e Vlorës, Rezenbrik Serjani se emërimi i Halilit erdhi me urdhër të Ramës dhe Çuçit dhe se ai nuk përfaqëson qytetarët e Vlorës.

Bashkia Vlorë ka nevojë për një kryetar të mirëfilltë bashkie, një njeri që e njeh mirë qytetin dhe kërkon të jetë shërbestar i saj dhe jo grabitqar”, tha ai.

 

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë vlonjatë, në emër të Partisë Demokratike Vlorë, jam sot për të denoncuar një tjetër akt politik të turpshëm në Këshillin Bashkiak të Vlorës.

Sot, Këshilli Bashkiak i Vlorës, me votat e shumicës socialiste, shfaqi edhe një herë fytyrën e vërtetë të kapjes politike dhe shkeljes së çdo norme demokratike.

Me një zell të verbër, paligjshmëri e servilizëm, për të zbatuar urdhrat e sektit politik të Edi Ramës dhe komisarit të tij lokal, Bledi Çuçi, ky këshill jo vetëm që injoroi rregulloren e funksionimit të vet, por shkeli Kushtetutën dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.

Emërimi politik i një kryetari të komanduar për Bashkinë e Vlorës është dëshmi e qartë se ky Këshill nuk është asgjë tjetër veçse një noter i fundit që vulos vendimet e parapërgatitura në zyrat e Partisë Socialiste.

Kryetari i votuar me kartonat e turpit socialist pa legjitimitet dhe në kundërshtim me ligjin, u promovua nga propaganda socialiste si një “udhëheqës” i punëve publike, ndërkohë që në të vërtetë është një zbatues i projekteve më të dëmshme për qytetin: ngushtimi i rrugëve, kaosi në projektin e ujësjellësit, betonizimi pa kriter, shkatërrimi i Sheshit të Flamurit, ngushtimi i Bulevardit Vlorë-Skelë, të cilat janë ndërhyrje të pseudoprojekteve që kanë rrëmbyer miliona euro nga taksat e qytetarëve vlonjatë dhe e kanë bërë Vlorën të mos jetë më Vlorë.

Bashkia e Vlorës, nën sundimin e këtij klani politik, është shndërruar në një degë lokale të Partisë Socialiste, një zyrë ku interesi publik është zëvendësuar nga pazaret e pushtetit dhe korrupsioni urbanistik.

Kryetari i sotëm, i votuar me “jeshile” nga kartonët e shumicës socialiste, nuk përfaqëson qytetarët e Vlorës, por vullnetin e një grupi të ngushtë që synon të vazhdojë projektet grabitqare të mbetura pezull nga paraardhësi i tij të njohura tashmë për dështime e abuzime siç janë: grabitja e tokave në Kaninë, vazhdimi i shkatërrimit të Portit Detar, grabitja e pronës publike në Plazhin e Vjetër dhe në stadiumin e qytetit, e dhjetëra projekte të tjera prej nga qytetarët vlonjatë dhe Vlora nuk përfitojnë asgjë.

Sot, u komandua një kryetar i paligjshëm bashkie, për të firmosur paligjshmëri!

Bashkia Vlorë ka nevojë për një kryetar të mirëfilltë bashkie, një njeri që e njeh mirë qytetin dhe kërkon të jetë shërbestar i saj dhe jo grabitqar.

Vetëm një kryetar bashkie i zgjedhur nga opozita do të jetë zgjidhja përfundimtare e kapjes së Bashkisë Vlorë nga kthetrat e abuzimit, dështimit dhe korrupsionit.

Xh.D/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vlora: 22/09/2025 17:09

    O Zoti Kryeminister po nuk gjete nje nga vlora dhermiu himara po ka djem e vajza shume te mira e qe e duan vloren lule po e kthyet ne qytet te pa banushem po ke socialis plote Ervis Mocken djal vlore i shkollu po ku mi gjeni keta mjere populli se tufa me dera ka mblethe partia socialiste e vlores iken te shkolluarit zbriten lopcaret

    Përgjigju
  • Whocares: 22/09/2025 14:34

    Kujt do t'i sherbeje ai? Projekteve te Fushes apo popullit?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?