Pasi u konstituua mëngjesin e kësaj të marte, parlamenti i ri Europian nisi mandatin e tij të dhjetë. Seanca u hap nga presidentja Roberta Metsola, e cila u konfirmua në këtë detyrë me pjesë dërrmuese votash, 562 nga 623 eurodeputetë që votuan në total. Rivalja e saj Irene Montero arriti të merrte vetëm, 61 vota.

"Me mbështetjen tuaj, unë do të vazhdoj të punoj pa u lodhur për të bashkuar njerëzit. Kjo duhet të jetë një shtëpi që nuk mund të ketë frikë të udhëheqë  dhe të ndryshojë. Lufta ndaj agresionit rus mbetet në krye të axhendës sonë”.

Metsola u zgjodh për herë të parë në janar 2022, pas vdekjes së papritur të paraardhësit të saj, David Sassoli. Që prej asaj kohe ajo ka pasur një qasje aktive si presidente, duke thelluar lidhjet personale me krerët e qeverive dhe për t'u shpjeguar qytetarëve rolin shpesh të keqkuptuar të Parlamentit.

Në mandatin e tij të dhjetë, Parlamenti Evropian do të ketë 720 vende, 15 më shumë se në fund të legjislaturës së mëparshme. Lena Schilling nga Austria (23 vjeç) është eurodeputetja më e re, ndërsa Leoluca Orlando nga Italia i moshës 77 vjeç është më i vjetri.

I pranishëm në seancë ishte edhe eurodeputeti Fredi Beleri i cili u zgjodh në Greqi në siglën e partisë “Demokracia e Re” të kryeministrit Mitsotakis. Para nisjes së seancës ai u prit nga nënkryetari i Komisionit Europian Margaritis Schinas, i cili në rrjetet sociale shkruajti: “Evropa është liri e barabartë”!

Mediat greke shkruajnë se bashkëpunëtorët e Belerit janë të bindur se ai do të lirohet së shpejti, në mënyrë që në shtator të marrë plotësisht detyrën evropiane. Fredi Beleri shkoi në Strasburg falë lejes 5-ditore që mori nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke lënë qelitë e burgut të Fierit ku vuan dënimin për blerje votash në zgjedhjet e fundit lokale.