Mbretëresha Geraldinë rrëfen
tmerrin e luftës:S'kishim ku shkonim

Mbretëresha Geraldinë rrëfen<br />tmerrin e luftës:S'kishim ku shkonim
TIRANE- Gjermanët na ndjekin këmba këmbës...

Tërë ditën e tërë natën francezët kalonin pranë vilës sonë, duke mbartur ato që mundnin nga gjërat e tyre. Një natë Pontoise u bombardua rëndë dhe, meqenëse nuk ishte një objektiv ushtarak, Kryetari i Bashkisë na tha të largoheshim se ishte i bindur se pranija jonë i kishte sjellë bombardimin. U kthyem në Paris dhe qëndruam këtu deri tetë orë para ardhjes së gjermanëve. Pastaj mblodhëm ato plaçka, që mund të merrnim me vete, duke i ngarkuar në makinat, që kishim dhe u nisëm në Bordeaux.

Duke udhëtuar, karvani ynë i vogël u qëllua disa herë me mitralozë nga ajri, nga avionët që ktheheshin në bazë pas një bombardimi dhe një nga makinat tona u godit, por për fat të mirë, pa dëme. Im shoq tha që të qendronim në Orleans, qyteti më i afërt, por unë iu luta që të mos qendronim dhe të vazhdonim udhëtimin derin në pyllin më të afërt. Dhe aty qendruam dhe kaluam edhe natën. Me të vërtetë patëm fat që shkuam dhe qëndruam në pyll, sepse atë natë Orleans u bombardua rëndë.

Edhe më pas, gjatë çdo nate nëpër udhëtimin tonë të ngadalshëm, na duhej të kalonim për midis vargjeve të pambaruar të njerzëve, burrave dhe grave refugjatë, që shtynin kush karrot e dorës, kush karrot e rënda, mbushur me ato pak plaçka, që kishin marrë me vete, mes tyre edhe djepe të vegjël fëmijësh. Edhe ne fjetëm nëpër pyje ose në fushën e hapët, larg qyteteve.
Disa herë francezë zemërbardhë na hapën shtëpitë e tyre. Më vjen ndermend një zonjë e re, që priste për të lindur fëmijën e parë. Një vajzë e vogël lindi disa ditë më vonë dhe, për nderin tonë, i dhanë emrin Geraldinë.

Kishim telefonuar më përpara për të porositur dhomat në një hotel në Bordeaux, por kur erdhëm e gjetëm hotelin të zënë nga ushtria franceze dhe komandanti nuk na pa me sy të mirë. Por një nga princeshat ishte e sëmurë rëndë dhe, pa dashur, iu desh të lirojë një dhomë për mua dhe Lekën. Kryetari i Bashkisë na ofroi shtëpinë e tij për Mbretin dhe Familjen e tij. Pas kësaj morëm lejen të futemi në një sallë të zbrazur.

Gjendja aktuale politike po keqësohej me shpejtësi. Mbreti Zog u takua me ambasadorin spanjoll dhe i kërkoi të drejtën e strehimit politik në Spanjë. Franko u përgjigj se do të na pranonte nëse do të mund të vononim arritjen tonë dhe për disa ditë më pas. M’u duk se nuk na kishte mbetur asnjë shteg në Europë, asnjë vend ku të futnim kokën. Në çdo orë gjermanët afroheshin si një valë që nuk i del gjë përpara. Kur të arrinin çdo të na gjente neve? Sigurisht që do të na kapnin dhe ndofta do të na pushkatonin...
 
Shpresa e fundit
Po, na kishte mbetur shpresa e fundit. Dhe kjo ishte Anglia.
Im shoq shkoi poshtë tek zyra e vogël telefonike dhe nisi një telegram, duke kërkuar strehim në Angli. Brenda pak orëve erdhi përgjigja dhe na u dorëzua aty, në konventin ku ndodheshim. Thoshte, me sa më kujtohet, kështu: “Ejani pa humbur kohë. Udhëzimet i janë dhënë Konsullit Britanik në Bordeaux.”

 Vetëm dy anije kishin mbetur në skelë, por konsulli na premtoi se do të zinim vend në njerën prej tyre në mëngjesin e ardhshëm. Kur u bëmë gati mëngjesin tjetër, mësuam se të dy anijet ishin nisur gjatë natës pa marrë asnjë urdhër. Njëra nga ato ishte goditur gjatë kalimit të kanalit. Në mes të zhurmës dhe të kaosit të papërshkruar, Konsulli na tha se ende gjendej një anije në St. Jean De Luz. Ai do t’i dërgonte udhëzimet kapitenit që të na merrte me vete. Shkuam me të shpejtë të merrnim gjerat tona, duke kërkuar që të niseshim sa më shpejt. Fëmija im rrinte mes valixheve dhe dëngjeve me plaçka të ndryshme, i çuditur në tërë këtë rrëmujë, që nuk e kuptonte dot. Për ta pushuar që të mos qante, i dhashë të thithë ushqimin e tij, që e mori qetësisht, sikur nuk po ngjante gjë rreth nesh.

Në St. Jean De Luz ishte një kërdi e madhe, mbushur me njerëz të dëshpëruar, kryesisht hebrenj, që ishin rreshtuar para konsullatave spanjolle dhe portugeze, për të marrë leje për të hyrë në këto vënde. Shumë kishin vrarë veten në dëshpërimin e fundit. Disa nëna kishin dalë menç fare duke vazhduar të shtrëngonin në krahë fëmijët e tyre, që kishin dhënë shpirt. Më dukej sikur po jetonim brenda një ferri të vërtetë.

Nuk gjendej asgjekundi ushqim i asnjë lloji. Për fat të mirë kisha ruajtur disa kuti qumështi për Lekën. Sa për ne të tjerët, në këto kushte, as që na shkonte mendja për të ngrënë.
Më së fundmi arritëm tek kapiteni dhe na u lëshua vendi në anije mes francezëve, polakëve dhe çekëve, që shkonin në Angli për të vazhduar së andejmi luftën e tyre kundër Boshtit. Dhe ndërsa anija jonë e vogël e ngarkuar deri në grykë, u nis në një det të qetë dhe mëshirues, thashë pa zë një lutje të heshtur, jo vetëm për ne dhe vendin tonë, por për të gjithë ata që vuajnë anë e mbanë në Europë dhe në Botën e tërë.

     Në verën e vitit 1940 Mbreti Zog dhe unë, me fëmijën tonë, Princin Leka dhe anëtarë të tjerë të familjes dhe të pallatit arritëm në Liverpool me anijen më të fundit, që u nis nga Franca. Nuk dinim se çfarë do të na sillte e ardhmja. E dinim se nuk mund të na ngjante më keq se çfarë na kishte ngjarë dhe se çfarë kishim pësuar. Kishim humbur vendin tonë dhe gati kishim qenë duke humbur dhe jetën, duke lënë Shqipërinë tonë të dashur...

     Kur anija jonë arriti në port, oficerët britanikë të portit na zbritën para të tjerëve dhe na kaluan pa u kontrolluar nga dogana e shtetit. Megjithëse ne treguam gjithshka kishim, duke hapur valixhet e parave, që kishin tërë pasurinë tonë. Britanikët nuk na morën asnjë lloj takse doganore. Në fakt u treguan shumë miq dhe na përkrahën sa s’ka më. Prej andej shkuam në një hotel derisa të vinte treni që do të na çonte në Londër. Kur arritëm morëm disa taksi, pasi ishim gati dyzetë vetë dhe u nisëm në Hotel “Ritz”.

Zgjodhëm këtë hotel për dy arësye, së pari sepse mbreti kishte qendruar këtu në ditë të lumtura dhe, e dyta, se si pasojë e Luftës, hotelet e mëdhenj ishin gati të zbrazur dhe, në këto rrethana, mundëm të gjejmë vend me kushte shumë të mira dhe të lira. Ishte më lirë për ne të jetonim të tërë në Ritz, se sa të merrnim me qera një shtëpi të përshtatshme se kudoherë duhet të kishim parasysh kushtrimin ajror.
    
Natë terrori...
Ajo që më ra në sy në Angli më shumë se çdo gjë tjetër, pasi kalova nëpër rrëmujën e kontinentit, ishte gjakftohtësia e çdo njeriu. E di që gjakftohtësia dhe qendresa burrërore janë karakteristikat e britanikëve, por kurrë nuk i kisha parë si tani, në çaste kritike si këto që po kalonim.

Disa nga miqtë e mi në Shtetet e Bashkuara na telegrafuan duke na thënë se ishin gati të na strehonin, të paktën birin tim që do të ishte i sigurtë. Më erdhi çudi për këto propozime, sepse isha e bindur se nuk kishte asnjë vend më të sigurtë se sa Anglia. Me tërë luftimet që bëheshin në Europë, nuk më shkonte mendja se Anglija do të pushtohej. Dhe kështu mendonin tërë anglezët që takova.

Jeta jonë në Londër shpejt u bë jetë e zakonshme. Im shoq shpesh herë bisedonte me krerë të tjerë të qeverive në mërgim si De Gaule, Sikorski, Benes, etj. Edhe Qeveria Britanike e merrte mendimin e tij për çështje, që kishin të bënin me politikën e Lindjes së Mesme. Përsa më përkiste mua isha shumë e kënaqur se isha e lirë të shtisja me birin tim në Green Park.
Një ditë, kur po kthehesha nga kisha, të dielën në mëngjes, në shtator, dëgjova sirenat e para, që lajmëronin sulmet ajrore.

Që nga kjo kohë, gjatë betejës së Britanisë dhe gjatë tërë vitit të ri, sulmet ishin të shpeshta dhe të rënda. Zhurma ishte e tmerrshme dhe shurdhonjëse, sepse hoteli ynë gjendej shumë afër baterive kundërajrore, saqë nuk ishte e mundur të mbyllnim sytë për shumë kohë. Leka im u zverdh shumë dhe trupi i dridhej nga këto krisma e gjëmime të jashtëzakonshme. Sapo fillonin të binin, shërbyesit e hotelit vendosnin dysheqet në një dhomë poshtë shkallëve për atë, për infermieren dhe për mua. Aty, megjithëse nuk ishim më të sigurtë, të paktën ishim më të qetë nga zhurmat dhe mund të flinim pak.

Një mbrëmje një nëpunës nga Ministria e Jashtme erdhi të takohet me Mbretin për punë të ngutshme zyrtare. E pyeti nëse Mbreti dëshironte të nisej me të aguar për në Greqi për të organizuar vullnetarët shqiptarë në luftën për çlirimin e vendit. Mbreti e pranoi menjëherë këtë propozim dhe, ndërsa e dija në zemër se Ai do ta pranonte një propozim të tillë, nuk e di sepse m’u mbush shpirti me një ndjenjë frike...

Të nesërmen, në orën gjashtë, pritëm që të arrinte vetura e Ministrisë, por asgjë nuk po shihej. Pastaj adjutanti ynë shkoi në Ministrinë e Jashtme të mësonte se çfarë kishte ngjarë. Dukej se Kryeministri i Greqisë, Metaksaj, kishte dërguar një radiogram nga Athina duke thënë se nuk kishte ardhur çasti për ndërhyrjen e Mbretit. Nuk ka dyshim se ne nuk e pritëm mirë këtë lajm, por në të vërtetë patëm fat që Mbreti nuk u nis, sepse ai avion që do ta çonte Mbretin në Athinë, u godit udhës dhe tërë udhëtarët u vranë.

Në maj të vitit 1941 sulmet ajrore u bënë shumë të rënda. Gjatë sulmeve unë e mbuloja fëmijën me trupin tim dhe, megjithëse ishte një dy vjeçar, Leka më thoshte vazhdimisht: “Mos ki frikë, mama, mos ki frikë!”

Mirë, por edhe megjithëse Leka nuk kishte frikë, unë kisha dhe iu luta tim shoqi që të na gjente një vend banimi jashtë qytetit, jashtë këtij ferri të përditshëm. Deri atëhere Mbreti Zog kishte ngulur këmbë të mos ikte jashtë Londrës. Mendonte se kishte kaluar shumë kohë duke rendur andej këndej dhe, kur londinezët mundeshin ta duronin këtë terror natë për natë, Ai dëshironte t’u tregonte se mundej dhe dëshironte që ta duronim edhe ne. Por efekti i bombardimeve edhe në shëndetin e djalit tonë fillojë ta bënte merak dhe, kësisoj, u bind të merrnim një shtëpi me qera jashtë Londrës.
 
Një shtëpi në fshat...
Gjeta një shtëpi në Ascot dhe shkova atje me tim bir, infermieren e tij dhe disa oficerë. Sapo e vumë në gjumë djalin atë natë, sirenat filluan të binin përsëri. Tërë natën shëtisja nëpër kopësht vetëm dhe ishte e pamundur që të flisja në telefon me Mbretin, sepse linjat e telefonit ishin prerë. Flakët, që dilnin nga zjarret e ndezura në Londër, njëzetë milje larg, ishin kaq të mëdhenj saqë unë mund të lexoja gazetën nën dritën e tyre. Kjo natë ishte në datën 10 maj 1941. Sulmi ajror më i tmerrshëm i tërë Luftës, kur brenda pak orëve u bë kërdija në djegie e në shkatërrime, saqë zjarri i madh i qindrave viteve më parë, nuk kishte asnjë përgjasim.

Ditën tjetër më vajti shpirti në vend kur pashë tim shoq dhe tërë njerëzit e tij që të arrinin shëndoshë e mirë dhe të qetësoheshin menjëherë në jetën e Ascotit. Me kohë blemë një karro të vogël dhe një gomarickë për të dëfryer djalin tonë dhe të tërë ne e ndiemë veten më mirë, për herë të parë të lumtur që nga dita që e lamë me kaq rrëmbim Shqipërinë e dashur.

Pastaj, fare papritur, morëm vesh se disa nga valixhet tona, rreth pesëmbëdhjetë, kishin mbrritur nga Franca në Liverpool. Ne i kishim lënë këto valixhe në një nga skelat e St. Jean De Luzit, por një sekretare besnike kishte marrë masa që t’i dërgonte në Spanjë para se të vinin nazistët. Tani, për çudinë më të madhe, nga Spanja po na gjenin në këtu në Londër. Valixhet u vunë në një magazinë në Liverpool derisa të shkonim t’i merrnim ne. Si për ironi, valixhet e shkreta, që besnikërisht na kishin ardhur pas, që nga kaq larg dhe në kaq rrethana të çuditshme, po atë natë u dogjën në magazinë nga sulmet ajrore me bomba ndezëse...

Megjithëse jeta në Ascot ishte e kënaqshme, ishim shumë ngushtë për vend dhe për këtë shkak Qeveria Britanike pranoi që të merrnim me qera çdo shtëpi të bollshme që mund të gjenim, po të mos ishte e zënë nga ushtria për qëllime të tjera. Një ditë lexova në gazetë se Lord Parmoor kishte vdekur dhe pallati i tij, afër Frieth, kishte dalë për t’u dhënë me qera. Shkova menjëherë dhe nënshkrova në çast me agjentin e tij një kontratë të gjatë qeraje. Dhjetë minuta më vonë Komanda Ajrore Mbretërore kërkoi ta merrte me qera për shërbimet e oficerëve të aviacionit. Por kishte ardhur dhjetë minuta me vonesë. Kështu, të dyzetë vetët që ishim, u futëm brenda dhe filluam të jetonim mirë, pasi kishim vende me bollëk për të gjithë.

Personaliteti i tim shoqi ishte i tillë saqë nuk më bie ndër mend asnjë shamatë midis kaq njerzëve të ndryshëm në moshë dhe në opinione. Një nga pasuesit tanë ishte doktor në shkencat politike dhe unë fillova të studioj politikë dhe ekonomi. Sikur të mos ishte kujdesi që të mos e lija për një kohë të gjatë tim bir vetëm, do të kisha vazhduar kursin e grave në Oxford.

Të vetmit shërbëtorë që kishim këtu, ishin një burrë që kishte kujdesin për ngrohjen e pallatit dhe një grua, që vinte përditë për të na ndihmuar në larjen e pjatave dhe për pastrimin e dhomave. Dy herë në muaj shkoja në Londër për t’u parë me miqtë e mi, Lordin Darley, unë jam kumbare e djalit, Adamit, dhe Sir Julian Amry, që më vonë u hodh me parashutë në Shqipëri dhe bashkëpunoi në organizimin e rezistencës. Dhe kaloja pak kohë me Dalrymple dhe Champney, miq të tjerë të mirë.

Unë dhe Mbreti u bëmë miq me ambasadorët e Egjiptit dhe të Brazilit, ku dhe dëgjuam lajmin e madh që Lufta e Dytë Botërore mori fund, në maj të vitit 1945. Dukej si gjë e çuditshme atëhere, por e shikuar në kohën e tashme, ishte një lloj profecije, sepse biseda jonë në atë çast të veçantë, rridhte rreth mundësisë së keqësimit të marrëdhënieve me Rusinë Sovjetike, planet e të cilës për shtrirjen e komunizmit ishin të hapta...

Shkrimi u publikua sot (9.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)