Si sot, më 14 shkurt të vitit 1990, mori nënshtetësinë shqiptare, Shenjte Tereza.
“Tereza”, siç e njohu mbarë bota Anjezë Gonxhe Bojaxhiun, iu kushtua murgërisë që në moshën 18-vjeçare.
Nënë Tereza e Kalkutës, shenjtorja shqiptare, me veprat e saj të panumërta të bamirësisë dhe shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe përkujdesjes arriti të pushtojë botën dhe të fitojë Çmimin Nobel për Paqen.

Gruaja me një fizik shumë të vogël, por me zemër tepër të madhe që pushtoi tërë botën lindi më 26 gusht 1910 në Shkup dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.
Gonxhja ishte fëmija i tretë që vinte si fryt i kurorës së vënë mes Nikollë Bojaxhiut nga Mirdita dhe Drane Barnajt nga Gjakova.
Mësimet e para dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Pasionet e saj vajzërore ishin mësuesia, të shkruarit, diktimi i poezive dhe muzika, të cilat të marra në ansambël pasqyrojnë ndijimet e thekshme që e prinë drejt vokacionit sipëror, fesë.
Më 26 shtator 1928, Nënë Tereza la Shkupin për të nisur misionin e saj fisnik në shërbim të të pamundurve, pa ditur se prej kësaj dite, do t’u jepte lamtumirën për së gjalli nënës dhe motrës së saj. U vendos në Kalkutë të Indisë, ku fillimisht qe mësuese, sikurse dëshironte që në vogëli. Më pas, u caktua drejtoreshë e shkollës së atyshme të vajzave.
Në kuadër të shërbesës së përkushtuar ndaj nevojtarëve, themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951). Për këtë përulësi të pashembullt, do të vlerësohej në vitin 1979 me çmimin Nobel për Paqe, prej nga ku u mësua në mbarë globin kombësia e saj shqiptare.
Në pasqyrën përmbledhëse të veprimtarisë së “shqiptares trupvogël” në Kalkutë në mesin e viteve ‘80, përmblidheshin: kujdestaria e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekimi i 960,000 të sëmurëve në 213 dispanseri, trajtimi i 47,000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, përkujdesja ndaj 3,400 të moshuarve të braktisur dhe birësimi i 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.
Nënë Tereza mbylli sytë përgjithmonë më 5 shtator 1997. U shpall “E Lume” nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003, ndërsa shenjtëria e saj u përjetësua edhe me titull nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.
Por Nënë Tereza vazhdon të jetojë mes nesh përmes frazave, thënieve, aforizmave që na çojnë drejt dashurisë absolute.
E gjithë jeta dhe vepra e saj ofrojnë dëshmi për gëzimin që sjell dashuria dhe vlerën e gjërave të vogla të bëra me shumë dashuri./ Gazeta "Si"
J.GJ./Shqiptarja.comKomente

