Më 18 shtator nis Censi 2023, Rama: Proces me standarde e të dhëna reale! Mesazh-Athinës: Leksione për minoritetet s'na jep askush, jemi model

TIRANË- Më 18 shtator do të nisë Censusi i Popullsisë dhe Banesave!  Mbi mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave janë angazhuar për numërimin e të gjithë popullsisë dhe banesave dhe të dhënat do të mblidhen në 6 javë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot (13 shtator) i pranishëm në konferencë hapëse për Cencin dhe gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe nevojën që të kryhet sipas standardeve të BE-së.

Për kryeministrin, institucioni i INSTAT tashmë është çliruar nga politika, ndërsa theksoi se prej 4 vitesh kanë vijuar përgatitjet për kryerjen e këtij procesi. Kreu i qeverisë nënvizoi se është me rëndësi që që numri i shqiptarëve që jetojnë në vend të jetë real.

“Është e rëndësishme për vendin tonë që numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend të jetë real që askush të mos thotë as që janë shumë dhe e i keni shtuar rrugëve dhe as që janë pak, e duke qenë pak jeni një vend që nuk meritonin vëmendjen që pretendoni” tha Rama.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek minoritetet në vend dhe tha se ndihet krenar për mënyrën sesi shteti jonë i trajton e shtoi se ligjin për minoritetet e kemi optimal dhe rrezatues. Një mesazh të fshehur e kishte edhe për Athinën zyrtare e cila akuzon qeverinë shqiptare për arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Rama e bëri të qartë se leksion Shqipërisë për minoritetet nuk i jep asnjë vend.

I pranishëm në konferencë ishte edhe ambasadori Luigi Soreca, i ngarkuari me punë i Bashkimit Europian në Shqipëri. Për kryeministrin Rama prania e tij është një ogur i mirë për procesin. Vetë Soreca tha se është e rëndësishme që ky Cens të ketë informacion të besueshëm statistikisht. Sipas kreu të delegacionit të BE-së janë mobilizuar 4.8 milionë euro në grante për INSTAT për mbështetjen e këtij procesi.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Do të përfshihen mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Grumbullimi i tyre do kryhet me pajisje elektronike. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.

Në modulin për individ do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë.

Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet me 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024.

Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:34
Drejtoresha e INSTAT: Kemi trajnuar 7500 persona për Censin! Anketuesit do të trokasin derë më derë me tablet

 

Drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli ka dhënë më shumë detaje sot sa i takon Censit të 12-të të Popullsisë dhe Banesave në vendin tonë. Ajo u shpreh se ky aktivitet statistikor është një e mirë publike që do t’u shërbejë të gjithë sektorëve.

“Ky është Censi i 12-të, ,më i fundit ishte ai i vitit 2011, e tashmë ky i vitit 2023 që ndjek rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe të Komisionit Europian. Përse ka fokus një aktiviteti statistikor? Ky aktivitet me rëndësi jo vetëm për të ofruar informacione për vendimarrësit dhe hartuesit e politikave, bazuar në shifra, por edhe për vetë lehtësimin që do krijojë në rezultatet e prodhuara nga ky aktivitet për një planifikim më të mirë, për kopshtet, shkollat, spitalet, parqet, rrugët e të tjera. Do lehtësojë komunitetin e biznesit për vendimmarrje mbi planet e tyre zhvillimore, do të jetë një bazë për krijimin e regjistrave statistikorë të rezidentëve në ven, të ndërtesave dhe banesave dhe kjo për faktin që Censi i radhës të mos realizohet më derë më derë, por të bazohet në regjistra administrativë. Së fundi dhe më e rëndësishmja: Është një e mirë publike për të gjithë komunitetin tonë.”- tha Dhuli.

Por, çfarë do të ofrojë ky Cens? Dhuli thekson se do të grumbullohen të dhëna për numrin e saktë të popullsisë në Shqipëri, numrin e banesave, të dhëna për punësimin, strehimin etj.

“Do të ofrohen të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, ekonomike në nivelin më të detajuar gjeografik. Do të ofrojë të dhëna për të vlerësuar ndryshimet e popullsisë, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Ky aktivitet nuk mund të realizohet pa rekrutimin e një armate të madhe e cila janë baza jonë kryesore për monitorimin e këtij aktiviteti.”

Për të mbledhur këto të dhëna janë trajnuar 7500 persona, të cilët sipas Drejtoreshës së INSTAT do shkojnë derë me derë me tablet në dorë për të bërë pyetjet e përgatitura.

“Pjesë e skuadrës tonë janë 7500 persona, 5240 mijë anketues që do të trokasin derë më derë,
do të montirohet procesi i tyre, jo vetëm në terren, por edhe nga ana teknologjike. Nuk dilet në terren pa një trajnim të mirëfilltë, për 6 javë kemi trajnuar 7500 persona që të dinë të përdorin tabletin, të dinë si të komunikojnë, të dinë përmbajtjen e pyetësorit. Do të pyesim për ndërtesën, njësitë ekonomike, për individin, vizitorët dhe të larguarit. Grumbullimi do kryhet me pajisje elektronike, por siguria që ofron INSTAT është se të dhënat individuale do të mbrohen sipas legjislacionit dhe patjetër në fund do të shpërndahen në mënyrë të agreguar.”

Ora 10:47
Rama: Leksione për minoritetet Shqipërisë nuk i jep dot asnjë vend

Në konferencë për Censin e Popullsisë, kryeministri Edi Rama tha se ndihet krenar për mënyrën sesi shteti shqiptar trajton minoritetet. Kreu i qeverisë shqiptare tha se ne kemi një ligj për minoritetet, optimal e rrezatues. Në fund të fjalës së tij Rama tha se askush nuk mund t’i japë mend Shqipërisë për mënyrën si trajtohen minoritetet.

'Jam shumë krenar për mënyrën sesi Shqipëria i ka integruar dhe sesi në Shqipëri trajtohen të gjitha minoritetet pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë diskriminim dhe nëse ka probleme për dikë apo për disa në një komunitet etnik tjetër, janë probleme që janë njësoj në komunitetet me etni shqiptare. Nuk ka asgjë të ndryshme. Nuk ka një minoritar të vetëm që mund të ngrihet dhe të thotë unë kam një problem që lidhet me faktin që jam me një etni tjetër dhe këtë problem nuk e gjeni dot tek askush që është me kombësi shqiptare. Nuk ekziston. Prandaj ne e dimë shumë mirë që ka në çdo aspekt gjëra për t’u përmirësuar edhe për minoritetet, për jetën e tyre, për mirëqenien e tyre siç ka për të gjitha komunitetet me kombësi shqiptare, por jemi në një pozitë që mund ta themi me plot gojën leksione për minoritetet, Shqipërisë nuk i jep dot askush. Asnjë vend! Zero!'- tha Rama.

Ora 10:37
Rama: INSTAT i çliruar nga politika, nuk përgatiten më limonata me rritje dyshifrore të Shqipërisë duke e nxjerrë prapa Kinës

 

Kryeministri Rama tha se INSTAT tashmë është çliruar nga politika dhe sa vjen e bëhet më profesionale përkunder të kaluarën e hidhur ku fshikullohej nga ndërkombëtarët për statistika të pabesueshme.

"INSTAT sot është tërësisht i çliruar nga politika. Nuk merret më me qoka politike dhe as nuk përgatit limonta me rritje dyshifrore të Shqipërisë me zhvillimin më të shpejtë në botë diku aty pak hapa prapa Kinës dhe as nuk bëhet shkak që Shqipëria të fshikullohet për statistika të pabesueshme siç ndodhte në të shkuarën"

Ora 10:28
Rama batuta me ambasadorin Soreca: Meriton titullin legjendar

 

Kryeministri Edi Rama në konferencën për Censusin e Popullsisë dhe Banesave, ka bërë një batutë me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca. 

Rama e cilësoi një legjendë ambasadorin dhe tha se “këmba e Luigit është e mbarë dhe do të jetë me siguri një ogur i mirë” për procesin.

“E kam të pamundur të mos shpreh kënaqësinë e posaçme që sot në këtë prezantim të një tjetër nisme shumë të rëndësishme, por e cila do të ishte e pamundur pa ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve jam së bashku me ambasadorin Luigi Soreca i cili me rikthimin e tij në Shqipëri, qoftë dhe për pak muaj për arsye të procedurave në Bruksel meriton titullin legjendar. Sepse vetëm në legjenda ndodh që ata që ikin përgjithmonë të rikthehen përsëri. Nga ana tjetër duke pasur parasysh që sa shumë punë të mira dhe sa projekte të rëndësishme janë realizuar në Shqipëri pas këtyre lloj prezantimeve në kohën e qëndrimit këtu të Luigit besoj që mund të them pa drojë se këmba e Luigit është e mbarë dhe do të jetë me siguri një ogur i mirë që ky prezantim jo i imi, por i Luigit këtu, edhe për suksesin e një nisme të jashtëzakonshme për nga rëndësia, për nga përmasa, për nga vështirësia për t’u realizuar me sukses”, tha Rama.

M.Q./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 13/09/2023 11:06

    Kush thot qe jam minoritet duhet ta vertetoj ne tre breza qe nuk eshte shqiptar Ne te kunderten ku nuk e verteton dot ai do jet ndonje perfitues 300 eurosh nga ndonje shtet qe ka pretendime territoriale ndaj shqiperis

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë