Duke rilexuar këto ditë në gazeta tekstin e rezolutes për çështjen “çame”, paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë në prill të vitit 2004, mendimi i parë që më shkoi në mendje ishte se do ta votoja me të njëjtën bindje si atëherë. Pse? Pa u shpërndarë nëpër arsye të natyrës historike, patriotike apo politike, që gjithsekush i formulon dhe i peshon me peshoren e tij, po ndalem në dy -tre arsye më gjithpërfshirëse, që duhet të jenë gjithnjë themeli i një dokumenti parlamentar, siç është Rezoluta.

E cila nuk është asgjë nga një pikpamje pasi nuk ka fuqi ekzekutive, por është edhe shumçka nga një pikpamje tjetër pasi ekspozon qëndrimin e përfaqësuesve të popullit për çështje të një ndjeshmërie të veçantë, siç është në rastin konkret problemi i pazgjidhur çam.

Në këtë kontekst, sa herë shtrohet çështja për të hartuar një rezolutë që ngërthen çështje të politikës së jashtme, të marrëdhenieve me fqinjët, apo të problemeve të pazgjidhura të historisë, llogaria në rrafshin politik nuk bëhet “duam apo nuk duam”, pasi përgjigja e shumicës dërrmuese është apriori “duam”; llogaria bëhet vlen apo nuk vlen, rregullon punë apo prish punë në funksion të zgjidhjes së problemit.

Këtu futen në lojë kapacitetetet e politikbërjes efektive, që janë një gjë tjetër nga aktet e tipit “fola, shpëtova shpirtin”, ndërsa nuk kanë ndërkaq asgjë të përbashkët me propagandën apo populizmin e rezolutave për rezoluta.

Thënë këto, duke u kthyer te projektrezoluta e vitit 2004, shoh se një arsye gjithpërfshirëse për ta votuar ka qenë teksti i urtë, që as fsheh, as provokon dhe që zbut në kuptimin e mirë të fjalës efektet që krijon në kumbimin e parë fjala Rezolutë.

E përgatitur atëherë me profesionalizëm nga deputetët e Partisë së Ballit Kombëtar, projektrezoluta i jepte përgjigje njërës prej pyetjeve të thjeshta, por bazike që ngërthen përballja me problemin e madh të deportimit të popullisë çame nga trojet e veta prej qeverisë greke në përfundim të luftës së dytë botërore: Do ta zgjidhim me Greqinë, apo pa Greqinë këtë problem? Përgjigja pa ekuivoke ishte: Me Greqinë.

Me parlamentin dhe qeverinë e saj. Me Greqinë, sepse pronat dhe trojet e çamëve të dëbuar ndodhen në territorin e Republikës së Greqisë. Me Greqinë sepse kemi si vend një gamë të gjerë marrëdhëniesh të fqinjësisë së mirë dhe partneritetit të ndërsjelltë, që duhet t’i çojmë përpara. Me Greqinë sepse Greqia është vend i NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Me Greqinë sepse ekzistojnë në familjen e re europiane shembujt e kapërcimit të padrejtësive të luftës ndaj popullisive civile dhe elitat e reja greke të kohës sonë , që nuk kanë përgjegjësi për atë që ka ndodhur rreth shtatë dekada më parë, nuk kanë përse bëjnë përjashtim. Ky enumaracion mund të zgjatet edhe më.

Është e qartë se po të kishte zgjidhje pa Greqinë nuk do të ishte nevoja të bëhej një Rezolutë, edhe pse Shqipërisë, në çdo rast, do t’i shkonte e do t’i interesonte ta zgjidhte me Greqinë. Gjithsesi, ekspertët e specializuar të çështjes mund të kenë ide të tjera për zgjidhjen eventuale në aulat e drejtësisë ndërkombëtare.

Në këto aula, Greqia mund të jetë një palë e paditur dhe këtu nuk ka vend për Rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, një zgjidhje pa Greqinë, që do të nënkuptonte luftën, përjashtohet.

Një vlerë tjetër e rëndësishme e rezolutës së parë ishte konceptimi i saj si një problem i pazgjidhur jo vetëm i një popullsie të dëbuar, që ka qenë minoriteti shqiptar në Greqi dhe duhet të gëzojë të drejtat pronësore dhe çdo të drejtë që i njohin konventat ndërkombëtare të njohura edhe nga Greqia por, më gjerë se kaq, si një problem mes dy vendeve, si një problem i Greqisë, i koshiencës së saj në dritën e trashëgimisë antike dhe realiteteve të reja bashkohore të integrimit europian.

Greqia e vjetër, ku është përkundur qytetërimi i shekujve deri në ditët tona, është një referencë krenarie edhe për ne që jemi një vend fqinje me të. Bashkë me vlerat e tjera, ky qytetërim udhëton nga antikiteti në përjetësi me ndjenjën e madhe pastruese të vrasjes së ndërgjegjes dhe pendimit për shkatërrimin e Trojës.

Siç ka pohuar shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, remordi dhe pendimi për Trojën u kanë dhënë jetë kryveprave të letërsisë antike, si bartëset më autentike të qytetërimit në fjalë. Krahasimet gjithnjë çalojnë, por skenat me gra, pleq dhe fëmijë të terrorizuar, që shkulen me dhunë nga shtëpitë e tyre, janë si një jehonë trojane në fatin e popullisisë civile çame në fund të luftës së dytë botërore.

Greqia nuk do të jetë dot ajo që dëshiron të jetë dhe nuk do të mund të bashkohet me lavdinë e saj, pa zgjidhur padrejtësinë e papërjetsueshme të shtetasve të saj came me kombësi shqiptare.
Nëntë vjet pas paraqitjes në Kuvendin e Shqipërisë të rezolutës së parë për çështjen “çame”, kanë ndodhur zhvillime në Shqipëri.

Çamët, ndoshta jo të gjithë, janë organizuar në një parti politike me emrin PDIU. Sado paradoksale të duket, organizimi i tyre si shoqatë ka qenë, sipas meje, më efektiv se sa organizimi si parti. Dalja si parti e ka përfshirë çështjen e tyre në mekanizmin shpeshherë pervers të interesave elektorale, por edhe e ka ngushtuar si të tillë pasi politika dinake nuk e ka për gjë të lajë duart duke thënë “ tani ata kanë partinë e tyre”, “i dalin zot vetë”, kur në fakt çështja çame vetëm çështje partiake nuk është.

Zhurma, debatet dhe lëvizjet për rezolutën e re të këtyre ditëve reflektojnë pikë për pikë pohimin se interesi në qarkullim është piksëpari elektoral. Dhe duke qenë i tillë shanset për avancim i ka më të pakta. Nuk kam patur rastin ta lexoj tekstin e projektrezolutës së re. Nuk mund ta di a kanë shkuar përpara propozuesit në raport me rezolutën e vitit 2004.

Një një pikë besoj se janë në një linjë me rezolutën e vjetër: që mendojnë ta zgjidhin me mbështetjen e gjithë faktorëve politikë shqiptarë dhe me Greqinë. Nëqoftëse është ky parimi- dhe ma merr mendja se nuk mund të këtë parim tjetër- atëherë e gjithë politika e partisë çame duhet të derivojnë natyrshëm prej parimit themelor.

Që do të thotë se autorët e projektrezolutës nuk kanë përse harxhojnë kohë duke numëruar kundërshtarë, por duke u përpjekur për t’ i bërë për vete. Ndërkaq, në logjikën e parimit të lartpërmendur, PDIU do të duhet të ndërtojë marrëdhënie sa më të mira me PBDNJ-në, si parti e minoritetit etnik grek në Shqipëri, duke synuar ta ketë një avokate speciale të çështjes së saj. E di se deputetët e kësaj partie kanë qenë e janë kundër një rezolute.

Por politika është përtej rezolutave parlamentare. PBDNJ dhe PDIU janë parti të spektrit shqiptar dhe i kanë të gjitha mundësitë të instalojnë një dialog konstruktiv edhe për çështjen çame. Në këtë pikë protagonizmi duhet të jetë në krahun e PDIU . Këta e kanë problemin. Shqipëria është e do të jetë gjithnjë atdheu i çamëve, sikurse është i lebërve, mirditorëve, e tjerë.

Partinë e Idrizit nuk e pengon kush të lancojë kauza patriotizmi në tokën e Shqipërisë. Por duhet ta themi se mizanskenat e “përleshjes” mes përfaqësuesve came, apo kuqezinj me ata të minoritetit grek në Shqipëri, lenë shijen e një parade, për të mos thënë parodie patriotike kundërproduktive dhe kompromentuese për zgjidhjen e drejtë e paqësore të çështjes çame.

Momenti i rreshtimeve elektorale është më i keqi i mundshëm për të avancuar me seriozitet një dokument parlamentar kaq të veçantë, vlera e të cilit qëndron te konsensusi më i gjerë i mundshëm. Është më mirë që një rezolutë e re për çështjen çame të presë sa nuk ka pritur se sa të shndërrohet në një monedhë shkëmbimi për aleancat paraelektorale të rradhës, çfarë nuk është e denjë për vetë përmasat e çështjes dhe dramës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)