Nëpërmjet kësaj trinie përmblidhet këtu një sprovë e thukët, shoqëruar me brilante nga krijimtaria e Jevtushenkos si dhe një përshkrim udhëtimi në vendin e tij me frymëzime nga andej, të përziera si rrallë herë në një libër. Ky takim dritë-hijesh që vazhdojnë dhe në të përtejmen, përbën një përsiatje për të kuptuar më mirë veten si një e vërtetë dramatikisht e bukur. Një pjesë nga ky libër e sjellim sot për lexuesit tanë si një ftesë leximi.
...ishte interesant, por dhe narcist... mos janë ca
si egocentrikë ata që i ka përkëdhelur regjimi?
- do të më pyeste...
…buzëqesha dhe unë. Vëzhgim befasues, edhe i gjetur, edhe i guximshëm, edhe i bukur, edhe…. S’kishte si të mos më dukej kështu, edhe ngaqë ma kishte thënë im bir, Atjoni, edhe ngaqë hapte debate e mundësi ballafaqimesh, madje midis brezash.
Kishim dalë në ballkonin e vogël të apartamentit tonë në Tiranë dhe më pushtoi një si ndjesi sikur ndodheshim pezull midis tokës dhe qiellit, më afër baltës, të krijuar prej shirave më të fundit, teksa përsipër hapësira ngushtohej padurueshëm prej pallateve përreth, fërgëllonte e copëzuar në ngjyrë ere, sikur kërkonte të shmangte retë, t’i bënte të paqena.
Thitha sërish cigaren dhe përmes tymit po shikoja nga Atjoni. Sa është burrëruar dhe zgjatur, thashë me vete, ka mendime, edhe pse me mua flet pak, por ato që ka nisur të shkruajë, të bindin. Ajo pakëz mjekër, push ziosh në faqe, i ishte rritur dhe dendësuar disi, eh, student filozofie, viti II, i takon ta mbajë. Fitoi vetë një bursë në Universitetin Katolik “Sacro Cuore” në Milano.
Kishte shumë butësi në fytyrë, tejet të shndritshme, por dhe siguri të mirë, gati të rreptë. i shihej në sytë e mëdhenj, në ballin e lartë, te buzët e plota, por sidomos te nofullat. Shpatullat i qenë zmadhuar, krahët, qafa e gjatë, e mermertë si e së ëmës. Kaçurrelat i qenë përhapur edhe më, nga ana e majtë i bini mbi sy. Më pëlqente më shumë kështu, sesa kur qethej fare, por dhe atëherë i zbulohej koka e rregullt dhe kishte tjetër hijeshi. Kisha ëndje të futja gishtërinjtë nëpër flokët e tij, siç bëja kur ishte më i vogël, por e dija që nuk do të më linte. Si i thoshin shokët në Milano, në klubin ku shkonte në breg të lumit të Navilias, cappeli importanti, “flokë-rëndësishmi”? Si Samsoni biblik. Ndërkaq mua s’më tregonte ndonjë gjë për Dalilat e Rahilat moderne të shkollës, për Zhuljetat, Liviat e Olimpiat etj., mamit po, dhe Eda m’i thoshte edhe mua. Jo të gjitha.
Kur ndodhte të bënim ndonjë copë rrugë bashkë, shkonte andej nga “Blloku” të studionte në një librari të re, kisha parë vajzat që kthenin kokën nga ne. Me mua e kanë? - tallesha unë. Po, po, aty mbahu, - ma kthente me bezdi të gëzueshme.
Kishte ardhur me pushime. Dhe unë e pyeta për takimin, kisha kërshëri të dija në i kishte pëlqyer ai takim, duhej të kishte qenë i veçantë dhe ndryshe sipas meje. Me pak fjalë ai më tha shumë më tepër nga ç’prisja, dhe jo atë që kisha paramenduar. M’u duk dhe si një lloj goditjeje.
Dhe u habita. Më vuri në mendime. Pyetjes sime sapo i ishte përgjigjur prapë me pyetje. ... mos janë ca si egocentrikë ata që i ka përkëdhelur regjimi? - Dhe priti një grimëherë... Para kësaj më kishte thënë: ...ishte interesant, por dhe narcist... - Do të doja të ma shpjegonte. Por ai ma kishte kërkuar mua ndërkaq.
Përcaktorët interesant dhe narcist, pastaj togfjalëshi egocentrikët e përkëdhelur... m’u dukën si një zbulim i tij, se edhe unë e kisha takuar atë e nuk di të kem pasur ftillime të tilla, kaq të qarta e përmbledhëse.
Po, po e kisha takuar edhe unë shumë vjet para Atjonit, le që e kisha takuar edhe më përpara se ta takoja. Në rrethana që dramatizoheshin rëndshëm. Prandaj edhe takimi im real me të m’u duk si i përhënur, ndodhi në dy ditë të huaja, të begata, që si kohë i ngjanin kthimit të mugëtirës në agshol, të paktën kështu ishte për mua. Takimin e tretë e bëri Atjoni si vazhdim të tyre, por më të njëmendtin, besoj. Në fakt në takimin e tij ai ishte pa mua, por me mamin e tij. Ndoshta të gjitha këto copëra takimesh përbëjnë një të vetëm, kështu do të më pëlqente ta quaja, në copëra kohësh të ndryshme, të pangjashme, të përjetuara nga mosha të ndryshme.
Siç thashë, unë e kisha takuar atë edhe kur nuk e kisha takuar, atëherë kur ishte rrezik, kështu më dukej dhe kur e takova, sikur nuk e kisha takuar, kishte qenë më i fortë mostakimi. Takimi i Atjonit ishte përmbyllës.
Do të desha të dija se ç’mund të kishte shtuar im bir, si mbresë, si perceptim, se nuk ishte një takim i zakonshëm, sipas meje. Vërtet do të ketë qenë mbresëlënës, rrezëllitës, rast fatlum për një student, por me sa ndikim tek ai!
Çfarë gjeniu! - ishte e pritshme të thuhej në një rast kësisoj, kurse im bir e kishte thyer këtë pritshmëri duke e parë ndryshe. Në fare pak kohë. Që as mund të quhej kohë. Dhe për kë kështu? Për një personalitet botëror, me famë. Po më pëlqente skajshëm gracka ku po bija.
Dhe m’u rikthye pyetja e tij. Përgjigjen po e ndieja jo vetëm si detyrë, por dhe si mundësi për ndonjë krijim. Si një shkak, sepse po e tregoj qysh në fillim, Atjoni më kishte thënë, ashtu shkujdesur, që pse nuk bën një libër me… dhe kjo për mua u shndërrua në porosi… sublime.
Tregim?
S’më duket i mjaftueshëm…
Kritikë letrare, doktoraturë?
Jo, jo, ka rrëfim, personazhe.
Roman?
Nuk po krijoj, as po shpik ndonjë gjë. Po pse të mos lexohet edhe si i atillë?
Poemë, ngaqë ai vetë është poet i klasit të parë?
…do të futen dhe poezi.
E çfarë do të jetë?
Mbase të gjitha këto nga pak e asnjëra…
Do të më duhej të shfletoja, të hulumtoja. Në fund të fundit, ajo që dua të bëj, të mbetet si një bisedë me tim bir. Ai m’i përcaktoi çështjet. Që s’do të mund ta kryeja dot ashtu vrikthi. Të shpjegoja diçka nga koha ime, që s’ishte imja dhe që s’është më. Nga koha që na dhanë. Që na vrau dhe e vramë…
Tragjedi?
…e kemi brenda vetes…
Për të na kuptuar më mirë bijtë. Duke pranuar se sa i kuptojmë. Që mbase na falin e do të na duan më shumë. Që ata ta ndiejnë dhe të tashmen e tyre, duke e vënë veten dhe në kohën tonë.
Poezia, besoj, është ajo që do të ndihmonte në këtë çështje, madje do të thosha se është vetë çështja që do të na zbërthente më mirë, se aty jemi dhe s’jemi. Sa poezi morëm dhe sa dhamë?
Ndiej nevojën e një rrëfimi, si në kishë, i gjunjëzuar para ikonës… së tim biri. Ai nuk do të më përgjigjet, e ka të pamundur tani… ah! Dhe e di, radhën do ta kishin çështje të tjera… që më therin shpirtin, por nuk do të hapja dot gojë, më ka ngrirë. Atëherë ky rrëfim do të jetë arsye për të folur, ndërkaq plotësoj edhe njërën nga porositë.
Poeti sipas Atjonit. Mbase këtu duhet të mbetem.
* * *
…një takim. Kjo mund të ishte ajo që do të kisha dashur të shkruaja, si të thuash gjedhja letrare ose arketipi: Takim. A ka të tillë? Le të mos ketë... dhe po përsëritja me vete fjalën, duke e rrokjezuar, tak-im, një tak imi, (a)tak… T-a-k-i-m… që, po ta lexoj mbrapsht, më del fjala mik, pastaj at, mik me atin… babai… unë… at ngjan dhe si shkurtim i fjalës ata, e papërfunduar… Kultura e të takuarit me tjetrin… duhet. Sikur na mungon.
Të nisesh drejt një takimi në të ardhmen ose në të shkuarën, njësoj është. Ne vazhdimisht ecim. Ndoshta nuk arrijmë, por rëndësi ka që u nisëm. Po disa si arrijnë pa u nisur, madje pa ecur fare? Na ndodh që edhe rruga të humbë rrugën a të jetë e prishur ndokund, të bjerë në humnera, të futet nëpër natë a pyjeve të fatit, ka befasi, pusi, kthim pas, plagë, pellgje, zëra, fantazma… përplasje… ka dhe rrugë që treten me dritën.
Takimet, sidoqofshin, e bëjnë të paharrueshme një rrugë. Ato janë vetë rruga.
Kur isha në fillimet e mia, djalosh, në një kohë pa kohë dhe në një vend pa vend… ndoshta një përrallë mund të fillonte kështu… u ndesha dhe me një emër të huaj poeti, E-v-g-e-n-i-j, sa bukur kumbonte, J-e-v-t-u-sh-e-n-k-o, pak i vështirë për t’u thënë. E nga është? Nga Bashkimi Sovjetik, nga superfuqia tjetër e botës. Poet i rrezikshëm si vendi i tij, thuaj.
Evgenij Jevtushenko. Dhe ishte gjallë, në kulmin e krijimtarisë dhe të famës. Për këtë e kam fjalën dhe do të flas...
JEVTUSHNKOJA I LARGËT DHE I RREZIKSHËM
Jevtushenkoja duket se ishte më i njohur dikur, në diktaturë, kur ishte i ndaluar rreptësisht edhe si emër, sesa tani që perandoria komuniste ka rënë dhe në demokraci nuk është se iu përkthye ndonjë vepër, pati ndonjë botim gazetave, edhe prej meje, ndërkaq fama e tij vazhdonte udhëtimin si një dritë yllësore.
Yll ishte, është, i vendit të tij, i gjithë perandorisë komuniste, i asaj epoke, por edhe më tej.
Po paranjohja ime me të ka tronditje dhe tronditja sikur e nxjerr realen nga realiteti, duke e bërë më të vërtetë se e vërteta.
Thjesht dua të bisedoj.
…kam pasur dhe një lidhje tjetër me të, si të thuash kisha mbetur i lidhur, pa e ditur fare ai, natyrisht, që as e dinte se unë ekzistoja, që isha diku. Po Shqipërinë e dinte, vendin më të vogël të perandorisë komuniste, që kishte dalë nga kampi, me një diktator të mbetur stalinist. Po atij ia dinte emrin, Enver Hoxha…
...siç thashë, në Shqipëri kishte ardhur fama e Jevtushenkos si një famëkeqësí, se diktatura e këtushme ia kishte dënuar emrin si revizionist, dekadent, ekstravagant, i shthurur, feminist, i shitur në Perëndim etj., kështu shkruhej në shtypin shtypës të kohës.
Që gjimnazist e kisha dëgjuar emrin e tij dhe ku - e thashë - në Lushnjë. Madje e kam edhe sot një antologji të asaj kohe…
…E përsërit, poezia e Jevtushenkos kundër Hoxhës, vetë Hoxhës duhej t’i ketë pëlqyer, i është dashur, se në vend që të kërkonte të zhdukej, të heshtej për të, tirani e kishte futur dhe në një nga ato që quheshin “vepra” të tij, që ne, “studentët e veçuar”, e shfletonim vetëm për poezinë e Jevtushenkos.
DENONCIME TË FSHEHTA...
“...Bashkëpunëtori “Flaka” në datën 25.2.1974 informon se Visar Zhiti, student i vitit të tretë gjuhë-letërsi, merret me përkthime të poezive të poetëve hermetikë nga rusishtja si të Jevtushenkos, të poezive me theksa pesimistë të shkrimtarit francez Pol Eluar, të poetit spanjoll Federiko Garcia Lorka, të poetit turk Nazim Hikmet”...
U trondita kur e lexova, megjithëse kishin kaluar vite, ishte ndërruar shekulli dhe kishte ardhur një mijëvjeçar tjetër e perandoria komuniste kishte kohë që kishte rënë.
Po shfletoja tani vonë dokumente, të nxjerra nga Autoriteti i Dosjeve, institucion i krijuar rishtazi, që, sipas kërkesës, të jep materiale nga arkivat sekrete të shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të burgjeve, të dënimeve etj. Pra, isha denoncuar qysh student, nga ndonjë shok mes nesh. Nuk doja ta besoja, edhe pse tani isha plot me përvojë të hidhur dhe dija mjaft fakte e ndodhi të tilla, pabesi e prapashpinëri, zili të egra e dashuri të rreme etj., etj.
“Flaka”? I kujt mund të ishte denoncimi? Pseudonimi i gjithkujt? Jo, jo, më vinte keq dhe turp ta pranoja. Ishte i askujt. Doja ta ruaja imazhin e shokëve, të atij sinqeriteti e gëzimesh të varfra të asaj moshe... sa të tim biri tani, sa shokë të mirë e të sinqertë që janë ata... nuk doja ta pranoja spiunin në dhomën time, le të mbetej jashtë, as në auditor, as në bisedat në ndonjë bar në muzg, teksa me naivitet do të kem treguar: shiko ç‘kam përkthyer... si shkruhet andej dhe si shkruajmë ne... E ai, çfarë më tha? Ku shkoi më pas? Natën. Dërgoi letër apo takoi operativin? Ku? Pas mureve të Institutit apo në rrethinë? Takimi pranë ËC-ve të... Të ketë raportuar me dashje apo e shtrënguan? Iu djersit balli? Iu turbullua vështrimi? E zuri gjumi më pas? Si do të ketë dalë në provime? Po me mua a do të jetë takuar përsëri?
E lexova sërish shkresën e zbehtë, të daktilografuar me makinë të vjetër shkrimi. Në krye majtas shkruhej me shkronja kapitale: REPUBLIKA POPULLORE. SOC. E SHQIPËRISË. Një rresht më poshtë: MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDËSHME dhe prapë më poshtë: DEGA E PUNËVE TË BRENDËSHME. Poshtë e më poshtë, e futur në thonjëza: “Ana e Sigurimit”, Nr. 504/4 Prot. Numri ishte shkruar me dorë, me bojë të zezë. Kurse në të djathtë të shkresës, po sipër: S E K R E T. Më poshtë: Ekzemplar nr. 2. Prapë më poshtë: “E përkohshme 5 vjet”. Po pse e kanë ruajtur kaq gjatë? Kanë kaluar disa dhjetëvjetësha. Apo ka mbetur nga zhdukjet e djegiet postdiktatoriale? Dhe më poshtë: Shkodër, më 12.9.1979. Kjo shkresë sekrete i dërgohej: DEGËS SË PUNËVE TË BRENDËSHME, “ANËS SË SIGURIMIT”, KUKËS. Ku unë isha mësues e pothuaj dy muaj më pas do të arrestohesha. Pra, po mblidhej material komprometues për mua.
Si fillim i shkresës nxinte një tjetër denoncim, po kundër meje, “i depozituar” nga “Pena e artë”. E i kujt do të qe ky pseudonim vezullues, i ndonjë shkrimtari? Po tani ku është, deputet apo ka ikur fare? Pikë e zezë!... Po unë kam marrë dhe një çmim tani me këtë emër... A ta kthej si dekoratën e presidentit?... Pastaj më poshtë vinte “Flaka” për Jevtu-shenkon...
Dhe poshtë e më poshtë, sikur zbritej shkallëve të ferrit, një denoncim i tretë: Bashkëpunëtori “Rozafati” me datën 25.2.1974 informon: ... “është fjala për disa shfaqje hermetizmi në shkrimet e disa studentëve, që u lënë shkas interpretimeve jo me partishmëri. Kështu ka ndodhur me studentin Visar Zhiti, i cili shkroi një poezi me këtë frymë dhe kjo u afishua te stenda e rrethit letrar të institutit, më vonë u hoq, por çfarë u bë me të, u diskutua apo jo nuk e dimë.”
Mbaronte faqja e parë. Ky duhej të ishte denoncim pedagogu, me pseudonim legjendar. O Zot, cilët na paskën mësuar ne, ata që na kanë vrarë...!
Kalova në faqen më pas, lexova: Po agjenti “Flaka”... prapë flakë, në djall shkoftë, dhe poshtë denoncimit të tij një tjetër denoncim dhe një tjetër pseudonim “Shkëndia”, ai merrej me një letër timen, ku i kisha shkruar: ...më kanë lidhur me prangat e maleve... Po, e kujtoj... Po në krye a të kisha shkruar I dashur shok... e atëherë si guxove ta denoncosh?!
Kaq shumë pseudonime. Sa pak emra të vërtetë. E shumë e më shumë denoncime, përditë. Në fund të letrës ca shkronja pa kuptim për mua, ndonjë kod, siç duket, dhe ja, emri i zv/nënkryetarit... shumë i përgjithshëm dhe në fund si një qen cerber: “Punëtori operativ Bujar Hoxha” dhe firma. Ai që do mbushte dosjet e mia e do të më arrestonte, po ai gjithë qejf. E njihja. Na vinte në dhomën e shkollës, ku banonim ne, mësuesit e largët, unë me nja dy kavajas etj., në fshatin e thellë me borë aq të pastër si për të më ngushëlluar në heshtje me atë lëbyrje drite të rënë.
Operativi s’kishte turp, na rrinte dhe për darkë ndonjëherë, si bashkëqytetar i atyre dy kavajasve. Si e kishte pseudonimin njëri nga ata, “Peneli”? Po “Mali”? A po ai është vendas. Mësues matematike, i zoti. S’e dija aq të rrezikshëm. Po gjatë bisedave, kur përmendet fjala “mal” si nuk i bie të fikët, a nuk i ndien shkëmbinjtë e mëkatit mbi shpinë? Apo shkëmben i qetë valutën para selisë së PS, se ka zbritur nga malet në kryeqytet?
Kur na vinte operativi, më dukej sikur kishim futur brenda në dhomë një “karabinë vetëmbushëse Simonov” nga ato të zborit. Hante sikur t’ia kishim për borxh ta ushqenim... lëpinte kockat e mia... “Harram” të qofshin, se ke dhe mbiemër Hoxha apo e ke nga ana e Enverit? Ku je tani apo ndonjë drejtor drejtorie?
(Libri i publikuar nga Visar Zhiti)
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com