Misioni “Artemis II” ka hyrë në një fazë historike, pasi ekuipazhi i NASA-s është tashmë më afër Hënës sesa Tokës, gjatë fluturimit të tij drejt orbitës hënore.

“Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen tani janë më afër Hënës sesa Tokës”, bëri të ditur kreu i ekipit të menaxhimit të misionit, John Honeycutt.

Por momenti më i veçantë pritet të vijë më 6 prill, kur astronautët do të jenë dëshmitarë të një eklipsi të rrallë diellor që do të zgjasë rreth 53 minuta.

“Dielli do të kalojë pas Hënës nga perspektiva e tyre, duke krijuar një eklips shumë unik për këtë mision”, shpjegoi drejtuesja e operacioneve shkencore, Kelsey Young.

Nga hapësira e thellë, ekuipazhi ka përjetuar edhe pamje spektakolare të Tokës.

“Mund ta shihni të gjithë globin nga poli në pol… ishte momenti më spektakolar i jetës sonë”, u shpreh komandanti Reid Wiseman gjatë një transmetimi live.

Astronautët pritet të arrijnë pranë Hënës më 6 prill, ndërsa gjatë misionit do të kryejnë edhe vëzhgime dhe fotografime të sipërfaqes hënore.

Edhe pse nuk do të ketë ulje në Hënë, NASA e konsideron këtë mision një hap kyç drejt rikthimit të njeriut në sipërfaqen hënore dhe krijimit të një pranie të qëndrueshme përtej Tokës.

“Shpresojmë që ky mision të hapë rrugën që njerëzit të jetojnë dhe punojnë rregullisht në Hënë”, tha drejtori i fluturimit, Judd Frieling.