Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur se i është ofruar Çmimi Nobel për Paqen nëse do të njihte pavarësinë e Kosovës, por shtoi se e ka refuzuar.
Komentet Vuçiç i bëri teksa mbajti një fjalim para qytetarëve, ku komentoi zhvillimet e fundit politike dhe çështjet e sigurisë në rajon.
“Të huajt ma kanë thënë këtë mijëra herë, ‘do ta fitosh Çmimin Nobel, thjesht njihe Kosovën si vend të pavarur. Shiko nga e ardhmja, mos shiko prapa, mos shiko nga e kaluara”, tha mes të tjerash Vuçiç.
Po ashtu, gjatë fjalës së tij, Vuçiç deklaroi se Serbia është më e përgatitur se më parë për të mbrojtur veten, duke theksuar se nuk ekzistojnë më objektiva të paarritshëm për vendin.
“Nuk ka më qëllime të pakapërcyeshme për ne dhe askush nuk mund të mendojë se do të sulmojë Serbinë pa u ndëshkuar”, shtoi Vuçiç.
Presidenti serb deklaroi më tej se Serbia nuk ka në plan të sulmojë as kroatët dhe as popullin shqiptar, por vetëm të mbrojë vendin e vet.
“Ne nuk do të sulmojmë askënd, as kroatët dhe as shqiptarët, por do ta mbrojmë vendin tonë,” përfundoi Vuçiç.
Komente












