'Më thuaj cilët janë donatorët e tu, të të them se ç’politikë do të bësh'

'Më thuaj cilët janë donatorët e tu, të të them se ç’politikë do të bësh'

Sali Berisha

“Votuesit mund të ndryshojnë qeveritë, por për ta është e pamundur që të ndryshojnë politikat ekonomike.” Këtë thotë politologu bullgar Ivan Krastev-i në librin e tij “I besojmë mosbesimit – A mund të mbijetojë demokracia kur ne nuk u besojmë liderëve tanë?” Sipas tij, të vetmit që përfitojnë vërtet nga ndryshimet qeverisëse janë oligarkët, sepse demokracia nuk përfaqëson më politikën, por është bërë një propozim biznesi.

Ndonëse nuk është shkruar posaçërisht për Shqipërinë, ky citim duket enkas për të. Të parët që e kuptuan erën e ndryshimit në vitin 2013, ishin klientët e qeverisë së kohës, të cilët gradualisht u shkëputën nga radhët e pushtetit të atëhershëm dhe u hodhën në llogoren e opozitës, që pritej të vinte në pushtet.

Edi Rama, që nuk denjonte t’i kthente përgjigje gazetarëve të TV KLAN-it, përveçse shprehjes së famshme: “Të fala Sandrit!”, e mori Sandrin në sqetullën e tij dhe ia shumëfishoi edhe më tepër të ardhurat si pasojë e bashkëpunimit dhe klientelizmit me qeverinë e re. Më parë Sandri kishte qenë në paradhomën e Berishës. Ishte ai që vendoste për tendera dhe për karriera politike brenda PD-së. E kishte kthyer televizionin e tij zgjatim të zyrës së shtypit të Kryeministrit të kohës, njëlloj siç bëri më pas me pushtetin e socialistëve. Praktikisht, e bëri të pashikueshëm televizionin e tij, mirëpo shprehja “m... do populli, m...i japim” duket me vend në këtë rast.

Pas largimit të demokratëve, i njëjti Sandër u shfaq në paradhomën e Edi Ramës, ndonëse këtë radhë duke u shërbyer të dyve, edhe pushtetit, edhe Berishës. Jo opozitës, PD-së apo ish-kryetarit të saj. Veçanërisht Sali Berishës. Edhe pas shpalljes së tij non grata bëri të njëjtën gjë, duke u pozicionuar qartë dhe fort në anën e tij. Si ai, edhe shumë të tjerë, të cilët për vite me radhë i shërbyen qeverisë në marrëdhënie kontraktuale biznesi, në përfitime të paligjshme dhe luftë aspak të ndershme ndaj kundërshtarëve të saj. Kur befas, për arsye të ndryshme, pushteti nuk i është bindur më presionit të tyre apo, në njëfarë mënyrë, ka prishur marrëdhënien e biznesit, ata i sheh në anën e padronit të dikurshëm.

Nëse e kanë presion ndaj qeverisë apo do ta mbështesin vërtet këtë opozitë të shpallur si antiamerikane dhe të bojkotuar nga i gjithë faktori ndërkombëtarë, kjo ngelet për t’u parë. Por, teksa i shihja në aktivitetin e organizuar nga zoti Berisha me rastin e 32-vjetorit të themelimit të PD-së, një pjesë të konsiderueshme të atyre që kanë mbajt këtë qeveri për shumë vite në pushtet duke helmuar me propagandë mendjet e njerëzve, një pyetje më erdhi ndër mend: a i shërben qytetarëve një marrëveshje me oligarkët që kanë mbajtur në pushtet Edi Ramën për vite me radhë? Çfarë do të ndryshojë për mirë jetën e tyre, nëse të njëjtat interesa thjesht ndryshojnë parti?

Sipas Krastev-it, ajo që e bën krizën e tanishme të demokracisë kaq të ndryshme nga krizat e mëparshme është se ajo e tanishmja karakterizohet nga një zhgënjim dhe humbje besimi në institucionet demokratike, sepse çështja e besimit në demokraci është çështje pushteti. Ndaj njerëzit janë të ftohur në këtë vend dhe nuk besojnë më asnjë palë. Ata janë të bindur se nuk ka kurrfarë dallimi mes palëve dhe se kushdo të vijë në pushtet, nuk ka për të ndryshuar asgjë në jetën e tyre. Ky është problemi më i madh i shoqërisë së sotme shqiptare. Ndaj njerëzit nuk zgjedhin të përballen, por të ikin. Ndaj njerëzit nuk mbushin sheshet, por mbushin anijet dhe autobuzët.

Sepse motoja e mjedisit të sotëm politik është: “Më thuaj cilët janë donatorët e tu, të të them se ç’politikë do të bësh!”

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur