Media spanjolle 'La Vanguardia': Vizitoni Shqipërinë, destinacionin e ri që synon të pushtojë evropianët

Media spanjolle 'La Vanguardia': Vizitoni Shqipërinë, destinacionin e ri që synon të pushtojë evropianët

Shqipëria është një destinacion në zhvillim me një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore, shkruan Carmen Giró në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “La Vanguardia”.

Pas pandemisë së vitit 2020, Shqipëria përjetoi një bum turistik që e ka shndërruar atë në një vend shumë të vizituar.

Historia unike, trashëgimia kulturore dhe natyra e pacënuar, padyshim kontribuojnë në tërheqjen e turistëve.

Shqipëria është ende një vend relativisht i lirë për të udhëtuar, me një gamë të gjerë hotelesh dhe opsionesh ngrënieje – me ushqime të shijshme dhe të bollshme – me çmime shumë më të përballueshme se destinacionet e tjera evropiane.

Gjatë udhëtimit në Shqipëri do të përjetoni një ndërthurje unike midis stilit të jetesës mesdhetare dhe asaj orientale.

Vendndodhja gjeografike e bën atë një udhëkryq mes Lindjes, kulturës ortodokse, grekëve të lashtë, italianëve modernë dhe fqinjëve sllavë të Ballkanit.

Kishat, xhamitë dhe shtëpitë e stilit osman. Shqipëria ka një të kaluar që luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit dhe kjo mund të shihet në vendet e saj më emblematike dhe turistike.

Pjesë e Perandorisë Osmane, pjesë e Greqisë së madhe, fqinji historik i Italisë – Shqiperia ofron një ndërthurje që përjetohet në çdo hap.

Qyteti i Beratit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është një nga xhevahiret e vendit.

I njohur si qyteti i një mbi një dritareve, shtëpitë e stilit osman zvarriten poshtë faqeve të kodrave, duke ofruar një labirint rrugësh të ngushta ku vështrohen minaret dhe kambanoret.

Me mbi 2400 vjet histori, qyteti kurorëzohet nga kështjella në majë, një zonë e banuar ende, me pamje nga ansambli monumental.

Gjirokastra është një tjetër vend që vizitorët nuk duhet ta humbasin.

Gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qyteti shquhet për shtëpitë e tij të stilit osman, të cilat i japin atij një karakter të fortë, të dominuar nga një kala dhe një pazar i bukur.

Gjirokastra është vendlindja e diktatorit Enver Hoxha. Gjithashtu, këtu lindi dhe filloi të shkruante intelektuali dhe disidenti Ismail Kadare.

Në qytet mund të vizitoni shtëpi të ndryshme te stilit osman – për të parë se si ishte jeta e përditshme në këto pallate të fortifikuara.

Arkitektura e Perandorisë Osmane, e cila shtrihej nga Danubi në Gjirin Persik, përvetësoi nuanca indigjene, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Bizanti dhe ateizmi shtetëror

Shqipëria u shpall zyrtarisht një vend ateist nga regjimi i Hoxhës në vitin 1967, i cili preku të gjitha objektet e kultit, duke u ripërdorur si magazina.

Megjithatë, besimet e njerëzve nuk mund të fshiheshin brenda natës. Kur ra diktatura, shumë tempuj të të gjitha besimeve fetare u restauruan.

Për më tepër, disa monumente apo tempuj historikë u respektuan – pasi disa nga anëtarët e lartë të partisë kishin lindur atje ose kishin një marrëdhënie sentimentale dhe e dinin vlerën e vendit dhe rëndësinë e mbrojtjes së tij nga shkatërrimi.

Vizitorët mund të eksplorojnë xhamitë myslimane, kishat ortodokse, katedralet katolike dhe afresket bizantine te muzeve.

Qyteti i Korçës njihej si “Parisi i Shqipërisë”, pasi ishte një nga qytetet më kozmopolite me një përqendrim të lartë intelektualësh në fillim të shekullit XX.

Është shtëpia e një prej muzeve më të rëndësishme të vendit, kushtuar artit mesjetar – që strehon mijëra ikona bizantine.

Në afërsi të Korçës, fshati Voskopojë, dikur një udhëkryq në luginën midis Lindjes dhe Perëndimit, është shtëpia e një morie kishash dhe muzeve të zbukuruara me afreske bizantine.

Plazhet dhe rrënojat arkeologjike

Bregdeti i Shqipërisë gjithashtu është promovuar gjerësisht – duke tërhequr një numër të madh turistësh.

Peizazhi, veçanërisht i plazheve që ndodhen në jug të vendit, është spektakolar, me ujëra të pastra kristal dhe shkëmbinj që i kornizojnë ato. Atmosfera muzikore dhe festive në plazhin e Ksamilit – të kujton plazhet e Ibizës.

Gjithashtu, ju mund të gjeni çmime më të përballueshme dhe një atmosferë më miqësore për familjen në plazhin e Himarës – një qytet i vjetër i mrekullueshëm me një kështjellë të rrënuar në majë të një kodre.

Vendi arkeologjik i Butrintit mbledh dëshmi gjurmëve të grekëve, bizantinëve dhe venecianëve. Vendi arkeologjik i Butrintit, i vendosur në jug të vendit, ofron dëshmi të pranisë së grekëve, bizantinëve dhe venecianëve në zonë.

Rrënojat arkeologjike, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, janë ruajtur shumë mirë.

Ato shfaqen sikur të ishin sfondi i një teatri – dhe nga kompleksi arkeologjik ka një pamje panoramike të detit Mesdhe dhe lagunës së Butrintit.

Tirana, modernitet

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është një qytet dinamik ku shumica e investimeve janë përqendruar për të ndërtuar një vend të ri, modern në përputhje me çdo kryeqytet perëndimor.

Është një mekë për çdo arkitekt, me rrokaqiejt e shumta dhe komplekset urbane të projektuara nga kompanitë më të mira globale që konkurrojnë me njëra-tjetrën për të ndihmuar këtë qytet të rritet.

Sheshi Skënderbej është zemra e qytetit, në të cilin kalon gjithçka dhe të gjithë.

Në njërën anë, ndodhet xhamia historike – e cila duket e vogël për shkak të rrokaqiejve të lartë që janë rritur në hijen e saj.

Qyteti ofron një kombinim të monumenteve historike të ruajtura mirë, objekteve turistike dhe mbetjeve të epokës komuniste që kujtojnë të kaluarën më të afërt.

Më i shquari është Bunk’Art, një muze i vendosur në një pjesë të galerive të strehimoreve që kalojnë në nëntokën e qytetit.

I projektuar si një bunker shtetëror në pritje të një sulmi bërthamor, ai strehon një muze që tregon mizoritë dhe shtypjen e përjetuar gjatë diktaturës komuniste.

Vizitorët mund të lexojnë dokumente të shumta historike, të shohin qelitë e paraburgimit, objektet e vëzhgimit të përdorura mbi popullatën dhe dhomat e kontrollit të qeverisë.

Natyra e egër

Shqipëria është një vend malor. Kudo që të hedhësh sytë gjen male.

Ka ende shumë natyrë të paprekur, ku mund të ecësh për kilometra të tëra pa hasur asgjë veç një fshati të largët, duke kaluar nëpër shtigje apo ura të stilit osman.

Rrugët më spektakolare ofrohen në ato që quhen “Alpet Shqiptare”, në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, që ndodhet në kufi me Malin e Zi dhe Kosovën.

Një nga udhëtimet më të njohura është itinerari midis fshatrave Valbonë dhe Theth.

Ai mbulon rreth 15 kilometra rrugë me pjerrësi – që mund të përfundojnë në rreth 7 orë, duke ofruar një përvojë të re dhe peizazhe dhe ndjesi të paharrueshme.

Në të gjithë veriun, mund të gjeni ende kullat e izoluara – të njohura si kulla të të persekutuarve sipas Kanunit, kodit të lashtë të sjelljes shqiptare që ishte mbi ligjet. Në juglindje, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli është edhe më i izoluar dhe më i largët.

Fshatrat malore si Përmeti ju ofrojnë të shijoni festivalet verore me muzikë popullore. Burimet e nxehta të Benjës dëshmojnë për aktivitetin njerëzor në mes të një lugine, me një urë të stilit osman, në të cilën vendasit lahen në pishina termale natyrore.

Në çdo rast, ka shumë vende në të gjithë vendin ku mund të ngjitesh në male, të eksplorosh burimet karstike që formojnë “Syrin e Kaltër”, të ecësh për të zbuluar një ujëvarat e larta malore, të vizitoni Kanionet dhe bëni rafting, të lundroni në liqenin e madh të Ohrit, liqeni më i thellë në vend dhe në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Përveç atraksioneve turistike, turistët mund të shijojnë veçanërisht një nga kënaqësitë më të mëdha të udhëtimit: të bisedojnë me njerëzit vendas./ata

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Akti Normativ/ Punonjësit me paga të ulta në administratë do marrin shpërblim! Qeveria i jep kredi Albcontrol, shkurton fondet për institucionet

Akti Normativ/ Punonjësit me paga të ulta në administratë do marrin shpërblim! Qeveria i jep kredi Albcontrol, shkurton fondet për institucionet