Mediat e huaja: "Thaçi, një
karrierë e ngritur mbi akuza"

Në Kosovë nisi të njihej si “Gjarpri”. E më pas në deklarimet e tij publike nëpër mediumet e huaja po fliste si drejtor politik i UÇK-së. Nuk vonuan shumë dhe erdhën bisedimet e Rambujesë, ku Hashim Thaçi ishte udhëheqës i palës kosovare në këto bisedime.

Aty nisin edhe shkrimet e para për të nëpër mediumet ndërkombëtare. Titujt ndërkombëtarë nisën me lavdet për udhëheqësin gueril, i cili po luftonte për çlirimin e vendit të tij.

Ndërsa më pas vazhduan deri te akuzat për trafikim organesh. Mirëpo, cili është Hashim Thaçi i vërtetë në sytë e ndërkombëtarëve tash e 17 vjet?
Vetëm disa ditë më parë pas zgjedhjes së Thaçit president një prej mediumeve më të fuqishme në botë BBC-ja nis shkrimin e saj me titull “Nga guerili për president”.

BBC-ja ndër të tjera shkruan: “Herën e fundit kur Kosova kishte mbajtur inaugurim presidencial ishte viti 2011, ku shumë prej qytetarëve e kishin të vështirë për ta njohur lideren e shtetit të tyre. Një zyrtare e profilit të ulët në Polici, Atifete Jahjaga ishte zgjedhur për presidente kur kriza politika kishte çuar në një konsensus për një kandidat jopartiak. Në kontrast, kësaj radhe presidenti i ri Hashim Thaçi nuk ka nevojë për prezantim në Kosovë në ditën e inaugurimit të tij. Ai ka qenë figura kryesore në historinë e re të Kosovës”, shkruan BBC-ja, transmeton "Zëri".

Mirëpo, historia e presidentit të ri të Kosovës nga mediet ndërkombëtare nuk është shkruar vetëm me fjalë të bardha. Në fakt shkrimet më të rëndësishme për të kanë qenë të mbushura me akuza nga më të rëndat: përfshirje në vrasjet e rivalëve politikë, trafikim organesh, udhëheqës i një rrjeti të krimit në Ballkan, etj.
Në vitin 1999, kur delegacioni kosovar ishte nisur për bisedime në Rambuje, “Wall Street Journal” kishte përmendur një episod se si James Rubin e kishte bindur Thaçin për të nënshkruar marrëveshjen.

“Të dy ishin takuar për herë të parë pas negociatave të pasuksesshme në shkurt, në Paris. Pasi ishin njohur më mirë, Rubin si në shaka i kishte thënë liderit të UÇK-së që të pranojë marrëveshjen dhe ai do të fliste me shokët e tij në Hollywood për të bërë një film për të”, shkruan “Wall Street Journal”, përcjell "Zëri".
Fillimi i akuzave të para

Më 25 qershor të vitit 1999, “New York Times” publikon një shkrim të autorit Chris Hedges, në të cilin Hashim Thaçi akuzohet për udhëheqjen e një grupi, i cili kishte nisur një seri vrasjesh në Kosovë.

“Komandantët e mëdhenj të UÇK-së, të cilët kishin nënshkruar çarmatimin e ushtrisë me NATO-n, kanë vazhduar vrasjet, arrestimet dhe ndjekjet brenda taborëve të tyre për të eliminuar rivalët potencialë. Kampanja, e cila la një numër të konsiderueshëm komandantësh të vrarë, ishte udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe dy lejtënantët e tij, Azem Syla e Xhavit Haliti”, shkruante “New York Times”.

Menjëherë në vitin tjetër, më 5 prill të vitit 2000, BBC-ja shkruan për Kosovën, e cila është kapur nga haraçexhinjtë. BBC-ja këtë shkrim e kishte portretizuar me fotografinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me mbishkrimin: “Hashim Thaçi: Disa njerëz besojnë se qeveria e tij e vetëshpallur është prapa këtyre haraçeve”.
Ky shkrim rrëfen për tregun e zi të ekonomisë kosovare, e cila në kuadër të krimit të organizuar bën kontrabandën nga benzina e nafta deri te cigaret dhe ushqimi i ndryshëm.

Akuzat më të rënda kriminale
Megjithatë, akuzat më të rënda për tashmë presidentin e Kosovës nisin disa vite më vonë për ngjarjet që ai pretendohet se i ka kryer më herët. “Washington Post” kishte shkruar për kohën sa Thaçi ishte udhëheqës i UÇK-së se kjo organizatë kishte financuar aktivitetet e saj nga trafikimi ilegal i drogës, të llojit heroinë dhe kokainë në Evropën Perëndimore.

Ndërkohë pas humbjes së parë në zgjedhjet e përgjithshme të PDK-së në vitin 2001, BBC-ja kishte shkruar atë kohë: “Reputacioni përmbysës i ish-UÇK-së kishte efekte shkatërruese për PDK-në, për shkak të lidhjes së lidershipit të saj me krimin e organizuar të UÇK-së”, transmeton "Zëri".
Ndërkohë një analizë e mëvonshme rreth krimit të organizuar në Kosovë, e realizuar nga shërbimi i Inteligjencës Gjermane, BND, kishte akuzuar Thaçin, Ramush Haradinajn dhe Xhavit Halitin për pjesëmarrje në krim të organizuar.

Madje Thaçin e lidhin edhe me bashkëpunimin ndërmjet mafies çeke dhe asaj shqiptare për të ardhur te akuza më e rëndë.

“Ai së bashku me Halitin kishin urdhëruar vrasjen nga një vrasës profesionist i njohur si ‘Afrimi’, i cili është përgjegjës për së paku 11 vrasje kontraktuale”.
Ndërkohë, sipas të përditshmes franceze “Le Figaro”, më 8 mars të këtij viti presidenti i zgjedhur i Kosovës do të akuzohet edhe nga Gjykata Speciale për një seri akuzash, duke përfshirë trafikimin e organeve.

Madje kjo gazetë shkruan se ish-administratori i UNMIK-ut, Bernard Kouchner, mund të jetë edhe dëshmitar në këtë rast. Ndërkohë akuza më serioze publikohet në BBC, e cila kishte parë dokumentin e Këshillit të Evropës të përpunuar nga Dick Marty, ku thuhet se emri i Hashim Thaçit përmendet 27 herë në atë raport. Sipas BBC-së, Thaçi akuzohet për krime serioze kundër njerëzimit, duke përfshirë këtu trafikim të organeve dhe të drogës.Gazeta Express

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Me shpejtësi skëterrë, deri në 202 km/h në Peqin-Elbasan! Policia Rrugore ndëshkon shoferët me masa dhe zbritje pikësh: Familja ju pret në shtëpi!

Me shpejtësi skëterrë, deri në 202 km/h në Peqin-Elbasan! Policia Rrugore ndëshkon shoferët me masa dhe zbritje pikësh: Familja ju pret në shtëpi!