Izraeli, Libani dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje paqeje në Uashington, në përfundim të raundit të pestë të negociatave të drejtpërdrejta mes palëve.
Lajmi u konfirmua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili e cilësoi marrëveshjen si vetëm fillimin e një procesi më të gjerë.
“Ky është vetëm fillimi i fillimit. Ka ende shumë punë për të bërë. Sot hodhëm hapin e parë dhe, shpeshherë, hapi i parë është më i vështiri”, deklaroi Rubio gjatë ceremonisë së nënshkrimit.
Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti marrëveshjen “një sukses të madh” dhe “një goditje të rëndë për Iranin”, por theksoi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të vazhdojnë të qëndrojnë në jug të Libanit derisa Hezbollah të çarmatose plotësisht dhe të mos përbëjë më kërcënim për komunitetet në veri të Izraelit.
Netanyahu bëri të ditur se janë identifikuar dy zona pilot në jug të Libanit, ku aktualisht ndodhen trupat izraelite dhe ku ushtria libaneze do të nisë gradualisht marrjen e kontrollit të territorit. Ai shtoi se Izraeli do të ruajë zonën e tij të sigurisë jashtë rrezes së raketave antitank, duke nënvizuar se “siguria jonë vjen mbi gjithçka”.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se drejtuesit e Iranit janë të gatshëm të arrijnë një marrëveshje.
“Udhëheqja e tyre u eliminua një herë. U eliminua edhe për herë të dytë. Askush nuk dëshiron më të jetë udhëheqësi i Iranit. Ata po digjen nga dëshira për të bërë një marrëveshje”, tha Trump gjatë konferencës së Faith & Freedom Coalition në Uashington.
Marrëveshja është kundërshtuar menjëherë nga Hezbollah. Deputeti i kësaj lëvizjeje në Parlamentin libanez, Hassan Fadlallah, deklaroi se organizata refuzon negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin.
“Rikonfirmojmë qëndrimin e Hezbollahut kundër negociatave të drejtpërdrejta me armikun izraelit. Paralajmërojmë se ky proces politik dhe i sigurisë cenon sovranitetin e Libanit dhe krijon ndarje të rrezikshme të brendshme”, thuhet në deklaratën e tij.
Komente







