Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka miratuar një vendim të ri që përcakton mënyrën e administrimit dhe përdorimit të fondit të posaçëm të krijuar nga të ardhurat e lojërave të fatit.

Vendimi synon forcimin e kontrollit financiar, rritjen e transparencës dhe garantimin e përdorimit korrekt të këtyre fondeve për projekte të miratuara.

Sipas vendimit, administrimi teknik dhe financiar i fondit i besohet Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i cili do të menaxhojë llogarinë bankare, do të kryejë verifikime të arkëtimeve dhe pagesave, si dhe do të mbajë regjistrin e plotë financiar të fondit. Ndërkohë, vendimmarrja për përzgjedhjen e projekteve do të mbetet në kompetencë të Këshillit të Mbështetjes së Projekteve.

Fondi krijohet nga të ardhurat e përcaktuara në ligjin për lojërat e fatit dhe mund të përdoret vetëm për financimin e projekteve të miratuara zyrtarisht. Çdo pagesë do të kryhet nëpërmjet sistemit bankar dhe vetëm mbi bazën e kontratave dhe dokumentacionit justifikues financiar.

Vendimi parashikon gjithashtu bashkëpunim të ngushtë mes Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe administratës tatimore për verifikimin e saktësisë së deklarimeve dhe pagesave të subjekteve kontribuese në fond.

Në kuadër të transparencës, autoriteti përgjegjës do të publikojë periodikisht në faqen zyrtare të dhëna mbi të ardhurat, shpenzimet, përfituesit e fondeve dhe raportin vjetor të administrimit financiar.

Vendimi ndalon përdorimin e fondeve për shpenzime që nuk lidhen drejtpërdrejt me projektet e miratuara, si dhe për raste të financimit të dyfishtë nga burime të tjera buxhetore për të njëjtin qëllim.

Në rast shkeljesh, autoriteti ka të drejtë të pezullojë pagesat, të kërkojë kthimin e fondeve dhe të ndërpresë kontratat e financimit, duke ndjekur procedurat ligjore për rikuperimin e detyrimeve.

Vendimi i ri i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i propozuar nga Ministria e Financave hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.