A keni dëgjuar ndonjëherë për teorinë e Sinkronizimit të Transformimit Individual (Synchronized Individual Transformation)? Është teoria më e mirë për të shpjeguar se çfarë ndodh kur një grup njerëzish ulen së bashku për të medituar. Nuk ka të bëjë me asnjë lloj religjioni (ashtu siç shumë njerëz mund të mendojnë), por me shkencën e sinkronizimit, një fenomen që në mënyrë natyrale rrit harmoninë jo vetëm me ata që kemi rrotull por me vetë natyrën dhe universin.

Ndoshta duke e ditur këtë fuqi dhe duke parë efektet e lutjeve në grup ka ndodhur që gjeneratat e hershme, shekuj më parë të besonin në ritualet e tyre dhe t’i aplikonin ato. Ky konfirmim i përvojës që sillte kjo teori i ka stimuluar brezat ndër shekuj për ta eksploruar më shumë këtë fenomen. Sot, në një vend si Shqipëria, ku njerëzit tashmë janë të lirë të besojnë çfarë të duan, por që në të shumtën e herëve besimi i tyre është shkriftuar, secili zgjedh mënyrën e tij të përgjigjes ndaj realitetit.

Gjashtë muaj më parë Fondacioni “Hi Clasic” me iniciativën e sopranos së famshme Inva Mula dhe frymëzimin e liderit shpirtëror Hetem Ramadani nisi një projekt duke u dhënë mundësinë të gjithë shqiptarëve të aplikonin për kurset e meditimit. Ky projekt ishte thjesht vazhdimësi e misionit që Hetem Ramadani ka ndërmarrë prej vitesh si një shtysë e brendshme për t’u treguar bashkatdhetarëve të tij sekretin e kthimit tek vetja.

Dhe për t’u kthyer atje ka vetëm një rrugë “udhëtimi përmes meditimit”; Një udhëtim që Z. Ramadani e ka përjetuar vetë më parë, dhe pasi ka kuptuar rëndësinë dhe transformimin që sjell ky shteg ka dashur tua tregojë të gjithëve. Siç rëndom ndodh gjithmonë kur përballemi me diçka të re fillimisht bëhemi dyshues “ndoshta na duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë”?

Më pas fillojmë ta pranojmë probabilitetin se mund të ndodhë që e vërteta është pikërisht ajo që ne kemi refuzuar ta besojmë. Ndryshe Schopenhauer do të thoshte “Secila e vërtetë kalon nëpër tri faza para se të pranohet: Në fazën e parë përqeshet, në fazën e dytë sulmohet dhe në fazën e tretë pranohet si një fakt i vetëkuptueshëm”.

Edhe ky shkrim jam e sigurt se mund të ngjallë reaksione të kësaj natyre, pasi ideja për ta shkruar më erdhi nxitur realiteti që pamë gjatë procesit të zgjedhjeve të fundit. Për mua pak rëndësi ka se kush ka fituar por qetësia dhe demokracia që sollën rezultatin e këtyre zgjedhjeve ishte diçka që shqiptarët nuk e kishin parë në të shkuarën. Madje askush nuk arriti të parashikonte atë që ndodhi – zgjedhje të paqta dhe pranimin e të vërtetës me qetësinë që prej kohësh kishte munguar në këtë vend.

Reagimi i parë që pata teksa ndiqja këtë proces ishte “Më në fund popullit po i largohet ankthi i trazirave të zgjedhjeve, dhe ato nuk do të jenë më një traumë apo post-traumë për shqiptarët”. Ndërsa më vonë natyrshëm më erdhën në kujtesë bisedat që Hetem Ramdani ka ndarë shpesh me grupe njerëzish të interesuar për të ndjekur filozofinë e tij. Dhe sipas tij “nëse ne të gjithë fillojmë të besojmë tek e mira, drejtësia, e vërteta apo pozitiviteti në mënyrë të natyrshme do fillojmë të vibrojmë atë që duam”.

M’u përforcua kjo dëshmi edhe para disa ditësh teksa merrja pjesë në një seminar në “The Coaching Academy” në Londër, kur trajnerja ndër të tjera na tha “Bëni kujdes në gjërat që mendoni dhe dëshironi sepse një ditë mund ta shihni që ka ndodhur”. Ne shqiptarët, duhet ta pranojmë se në të shumtën e rasteve nuk jemi fokusuar në gjërat që duam, por në ato që nuk duam. Si psh në vend të themi “Duam një qeveri të mirë” kemi thënë “Nuk na pëlqen qeveria që kemi”. E duke e përsëritur këtë, shpesh e më shpesh e kemi gjetur veten të pakënaqur me të gjitha qeveritë.

Në një nga ditët me shi të Tiranës, ato ditët e ftohta të dimrit Hetem Ramadani e pyet shoferin e tij “Si të duket Tirana?” – “E zymtë profesor – tha – shumë e zymtë”. Ndërsa ai uli xhamin e makinës duke thënë “Tirana është kaq e bukur, a nuk e sheh gjallërinë që i jep shiu dhe jetën që vibron nga i ftohti”. Pas asaj bisede sa herë Z. Ramadani vinte në Tiranë e kishte zakon t’i pyeste njerëzit “Si ju duket Tirana” dhe ai mësoi çdo njeri që takonte, të shihte se sa e bukur ishte Tirana.

Unë jam e sigurt se Z. Ramadani është i lindur me disa dhunti të veçanta që e bëjnë atë të aftë ta dallojë të mirën me kilometra larg dhe ta ndjekë atë kudo që ndodhet, ama jam po aq e sigurt se çdo gjë mësohet në jetë, mjaft të jemi mendjehapur dhe të jemi të uritur për të mësuar. Nëse deri më parë nuk kemi mundur të ndjekim të mirën sepse nuk e kemi ditur rrugën që të çon tek ajo, kjo nuk do të thotë se kemi humbur shansin për ta gjetur. Unë gjithnjë kam besuar se përpjekjet ia vlejnë, dhe kjo bën një diferencë të madhe, mes atyre që dorëzohen dhe atyre që vazhdojnë të besojnë në përpjekjet e tyre.

Për t’u kthyer sërish tek mrekullia e meditimit në grup, ajo çfarë shqiptarët patën mundësi ta prekin vetë nga afër këtë vit. Çfarë ndodhi që në mënyrë krejt të natyrshme njerëzit u mblodhën për të mbyllur sytë në heshtje? Mos kishte ardhur koha që të fillonin të shihnin thellë brenda vetes dhe të kuptonin veten pikë së pari? Kishte ardhur koha që të kujdesen për mendjen, dhe të mësojnë se si t’i përzgjedhin mendimet dhe dëshirat e tyre? Të mësojnë se të gjithë së bashku peshojnë shumë më tepër se sa të ndarë? Diku kam dëgjuar një shprehje që më ka mbetur gjatë në kujtesë “Nëse një njeri dëshiron që dielli të shfaqet në qiell nuk bëhet dot e mundur. Por nëse një grup njerëzish sëbashku dëshirojnë që dielli të shfaqet atëherë e pamundura bëhet e mundur.”

Të tillë fuqi ka pasur edhe projekti i meditimit që solli sëbashku me qindra shqiptarë të të gjitha moshave, pa dallim feje, gjinie apo statusi për të medituar në një vend ku qetësia kishte munguar prej kohësh. Një fuqi që tejkalon veten dhe çdo lloj parashikimi, që sjell ndryshime të atij lloji sa gati nuk arrin ta besosh. Fuqi e atij lloji që influencon njerëzit dhe botën rreth nesh. Fuqi që vjen nga mendimi. Mendimi është një fushë elektromagnetike që lëshohet nga mendja por njëkohësisht është i mbushur me informacione. Dhe informacioni i mendimit human nuk i përket botës materiale.

Ajo çfarë na bën ne qenieve njerëzore të ndryshëm nga speciet e tjera është sepse ne udhëhiqemi nga Mendja Universale. Vetëm mendimi që vjen direkt nga thellësia jonë është i fuqishëm mjaftueshëm për të influencuar jetën tonë. Por imagjinoni nëse shumë veta sëbashku mblidhen për të depërtuar në thellësinë e tyre! Bashkimi i mendimeve në grup është shumëfish më i fuqishëm. Mendimet tona kolektive krijojnë një forcë të pa imagjinueshme dhe një stabilitet të fushës elektromagnetike. Nëse në këtë fushë ne përcjellim mendimet tona pozitive dhe qetësinë e mendjes kemi fuqinë për të ndikuar në botën që na rrethon me mendimet tona.

Shumë njerëz mund ta kenë përjetuar influencën e mendimeve kolektive në jetë. Ka plot shembuj që tregojnë se një forcë e tillë bën mrekullira. Dhe kur flas për mrekullinë që solli meditimi në grup i shqiptarëve këtë vit nuk kam parasysh iluzione abstrakte por një të vërtetë e cila u dëshmua me provën e zgjedhje të qeta dhe pa trauma. Kur Hetem Ramadani filloi të na mësonte se si t’i orientonim mendimet tona drejt gjërave që duam dhe jo ato që nuk duam, i pari mendim që morëm si shembull ishte “pse nuk fillojmë të besojmë se politikanët tanë janë të mirë?”

Duke e thënë me zë të lartë, duke vibruar dhe synuar të mirën ne fillojmë të ndjellim atë që në fakt ka qenë e pamundur. E nëse shprehja “çdo popull ka qeverinë që meriton” ka ekzistuar në të gjithat kohërat si një aksiomë e padiskutueshme, unë mendoj se shqiptarët do fillojnë të ndryshojnë karmën e tyre duke medituar në grup, pasi në të vërtetë meritojnë shumë më tepër.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)