Kryerepublikani Fatmir Mediu ishte sot në tryezën e negociatave me mazhorancës për Presidentin e ri. Për emisionin ‘Kontrats’ në Report TV, ai u shpreh se qëllimi i grupit parlamentar ‘Aleanca për Ndryshim’ është që kreu i ri i shtetit të jetë një figurë konsensuale. Sipas Mediut, këtë e dikton edhe Kushtetuta, teksa solli në vëmendje rastet e zgjedhjes së Bamir Topit dhe Bujar Nishanit në postin në fjalë.
Mediu tha se opozita duhet të gjejë njëherë emra konsensualë brenda saj . Ai shtoi se edhe nëse PD nuk do të propozojë një emër, deputetët e saj të mbështesin propozimet e partive të tjera opozitare. Sipas tij, të hënën që do të mbahet raundi i parë për zgjedhjen e presidentit, nuk pritet asnjë kandidaturë.
“I gjithë diskutimi është për të patur një President që të plotësojë kriteret e Kushtetutës dhe të jetë njeri me integritet moral. Kushtetuta e ka kushtëzuar që Presidenti të zgjidhet me konsensus. Në vitin 2007 ne ishim për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO si dhe në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Diskutimet e para sot ne i kemi patur me kolegët e tjerë si zoti Duka apo zoti Shehi se cili do të jetë qëndrimi ynë. Ne duhet të luftojmë për këtë konsensus ndaj ne si grupi Aleanca për Ndryshim kërkuam pjesëmarrjen në tryezë. Në 2007 momenti i debatit ishte vetëm 10 minutat e para me debate mospranimi, pastaj u arrit mirëkuptim.
Ne ramë dakord për propozimin e opozitës së atëhershme, për ushtarakun Arian Zaimi. Pastaj u prish konsensusi sepse opozita kërkonte edhe Kryeprokurorin etj. Ajo që ka qenë vendimtare ishte futja në lojë e zotit Neritan Ceka që shpëtoi procesin sepse kishte shanse deri në fund. Sepse zoti Topi për tre vota u zgjodh, nuk u zgjodh nga populli.
Por edhe në vitin 2012 procesi ka ecur normalisht deri në momentin që doli kandidatura e zotit Xhezair Zaganjori. Kur doli zoti Zaganjori, Partia Socialiste nuk e vlerësoi dhe solli dorëheqjen e tij. Kjo solli pastaj zgjedhjen e presidentit në mënyrë të njëanshme” – tha Fatmir Mediu për ‘Kontrast’ në Report TV.
Duke u ndalur të procesi i sotëm, ai shtoi:
“Gjëja e duhur është që opozita mes vetes të ketë të paktën dy kandidatura konsensuale. Pastaj zoti Alibeaj ka vendosur disa kritere. Disa prej tyre qëndrojnë e disa jo. Më e mira është që ne të hedhim emrat pavarësisht se kush propozon dhe këta emra të kenë mbështetje nga grupet parlamentare të të gjithë krahëve”.
Partia Socialiste zhvilloi sot bisedimet me partitë opozitare për zgjedhjen e preisdentit të ri, më konkretisht me Shpëtim Idrizin e PDIU-së, ndërsa më pas me Fatmir Mediun e Partisë Republikane dhe Agron Duka i partisë Agrare Ambientaliste. Ndryshe nga kolegët e grupeve të tjera parlamentare, Enkeleid Alibeaj nuk do të ulet në negociata me mazhorancën, nëse nuk merret për bazë drafti i tij me kriteret për zgjedhjen e presidentit të ri. Me shumë gjasë e hëna e raundit të parë të votimit, do të kalojë pa asnjë emër kandidati.
Kryerepublikani Fatmir Mediu tha të premten se opozita duhet të gjejë njëherë emra konsensualë brenda saj sa i përket presidentit të ri. Ai shtoi për ‘Kontrast’ në Report TV se edhe nëse PD nuk do të propozojë një emër, deputetët e saj të mbështesin propozimet e partive të tjera opozitare.
“Nëse ne si opozitë duam të propozojmë figura që kanë mundësi reale të zgjidhen. Duhet të dalim me emra që kanë një impakt në shoqëri dhe kjo do ta vendosë në pozitë Ramën dhe mazhorancën. Ne e kemi propozuar zotin Ismail Kadare në 2007, por nuk ka pranuar. Procesi ka qenë nga më korrektët. Megjithatë unë them që opozita jo në kafe, por të ulet në mënyrë formale dhe të përcaktojë kandidaturat. Edhe nëse nuk mundet PD, mundemi ne partitë e tjera të sigurojmë kandidaturat dhe të marrin mbështetjen e deputetëve” – tha kreu i PR.
Mediu komentoi edhe seancën e së hënës së ardhshme, më 16 maj, ku pritet të zhvillohet raundi i parë për zgjedhjen e kreut të shtetit. Ai tha se nuk pritet ndonjë emër kandidati në këtë seancë dhe se ajo do të jeteë veçse formale.
“Nuk mendoj se do të ketë kandidatë të hënën. Pastaj raundi i dytë pritet të mblidhet brenda 7 ditëve nga i pari” – tha Mediu.
Nga emisioni ‘Kontrast’ në Report TV, kryerepublikani Fatmir Mediu apeloi që opozita të ulet në tryezë mes vetes për të zgjidhur situatën ku ndodhet. Ai deklaroi në studio se çdo lëvizje e njëanshme krijon vetëm konfuzion dhe nuk jep produktin opozitar që duhet të japë. Mediu shtoi se për momentin është shumë i rëndësishëm një rivitalizim i opozitës.
Sa i përket marrëdhënieve të opozitës me SHBA-të dhe shpalljes non-grata të Sali Berishës, kreu i PR deklaroi se ky është një raport delikat.
“Berisha është një eksponent që lidhet fort me njerëzit në bazë. Ai ka qenë nga ata që i ka njohur njerëzit dhe strukturat thuajse me emra. Për sa i përket raporteve me SHBA unë mendoj që është një raport shumë delikat. Ajo që unë mendoj është që opozita duhet të krijojë një partneritet të qenësishëm me SHBA-të. Nëse kjo do të thotë që lidershipi të jetë në një nivel tjetër me të rinj dhe të reja, pse jo. Nëse e shohim veten jo si përfitues politikë, por kontribues, mund të krijojmë një opozitë shumë efikase në raport me qyterarët shqiptarë” – tha Fatmir Mediu.
I pyetur se si mund të arrihet një partneritet i ri mes opozitës dhe SHBA-ve me situatën ku ndodhet Partia Demokratike, ai tha:
“Opozita duhet të gjejë mekanizmat e saj të veprimit pavarësisht situatës. Ne duhet te kthehemi në faktor stabiliteti. U përpoqëm ta bënim këtë në vitin 2005 duke sjellë një lidership të ri. Jo çdo gjë që është lidership duhet të jetë nesër në qeverisje. Qëllimi i parë i Berishës dhe kujtdo në opozitë është ndryshimi i qeverisjes në vend. Pastaj se kush do të jetë Kryeministri, Berisha e ka thënë se duhet të zgjidhet me votim etj etj. Duhet një moment reflektimi si nga Berisha dhe të gjithë se çfarë mund të sjellim të re në drejtim. Sot për sot në politikën shqiptare politikanët identifkohen si njerëz që kërkojnë vetëm për veten e tyre. Ne duhet të provojmë të kundërtën” – tha Mediu për ‘Kontrast’.