Mega-operacioni në Elbasan, Artan Hoxha: Goditje e fortë për krimin, por diçka aty ka lëvizur...

Gazetari investigativ Artan Hoxha, i ftuar në "Repolitix", tha se arrestimi i Florenc Çapajt sot në Elbasan, në megaoperacionin e koduar "Krasta", nuk është gjë e vogël, pasi Çapja vihet në pranga në vitin 2019, për një krim të vitit 2006. Një ngjarje e vjetër kriminale e zbardhur nga hetimet dhe përgjimet e kryera ndër vite.

Gazetari Hoxha shprehu habi se si ka mundësi që në një masë kontrollesh kaq masive në banesa dhe biznese të dy fiseve kundërshtare Çapja - Çela, u sekuestruan një numër i vogël armatimesh, ndërkohë që më shumë pati persona të shoqëruar sesa të arrestuar. Sipas tij mund të ketë ndodhur dekonspirim i aksionit. Megjithatë, për Artan Hoxhën, ky aksion "është një mesazh pozitiv për qytetarët dhe mesazh i fortë kundër krimit".

Në emisionin e moderuar nga gazetari Denis Minga, Hoxha tha se në mesin e të shoqëruarve është edhe Bledar Muça, i cili ka kundërshtuar forcat RENEA.

"Forcat speciale dhe FNSH të dërguara nga Tirana kanë bastisur të gjithë zonën ku operojnë kryesisht klani Çapja, kanë kapur disa persona, kanë shoqëruar shumë më tepër sesa kanë kapur. Bledar Muça është ndaluar për shkak të kundërshtimit që i ka bërë forcave të policisë, e ka shoqëruar RENEA. Të kontrollosh një numër kaq të madh banesash dhe numri i armëve që janë kapur është shumë i vogël. Që do të thotë që diçka ka punuar aty brenda...Kemi të bëjmë me grupe që kanë mbi dy dekada në aktivitet. Janë kontrolluar edhe bizneset e krahut tjetër, sepse ka dalë edhe një episod i vitit 2013 ku është i përfshirë Suel Çela", tha Hoxha.

Bledar Muça dhe Florenc Çapja, janë dy personat qe i shpëtuan atentatit më 3 Shkurt të 2016-ës, masakër ku mbetën të vrarë, Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli. Por Çapja dhe Muça nuk janë bërë vetëm shënjestra atentatesh. Ata kanë qenë të dyshuar edhe për disa ngjarje kriminale të ndodhura në këtë qytet, gjatë viteve të fundit.

Gazetari investigati i Report Tv, solli në vëmendje edhe vrasjen e vitit 2012 të Gentjan Beqirit dhe babait të tij të cilët ishin në arrest shtëpiak në ruajtje nga policia. Edhe kjo ngjarje u zbardh nga hetimet, ndërsa autorët janë shpallur në kërkim. Artan Hoxha tha se Elbasani është qyteti me numrin më të madh të policëve të vrarë. Edhe vetë Florenc Çapja u arrestua për tentativën e vrasjes në 2006-ën të Fadil Memës, ish polic, i cili më tej u ekzekutua në Itali. Çapja u prangos për atentatin e mbetur në tentativë, ndërsa hetimet vijojnë për të parë nëse ka përfshirje të tij edhe në ekzekutimin në Torino të Italisë në 2015-ës.

"Vrasja e vitit 2012 kur u vra Gentjan Beqiri dhe babai i tij ndërsa ishin në arrest shtëpiak me mbrojtjen e policisë. Në 2016-ën Gentjan Beqirin i kanë ekzekutuar edhe vëllain. Po zbërtheve të parën atje zbërthen gjithë ngjarjet. Është qyteti që ka numrin më të madh të vrasjes së policëve. Uroj që ky të jetë fillimi dhe jo fundit, se Elbasani ka nevojë të vë drejtësi për kaq shumë njerëz të vrarë, dhe njerëz që kanë ikur nga Elbasani për t'i shpëtuar këtyre njerëzve", theksoi Artan Hoxha.

Referuar përgjimeve të prokurorisë ndaj grupit Çapja që zbuluan edhe një rast korrupsioni në Autoritetin e Medias Audiovize në Shqipëri, Artan Hoxha tha se ndaj tyre nuk duhej të ishte vepruar me masë arresti por me garanci pasurore.

"Ata kanë ndikuar në dhënien e licencave për televizione kabllorë në Elbasan, në lidhje me këtë grup. Shqipëria duhet të ketë një politikë penale, që nëse ekziston mundësia t'i kërkosh atyre garanci pasurore, jo arrestim. Organi i hetimit aty, duhet të paktën pjesën e masave të sigurisë ekstreme ta shmangë sepse janë njerëz që nuk kanë mundësi të dëmtojnë provat dhe nuk do t'i shmangeshin hetimit. AMA është një institucion i rëndësishëm", tha gazetari Hoxha.

7 persona u arrestuan për korrupsionin në AMA, mes të cilëve dy gazetarë, ndërsa një u shpall në kërkim.

Në total në mega-operacionin "Krasta" u arrestuan 10 persona dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë.  

"Ata njerëz dhe ai qytet ka nevojë për drejtësi", përfundoi gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar në "Repolitix".

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • asolingo: 15/06/2019 09:49

    Artan duhet te jene te informuar me pare nga "qytetari dixhital"duhe te pastrohet policia.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD: Qeveria i jep 20 mln euro AlbControl për ta mbajtur në këmbë, Becchetti u zbrazi llogaritë

PD: Qeveria i jep 20 mln euro AlbControl për ta mbajtur në këmbë, Becchetti u zbrazi llogaritë