Historia e konflikteve, raporteve të acaruara dhe përplasjeve ndërmjet Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, e ka zanafillën që nga periudha e Luftës Antifashiste, kur diku aty nga maji i vitit 1943, Enveri i dërgoi një letër qarkorit komunist të Vlorës, (që drejtohej nga Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu), duke i urdhëruat ata për të shpartalluar “Grupin fraksionist” të Sadik Premtes dhe mbështetësve të tij. Sipas këtij urdhri, Hysni Kapo duhet ta vriste “Xhepin” (pseudonimi i Sadik Premtes) dhe Pali Terovën, që strehoheshin në fshatin Gjormë e Tragjas, kurse Mehmet Shehu gjithashtu duhet të arrestonte komandantin e Çetës Plakë të Vlorës, Neki Ymerin, (me pseudonimin “Vangjo”) dhe Xhemil Çakërin, që ishin në zonën e Mallakastrës.
Kjo gjë bëhet e ditur nga një dëshmi publike që na ka dhënë para disa vitesh, koloneli në pension, Idriz Seit Sadikaj, ish-shoku i fëmijërisë së Mehmet Shehut gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut në zonën e Mallakastrës dhe më pas “krahu i djathtë” i tij gjatë periudhës së Luftës Antifashiste, i cili mes të tjerash kujtonte: “Urdhri për likuidimin e Sadik Premtes, u muar që në qershorin e vitit 1942 në mbledhjen e Komitetit Qendror të PKSH-së nga Enver Hoxha dhe Miladin Popoiviçi e Dushan Mugosha. Ky vendim për eliminimin e Sadikut e Pali Terovës, në bazë të rregullave të partisë, duhej të punohej në të gjitha celulat komuniste, por në fakt ai nuk u punua kurrë.
Këtë gjë e ka pranuar dhe Mehmet Shehu në Konferencën e Parë të PKSH-së në Labinot, ku ai midis të tjerash është shprehur: ‘Në lidhje me fraksionin e ‘Xhepit’ në Vlorë, ne partizanët e Mallakastrës asokohe nuk kishim dijeni, sepse ai nuk u punua me ne komunistët. Unë atë gjë e mësova nga shoku im i ngushtë, Vllas Arapi, i cili ishte ndër kryesorët e krerëve komunistë të Vlorës’. Kur ndodheshim në Greshicë ne partizanët e Mallakstrës dhe ata të Vlorës, për të bashkëpunuar në lidhje me ‘Operacionin e Qershorit’ që do ndërmerrnin italianët, Mehmet Shehu na thërriti mua, Vllas Arapin, Neki Ymerin, Xhemil Çakërrin dhe S.G., duke na thënë se do të shkonim në një mbledhje partie në Klos. Rrugës duke ecur, Mehmeti na ndaloi mua dhe Vllasin e na tha: Po të thotë Partia të më arrestoni mua, sepse kam tradhtuar, a do ta bënit këtë gjë’?
Ne hezituam pak, pastaj i thamë; po. Ai vazhdoj më tej: Partia ka dhënë urdhër të arrestohet Neki Ymeri dhe Xhemil Çakërri, se kanë tradhtuar luftën dhe Partinë. Ata do të arrestohen dhe do t` i jepen gjyqit. Këtë detyrë do ta kryeni ju të dy dhe S.G. e Q.K’. Pas këtyre fjalëve, Vllasi insistoi duke thënë se si ishte e mundur ajo gjë?! Atëhere Mehmeti u detyrua e nxori nga xhepi urdhrin, të cilin e kishte firmosur Enver Hoxha me pseudonimin ‘Shpati’, i cili ishte shtypur me makinë shkrimi, me bojë ngjyrë gushë pëllumbi”, kujtonte Idriz Seiti, urdhrin që Enveri i kishte dhënë Mehmetit, për arrestimin e mbështetësve të Sadik Premtes.
Po si rrodhën ngjarjet më tej dhe a u zbatua urdhri i Enverit? Lidhur me këtë, kolonel Idriz Seiti, dëshmonte: “Sapo shkuam në Klos tek shtëpia e Bilbil Klosit, ne të katërt sipas urdhrit, arrestuam Nekiun e Xhemilin dhe i mbyllëm në një dhomë, ku më pas Mehmeti mori takim me ta. Më pas Mehmeti na caktoi një bazë sekrete, për t`i mbajtur ata në Çorush dhe përgjegjës i grupit isha unë. Përnjëherë, bashkë me shokët dhe dy të arrestuarit, u nisëm për në bazën e caktuar. Duke ecur na zuri mëngjesi dhe për t`u ruajtur, u futëm tek ‘Mulliri i Bektashit’, duke i thënë mullixhiut, se; ‘kishim disa materiale partie dhe do të kalonim ditën aty, pasi ishim të lodhur’.
Mullixhiu që nuk na njihte si fytyra por vetëm si emra, dyshoi tek ne dhe shkoi në fshat e lajmëroi kryetarin e Këshillit, Brahim Rexhepi, e disa partizanë të ‘Çetës Plakë’ të Vlorës, që ishin strehuar në fshat. Pas kësaj Brahim Rexhepi me partizanët vlonjatë, Bendo Asllani dhe Hydajet Micoli (‘Dysheku’), etj., na rrethuan mullirin dhe kërkuan që ne të dorëzoheshim, pasi ishte hapur fjala që në mulli ishin futur spiunë. Unë i`u prezantova nga dritarja se kush isha dhe pas meje u foli dhe Neki Ymeri (‘Vangjo’), i cili u tha: Ne jemi fajtor, se kemi tradhtuar partinë’. Nuk e di nëse i dëgjuan ata këto fjalë, por pas kësaj krisi pushka në drejtimin tonë.
Ne qëllonim sa për t`i trembur, që të mos futeshin brenda, sepse urdhrin nga Mehmeti e kishim që dy të arrestuarit nuk duhet t`i dorëzonim të gjallë, përveçse Hysni Kapos dhe vetë Mehmetit. Teksa ata na qëllonin duke na sharë: Dilni spiunët e m…., Hydajet Micoli tentoi të futej brenda në mulli, duke sulmuar me granata dhe M. Islami e qëlloi dhe e vrau. Pas kësaj, situata u acarua shumë dhe nga zhurma e armëve, u bë alarm dhe aty u mblodhën populli i fshatrave përreth, si dhe çeta e Martallozit e komanduar nga Namik Xhafa e Arif Hasko. Pas kësaj ata vendosën që ta digjnin mullirin dhe hipën në çati, duke hequr tjegullat dhe na bënin thirrje që të dorëzoheshim.
Duke mos pasur rrugë tjetër shpëtimi, unë vendosa që bashkë me të arrestuarit, të dilnim nga kanali i ujit që kishte mulliri. Teksa po dilnim, Nekiu me Xhemilin, dolën nga porta e mullirit që ishte e hapur dhe nga plumbat që vinin drejt nesh, Xhemili mbeti i vrarë në vend, kurse Nekiu u plagos në dorë. Unë dhe shokët e mi qëlluam formalisht në drejtim të tyre. Teksa po largoheshim, unë u ndesha me Brahim Rexhepin, i cili më njohu dhe u tha atyre që ishin në çati, që të ndalonin zjarrin. Pas kësaj unë kërkova e bëmë një takim me komandantët e çetave territoriale që ishin aty dhe ramë në një mëndje, se e gjitha ajo ishte një mosmarrëveshje dhe vrasja e ‘Milos’ e Micolit, ishte aksidentale.
Ne kërkuam Neki Ymerin që e kishin marrë në besë fshatarët e Kutës, por ata na e dhanë vetëm kur erdhi Mehmeti në mëngjes. Nekiun e mbajtëm të arrestuar disa ditë, deri sa i`u bë gjyqi, i cili ja fali jetën, pasi ai bëri autokritikë. Më pas Nekiu shkoi në Vlorë dhe u bashkua me Sadik Premten, që e kishte burrin e motrës”, kujtonte Idriz Seiti, incidentin e “Mullirit të Bektashit”, ku mbetën të vrarë, Xhemil Çakërri dhe Hydajet Micoli.
Dëshmia e Seitit: “Hysni Kapo rrëmbeu Pali Terovën”!
Sipas dëshmive të Idriz Seit Sadikaj, incidenti te “Mulliri i Bektashit”, e acaroi shumë situatën në Vlorë tek Sadik Premtja dhe mbështetësit e tij. Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Sipas urdhrit të Enverit, Hysni Kapo mori përsipër pushkatimin pa gjyq të Sadik Premtes dhe Pali Terovës. Hysniu shkoi në Tragjas ku rrinte i strehuar Pali Terova dhe i tha atij, se duhet të shkonte me të në një mbledhje me komunistët, pa ja treguar vendin se ku. Kur mbërritën në malin e Tragjasit, Hysniu i tha Palit, që t`i shkruante një letër Sadik Premtes, që ai të vinte aty dhe letra u nis me një korrier.
Në atë kohë që Hysniu mori Pali Terovën, Abaz Fejzo (gjeneral-kolonel, “Hero i Popullit”, vdiq në burgun e Burrelit, i dënuar si “armik i popullit”), dyshoi dhe shkoi menjëherë për të lajmëruar Sadik Premten në shtëpinë e tij në Gjorëm. Abazi u takua rrugës me Sadikun, pasi ai e kishte marrë letrën e Pali Terovës dhe po shkonte në vendin ku e kërkonte ai. Pas takimit, ata menjëherë e kuptuan hilenë e Hysniut dhe menjëherë dhanë alarmin në Gjorëm, Lepenicë e Brataj, se njeriu i tyre, Pali Terova, ishte rrëmbyer nga Hysni Kapo! Pas kësaj, banorët e këtyre fshatrave të armatosur, shkuan dhe e rrethuan Hysni Kapon duke i thënë që ta lëshonte Pali Terovën, pasi ai ishte në besën e tyre dhe ata nuk mund ta mbanin dot atë turp! Hysniu, nga presioni i tyre, u detyrua dhe e lëshoi Pali Terovën.
Mbas kësaj, Hysniu shkoi në Tërbaç të arrestonte Vehbi Hoxhën (gjeneral-major, “Hero i Popullit”) ku dhe ndaj tij përdori të njëjtën metodë, si me Pali Terovën. Vehbiu dyshoi dhe nuk pranoi të shkonte me Hysniun, duke i thënë që mbledhjen ta bënin aty, pasi ata merrnin përsipër lajmërimin e të gjithë shokëve. Ata e kërcënuan dhe e detyruan Hysniun, që të mos lëvizte që aty dhe e mbajtën në arrest. Hysniu mezi mundi që të ikte prej andej, pasi njerëzit e Sadik Premtes, ishin shumë të acaruar nga veprimet e tija për rrëmbimin e Palit dhe tentativën për t’a përsëritur atë gjë me Vehbi Hoxhën! Pas kësaj tentativa për shpartallimin e ‘Grupit fraksionist’ të Sadik Premtes e pasuesve të tij, dështoi dhe Enver Hoxha erdhi vetë nga Tirana në Vlorë, ku dha urdhër të prerë për ekzekutimin e tyre.
Në atë kohë Sadik Premtja, Pali Terova dhe njerëzit e tij, krijuan një njësit më vete dhe luftonin, si kundër italianëve ashtu dhe kundër komunistëve të Qarkorit Komunist të Vlorës, që i ndiqnin kudo. Nisur nga kjo, Enver Hoxha dha urdhër për krijimin e një njësiti partizan special, që do gjurmonte dhe ekzekutonte Sadikun, Terovën, dhe Neki Ymerin. Pas kësaj, gjatë një prite të këtij njësiti, mbeti i vrarë Neki Ymeri, (“Vangjo”), kurse nga ana tjetër mbeti i vrarë komandanti i njësitit Shyqëri Alimerko”, kujtonte Idriz Seiti, dështimin e aksioneve për shpartallimin e “Grupit fraksionist” të cilat sipas urdhrit të Enver Hoxhës, i kishin marrë përsipër Mehmeti me Hysniun.
Idriz Seiti: “Hysniu sabotoi urdhrin e Enverit”!
Po si u pritën asokohe këto ngjarje tek partizanët e Vlorës dhe Mallakastrës? Lidhur me këtë, Idriz Seiti tregonte: “Dështimi i shpartallimit të fraksionit të Sadik Premtes, ku bënin pjesë dhe Neki Ymeri, Xhemil e Qazim Çakërri, Pali Terova, Vehbi Hoxha, Arif Hasko etj., na u njoftua ne komunistëve dhe popullit të atyre zonave.
Nga bisedat që bëja me Vllas Arapin dhe shokët e tjerë, nxirrej konkluzioni se: Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, e kishin sabotuar me dashje urdhrin e Enver Hoxhës, për likuidimin fizik të fraksionistëve, sepse si Hysniu, ashtu dhe Mehmeti, e kishin shumë të lehtë për t`i ekzekutuar fraksionistët, por ata nuk e bënë atë, sepse përveç njohjeve dhe miqësive familjare që kishin në ato zona, ishin edhe kundër vijës terroriste që Enveri po ndiqte në atë kohë për eliminimin e kundërshtarëve të tij. Por, Enver Hoxha e vuri ‘vath në vesh’ dhe nuk do t`ua harronte kollaj atë moszbatim urdhri, si Hysniut, ashtu dhe Mehmetit…”, – dëshmonte Idriz Seiti, mbi ato ngjarje dhe përshtypjet e komunistëve të thjeshtë për Hysni Kapon e Mehmet Shehun.
Letra e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën, 1944
Lidhur me sa bën fjalë në dëshminë e tij Idriz Seit Sadikaj, pra mbi zanafillën e përplasjes së Enverit me Mehmetin, për problemin e “Grupit fraksionist të Vlorës” me në krye Sadik Premten, vërtetohet edhe nga një dokument arkivor i cili i përket datës 10 dhjetor të vitit 1944, ku ndodhet një letër e shkruar nga Mehmet Shehu (me shkrim dore) dërguar Enver Hoxhës, ku mes të tjerash thuhet: “Qysh përpara Konferencës së vendit, që u mbajt në Labinot, unë isha sekretar organizativ i Qarkorit të Vlorës. Në Labinot mora direktiva për të asgjësuar ‘Xhepin’, që kishte kurdisur komplotin kundër Partisë. Por meqenëse në atë kohë ‘Xhepi’ punonte në Mallakastër, dhe largimi i tij nga Vlora e pati vënë në dyshim familjen, ky përfitoi nga rasti dhe më kërkoi leje për të shkuar për disa ditë në shtëpi.
Unë i dhashë leje për pesë ditë që të qetësohej familja e tij. Ky, gabimi im, shkaktoi që ‘Xhepi’ të na shpëtojë nga duart aty për aty. Pas gjyqit që u zhvillua kundër fraksionistëve, unë u hoqa nga përgjegjësia si organizativ pa asnjë shpjegim, pa asnjë sqarim. Jo vetëm kjo, porse aty-këtu ndiheshin fjalë se unë nuk kisha ditur si ta mbroja Partinë…! Heqja e përgjegjësisë që kisha, për mua konsiderohet si masë e Partisë karshi meje, dhe mosdhënia shpjegim mbi këtë masë, më ka lënë të pakënaqur.
Gjendja ime u bë kritike dhe tragjike, dy herë kam vënë koburen përpara për të përfunduar njëherë e mirë në mënyrën më të turpshme për një komunist, të zhdukja veten time. Të vajtuarit si foshnjë, ishte bërë një zakon dhe i vetmi mjet shfryrjeje ngushëlluese për mua…! Kushdo që reflekton pak mbi këtë gjendjen time tragjike, mund të pyesë dhe duhet të pyesë se si është e mundur që unë të kem mbërritur në një gjendje të këtillë, cilat janë shkaqet e kësaj gjendjeje.
Në Përmet, në vend që shokët e Komitetit Qendror ta bënin këtë pyetje seriozisht, në vend që të më ndihmonin për t’u shprehur lirisht e pa kërcënime, për të thënë atë që mund ta quaja si të vërtetë, ata, në të kundërtën, më morën, më torturuan shpirtërisht, ma mbyllën gojën e më flakën prapë atje ku isha në ferrin prej nga vija. E kur shoqja ime, Fiqreti, që ishte më afër se kushdo tjetër tek unë, më shihte duke vuajtur si ndonjë foshnjë. Atëherë cilat janë shkaqet”?
Përveç dokumentit arkivor ku ndodhet letra e shkruar nga Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1944, ku shikohen qartë fërkimet, kontradiktat dhe përplasja e tij me Enver Hoxhën (edhe pse Mehmeti nuk e përmend me emër), ato përplasje nuk u mbyllën me aq, përkundrazi vazhduan më tej, madje deri në vitin 1950, kur Mehmeti mbante funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme, që e kishte marrë që nga 30 tetori i vitit 1948, duke zëvendësuar Nesti Kerenxhin.
Lidhur me këtë, në dëshminë e tij publike, (për autorin e këtij shkrimi), ndërmjet të tjerash Idriz Seit Sadikaj dëshmonte: “Aty nga viti 1950, kontradiktat ndërmjet Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut u acaruan aq shumë, sa që Mehmeti iku nga Tirana dhe shkoi në fshatin e tij në Çorush, ku u mbyll në shtëpi, i ruajtur nga besnikët e tij, ish-partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese, që bënin roje me radhë në kodrat për rreth fshatit. Kur dikush nga ata e pyeti: po sikur të vijnë këtu, çfarë do bësh? Mehmeti iu përgjigj: do marr pushkën e do luftoj dhe kurrë nuk do bie i gjallë në duart e tyre”!
Kjo dëshmi publike e Idriz Seit Sadikaj, mbi kontradiktat e Mehmet Shehut me Enver Hoxhën, apo më saktë me raportet e tyre tepër të acaruara hera herës, të cilat do të “sheshoheshin” përfundimisht vetëm në natën e 18 dhjetorit 1981, duket se kanë brenda mjaft të vërteta, pasi ajo konfirmohet deri diku edhe me këtë dokument arkivor sekret (i nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme) që i përket datës 3 korrik të vitit 1950, i cili publikohet për herë të parë, bashkë me faksimilen përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT- INFORMACIONIN E DREJTORISË SË SIGURIMIT TË DATËS 3 KORRIK 1950, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH, LIDHUR ME KOMENTET E TOGER HALIM HODAJ, PËR KONFLIKTIN NDËRMJET ENVER HOXHËS DHE MEHMET SHEHUT
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË V.F. – L.P.
MINISTRIA E P. TË BRENDSHME Tiranë më 3.VII.1950
TIRANË
Nr. Prot.
Lënda: DREJTORISË SË SIGURIMIT
INFORMACION – DITE
Për datën 1. 2. 3. / VII/ 1950
Toger Halim Hodaj, në dispozicion të Drejtorisë së Personelit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, në lidhje me luftën e Koresë, ka thënë: “Lufta u hap nga Koreja e Veriut dhe jo nga Koreja e Jugut, siç thonë gazetat e këtyre. Kundër komunizmit janë ngritur 53 shtete dhe se Japoni të gjithë komunistët i kanë burgosur dhe nuk kanë lënë asnjë jashtë.
Trupat ruse kanë ardhur në Bullgari nga shkaku i luftës. Pastaj tha se Mehmet Shehu shkon shumë keq me Enverin, kaq sa ka vajtur puna, hiqe, t’a heq. Për këtë Mehmeti është izoluar brenda në shtëpi. Kjo grindje vjen se Mehmeti thotë që të qëndrojmë deri në fund me Mustaqen (Shokun Stalin), kurse Enveri me të tjerët kërkon t’a ndryshojë punën dhe të lidhet me Perëndimin.
Mehmeti këta i quan tradhtarë dhe nga që është izoluar në shtëpi dhe aktet për t’i firmosur i shkojnë në shtëpi. Enverin e kanë thirrur në Moskë, por ky nuk ka vajtur se ka frikë se mos ja bëjnë si Dimitrovit, të cilin e thirrën në Moskë dhe nga ana tjetër e çuan në kamp, ku e helmuan dhe e balsamosën. Enveri këtë gjë nuk e ha dhe prandaj nuk shkon.
Ushtar Musa Tura, efektiv i Regjimentit të tankeve (armik), ka thënë: “Kot themi se Kampi i Paqes çdo ditë po forcohet si shtyllë graniti, por po të shohim, kjo nuk është e vërtetë; Mao Tse Tungu po u del nga duart, pse nga që e kuptoj se kjo rrugë ishte shumë e dëmshme, e kthehu politikën ashtu siç e bëri edhe Titua më parë.
Për këtë gazetat e Amerikës dhe të Anglisë po e ngrenë lart Mao Tse Tungun, pse po tregohet kokë e madhe politike dhe nuk pranoi të bëhesh koloni e Bashkimit Sovjetik dhe t’i çonte çdo prodhim Mustaqes (Shokut Stalin).
Një rast tjetër, duke biseduar me ushtar Nexhidet Libohova, në lidhje me Fermën e Kamzës, tha: “Pushteti i sotëm, nuk është i shumicës, por i një klike sunduese. Me tokën e fermës, mund të ushqeheshin mijra fshatarë dhe punëtorë, por meqenëse kjo pasuri është në duart të një klike, e cila sundon, ndodh e kundërta; d.m.th., ne vuajmë./ Memorie.al
Konc. H.N. Zv. KRYETRARI I DEGËS SIG. USHTRISË
Dakt. H.B. Kap. I–rë Farudin Jaho
Shtyp në 5 kopje
Komente











