Mëkati i Berishës me gazin që po mbyt shqiptarët

Mëkati i Berishës me gazin që po mbyt shqiptarët

Pas naftës, bezninës, artikujve të shportës, fruta perimeve etj., një tjetër asortiment tepër i rendësishëm për përditshmërinë e familjeve shqiptare ka arritur çmimin rekord të shitjes. Sipas të dhenave më të fundit nga 75, 79, 80, 85, 93, 96 e 98 lekë që ka qenë kurba e rritjes së çmimit, para se të shpërthente kriza ndërkombëtare energjetike, pas pushtimit rus të Ukrainës, fundjavën e shkuar, me urdhër të Komisionit Mbikqyrës të këtij sektori, ky çmim i kërceu në nivelin 111 lekë për litër, për të lëvizur midis 108-110- 115 dhe 116 lekëve, të mërkurën. Një rritje galopante dhe një çmim i përballueshëm pa sakrificë vetëm nga shtresa e oligarkisë së pandershme, shtetarëve grabitqarë e të korruptuarve të të gjitha ngjyrave politike: shtetërore, biznesuale, evazionare etj., por mbytës për shqiptarët e ndershëm portofolzbrazët, që përbëjnë shumicën maxhoratike të popullsisë.

Sepse në këtë nivel çmimi që ka arritur gazi po i mbyt pameritueshëm financat e familjeve shqiptare. Pameritueshëm pasi ndodh në ndërkohën që, në shtrirjen prej afërsisht 878 km gjatësi gjithsej, (nga të cilat në Greqi rreth 550 km, në Detin Adriatik 105 km, e Itali 8 km), në tubacionin me gjatësi 215 km, poshtë nëntokës shqiptare,  prej disa javësh, ka nisur të rrjedh gazi azerbaxhanas, pjesë e projektit “Transatlantik TAP”, që pasi përshkruan itinerarin e mësipërm përfundon në Itali e më tej…

Gazsjellësi “TAP”  është një projekt i reklamuar me bujë nga qeveritë shqiptare, duke u shfrytëzuar për përfitim politik. Më së pari u shfrytëzua nga Sali Berisha, pastaj nga pasuesi i tij në qeverisje Edi Rama. Të dy këta primarë qeverish dy e tre mandatësh nuk ngurronin ta përmendin gazsjellësin “TAP”, sa herë u duheshin votat, si  shpëtimtar të nevojës që ka Shqipëria për këtë element të rendësishëm për familjet, për bizneset dhe vënien në punë të TEC-it të Vlorës për të cilin u investuan 130 milionë USD dhe për mungesë furnizimi me gaz ende nuk funksion…

“Sot ne vendosim të miratojmë në parim marrëveshjen bilaterale të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, për projektin më të madh të këtyre 20 viteve të fundit për të mos thënë këtyre 100 viteve të fundit në rajon, që është gazsjellësi transballkanik, që do të sjellë gazin e detit Kaspik nëpërmjet territorit të Turqisë, Greqisë, Shqipërisë, në Itali dhe në Europën Perëndimore”, – u mbur kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë, dt. 26 shtator 2012,  që është e para që vulosi zyrtarisht fatin e të ardhmes së gazjellësit “TAP” në nëntokën tonë. Ndërkohë Berisha premtoi ngrënien me “lugë floriri”  të shqiptarëve, pasi gazjellësi do të sillte kthimin e vendit në një rrjet gazofikimi rajonal e më gjerë.

“Shqipëria ka disa avantazhe të mëdha sepse nuk do të jetë vetëm një vend transit. Vendi disponon depozita natyrore të mëdha për depozitimin e gazit. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për tu bërë një qendër e fuqishme e shpërndarjes së gazit drejt Gadishullit Apenin, por edhe veriut të Ballkanit. Shqipëria ka mundësi ta përdorë gazsjellësin në një rrjet gazofikimi për zonat dhe për të garantuar për qytetarët ngrohje dhe gatim me kosto të ulët. Shqipëria ka të gjitha mundësitë të ndërtoj termocentrale gazi që janë në nivelet më të ulëta dhe të bëhet kështu një eksportues i madh i energjisë elektrike”, theksoi atë kohë Berisha, duke premtuar se do të bëhet maksimumi që ky projekt të përfundojë në fillim të mandatit të 2017-ës.

Deklaratat e Sali Berishës u bënë kur duhej më pak se një vit, që të mbaheshin zgjedhjet Parlamentare të 2013 të cilat ai i humbi duke ia lenë stafetën e qeverisjes  Edi Ramës. Katër vite pas ardhjes në qeverisje, në 15 maj 2017,  Agjencia Shtetërore e lajmeve  (ATSH), si instrument në dorën e qeverisë, duke ju referuar si burim Ministrisë së Energjitikës, shpërndante lajmin, sipas të cilit:

“Qeveria po krijon të gjitha kushtet për funksionimin e tregut të gazit, duke i paraprirë deri edhe administrimit të infrastrukturës në raste krizash. Përcaktohet prioritet furnizimi i familjarëve, kopshteve, spitaleve shkollave, çerdheve dhe konsumatorë të tjerë të rëndësishëm, siç mund të jetë prodhimi i energjisë elektrike, etj. Por sipas eksperteve, mbi të gjitha ky plan i jep zgjidhje problemit të humbjeve, kur sasia e gazit të prenotuar do të jetë më e lartë se ajo që do të përdoret në realitet. Në masterplanin e gazit parashikohet ndërtimi i dy depozitave nëntokësore të gazit, një në Dumre dhe një tjetër në Divjakë…”. 

Lajmi i ATSH-së u publikua kur fushata elektorale 2017 ishte në kulmin e saj dhe “Rilindja” e Ramës pretendonte fitimin e një mandate të dytë. Përmbajtja e këtij lajmi do të ishte dhe ushqim elektoral për kandidatët garues të “Rilindjes” që u shpall fituese dhe vijoi qeverisjen.

Po e njejta temë e gazjellësit TAP u hodh në publik nga vetë kryeministri Rama ditën e firmosjes së marrëveshja për ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të gazit në stacionin e Gazsjellësit TransAdriatik në Fier, ku ai vlerësoi se ky investim do ta kthejë Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë, dhe do t’i hapë rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor dhe zhvillimit ekonomik e social të vendit.

“…TAP nuk është thjesht një rrugë kalimi e gazit për në anën tjetër të Adriatikut, por burim i zhvillimit ekonomik e social transformues i vendit për dekadat e ardhshme.  Ky investim i ri strategjik i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor, ndërkohë që po vijon puna për projektin e detajuar për tubacionin Fier – Vlorë, i cili do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës e me portën e re hyrëse që do të investohet nga gjigandi “Exxon Mobile”, deklaroi Rama në 06 korrik 2021,vetëm pak muaj para se të mbaheshin zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare 2022, me fitoren e të cilave ai synonte mandatin e tretë qeverisës. Gjë dhe ndodhi.

Ka dhe të tjera deklarime lidhur me përfitimet që do ti vinin shqiptarëve nga projekti “TAP” , por ti lemë deri këtu.

Referuar fakteve të mësipërme vëren se ajo që i përbashkon këta drejtues politik qeverish është se kanë deklaruar mburshëm renien dakort midis palëve, që me përfundimin e gazsjellësit “TAP” një sasi më shumë se e nevojëshme për të plotësuar kërkesat e tregut shqiptar do të plotësoheshin. Madje Shqipëria do të kthehej në qendër rajonale etj., etj., kurse kjo do të sillte mirëqënie të shtuar të taksapaguesve të varfër etj., etj. blablabla… Gjë që jo vetëm nuk ka ndodhur me vënien në funksionim të gazjellsit “TAP” por ndodhi që specialistë dëshmitar të bisedimeve me palën përfaqësuese zyrtare të “TAP” të mohojnë kategorikisht hedhjen mbi tryezat e bisedimeve të një kërkesë për përfitim nga Shqipëria, sikurse ka ndodhur me vëndet e tjera ku kalojnë tubacionet e gasjellësit .

Naskë Hafezolli  dhe Bardhyl Reso janë dy prej tyre. Të qenë prezent në emisionin “Shqip”, të dt. 26 mars 2022, ata dëshmuan lënien pas listës së kërkesave të furnizimit të Shqipërisë me gaz nga “TAP”, pas përfundimit të gazsjellësit dhe konfirmuan se gazsjellësi vetëm do kaloj në Shqipëri dhe ne nuk përfitojmë gaz për shkak të marrëveshjes së firmosur.

“Në atë kohë i kam thënë Dritan Priftit të lutem mos kërko para për këtë projekt pasi ai e kishte namin e keq”,- ka theksuar në ligjëratë të drejtë Z. Hafezolli, ideatori dhe një nga realizuesit e “TAP”, që së bashku me kolegun dëshmuan se e njejta gjëndje mospërfitimi vijoi të jetë në fuqi edhe pas rinegocimit të kësaj marrëveshjeje nga ana e ministrit socialist Damian Gjiknuri.

“ Por edhe pas këtij rinegocimi Shqipëria nuk përfitoi asgjë. Shqipëria vijon të mos përfitojë nga tranziti FE dhe të ketë një TEC në Vlorë i cili nuk ka asnjë mundësi përdorimi për shkak të mungesës së gazit. Pra “TAP” në Shqipëri është anës lumit i palarë”, shprehet ne intervistën ekskluzive,  Naskë Afezolli. Duke zbuluar kështu të vërtetën dhe mashtrimin që u është bërë taksapaguesv e votuesve të vendit më të varfër, që të zhgënjyer nga premtimet vijojnë ta përballojnë çmimin e çmendur të gazit që kalon në 215 kilometrat e nëntokës së vet, mbrin në Italinë fqinj nga ku hyn sërish për t’iu shitur shqiptarëve sa “frangu pulën”.

E theksoj: Ndërsa tubacionet nëntokësore të  projektit TAP, të gjendura nën teritorin shqiptar, prej javësh vijojnë të shkarkojnë gazin në bregun italian, Shqipëria nuk përfiton asgjë por i nënshtrohet çmimeve të bursës ndërkombëtare që lëviz me orë dhe dikton rritjen skandaloze të çmimeve.

Në mungesë të përfitimit, konsumatorët më të varfër të europës, e përfitojnë gazin me çmime sa popujt e tjerë të Europës, edhe pse pagat e tyre mizerabile janë të pakrasueshme me ato të këtyre popujve. Nëpërmjet tubacioneve gazi azer, nga Greqia përfituese, hyn e del në Shqipëri, shkarkohet në Itali për tu shpërndarë në vëndet e tjera përfituese të BE-së dhe shqiptarët janë të përjashtuarit e mëdhenj të këtij përfitimi. Pasojë kjo e ardhur nga loja e ndyrë e “pokerit” politik që po na mbyt financiarisht, e të nisur nga ish kryeministri Sali Berisha.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

‘Mbështesim SPAK’, Alibeaj: Këta duan që të minojnë punën e tij! Komisioni ‘Xhafaj’ synim për ta delegjitimuar

‘Mbështesim SPAK’, Alibeaj: Këta duan që të minojnë punën e tij! Komisioni ‘Xhafaj’ synim për ta delegjitimuar