Te rubrika "Melodia e vargut" nga Sonila Strakosha vijnë dy poezi të mrekullueshme nga Frederik Rreshpja.

Testament

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur

I mallkuar me art.

Gjërat i shihja ndryshe:

Nëpër shirat e vdekur

Peshqit fluturonin drejt çerdheve te yjet.

Në vend të borës binin zogj në çdo dru.

Era si ketër brente degët.

Qante mbi mua nëna, Shënmëria ime. Ave nëna ime!

Mos e pastë njeri këtë fat!

Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave,

Pastaj erdhe ti tërë ikje.

Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra si perënditë ilire.

Kështu iku edhe rinia, filigrani i djalërisë,

I mallkuar me art.

Mos e pastë njeri këtë fat!

Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka

Dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes

Të më ndjekë mallkimi i artit.

Mos e pastë njeri këtë fat!

Por, kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe,

Se unë kam pasur miqësi me çdo dru.

Në stinën kur bien gjethet

Do të bien edhe sytë e mi.

Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.

Mos e pastë njeri këtë fat!

Nëna

Ka filluar të plaket nëna.

Fytyra e saj po mbulohet me rrudha.

Po mbulohet me një pleqëri të bukur.

Ç’është kjo rrjetë e bukur qe hedh koha mbi nënën time?

Dhe, duart që më mbanin, tani janë rënduar.

Po s’ka gjë.

Nga shpirti i saj zgjaten duar të tjera,

Që më mbajnë pezull

Ecën ngadalë nëpër dhomë.

Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,

Por s’më ka pyetur kurrë, pse s’kam shkruar asgjë për të.

Se nëna e di:

Fjalën e parë në botë ia thashë asaj,

Dhe fjalën e fundit në botë do ia them asaj.


Lajmi kryesor:

‘Në Librari’ vjen me 3 tituj: ‘Viti kur dola nga akuariumi’, ‘Mëndafsh’ dhe ‘Dhimitër S. Shuteriqi: Rilindasi i fundit dhe regjimi komunist’