Kalivaçi është shembulli më i qartë sesi dora e njeriut shndërroi në mjedis të dëmtuar një vend me bukuri magjepse, pjesë e listës së 100 fshatrave për zhvillim turistik. Guroret e ligjshme e të paligjshme kanë shfrytëzuar kodrat për 30 vite. 

Bashkia Memaliaj ka marrë iniciative për të pyllëzuar zonën që ka qenë gurore.

Janë 5 mijë fidanë që do të mbillen në territorin e Bashkisë Memaliaj që përbëjnë gati 20 ha për rikuperimin e pyjeve të dëmtuara.

“Bashkia Memaliaj ka ndërmarrë një aksion për reahabilitim e guroreve në Kalivaç duke i sheshuar dhe pyllëzuar, duke i kthyer në gjendjen e mëparshme, pasi firma me apo palicence e kanë shfrytëzuar gjithë fshatin duke shkulur gurë dhe duke krijuar gjendje katastrofë. Në aksion na janë bashkuar banorë të zonës të cilët e kanë shfrytëzuar dhe nuk e kanë rikthyer në gjendjen e mëparshme. Ata na janë bashkuar dhe po punojmë së bashku. Janë 5 mijë rrënjë akacie që do të mbillen në këto zona”, u shpreh Albert Malaj kryebashkiak i Memaliajt .

Kalivaçi i cili shtrihet në brigjet e lumit Vjosa, Park Kombetar, ka resurse natyre qe mund te shfrytëzohen për turizëm.

“Fshati Kalivac është dhe tek projekti i 100 fshatrave dhe nuk mund ta linim në gjendjen që ishte katandisur”, theksoi Malaj.